Kapiti:Elita politike shqiptare korrupsionin e ka biznesin kryesor

  • 22 June 2018 - 15:25
Kapiti:Elita politike shqiptare korrupsionin e ka biznesin kryesor

Sipas analistit politik Skënder Kapiti, nuk funksionon demokracia aty ku politika është baras dhe identifikohet me korrupsionin."Gjatë këtij tranzicioni, edhe në Shqipëri edhe në Kosovë kemi parë vetëm ndërrim pushtetesh apo më saktë ndërrim pronarësh politikë të korrupsionit, pasi korrupsioni as nuk u luftua dhe as nuk u ndëshkua, por vetëm sa u rrit dhe u perfeksionua nga elita politike, pavarësisht alternimeve në pushtet të krahëve të saj, si të majtë dhe të djathtë, dhe pavarësisht premtimeve të elitës politike për luftë kundër tij. Kjo vijoi kështu, sepse të gjitha partitë politike shqiptare kanë si të përbashkët të tyre faktin se kryetarët dhe shpura e ngushtë servile rreth tyre, pra establishmenti politik, janë të pasfidueshëm nga partia, nga shteti, nga ligji dhe nga demokracia. Prej këtij realiteti, prandaj dhe vjen problemi më i madh sot si në Shqipëri dhe në Kosovë, i cili është korrupsioni i jashtëzakonshëm dhe mosefikasiteti i luftës kundër tij dhe as kundër krimit të organizuar, problem i cili buron prej kësaj klase politike", vlerësoi ai."Si pasojë e këtij realiteti, politika e sotme, si ajo në Shqipëri dhe ajo në Kosovë, nuk ka dhe nuk ofron asnjë zgjidhje, pasi nuk ka dhe nuk prodhojnë alternativa zgjidhjeje politika e tillë e korrupsionit dhe e kriminalizuar, si dhe ajo as nuk ka vullnet dhe as dëshirë për luftë kundër krimit dhe as kundër korrupsionit", tha Kapiti për "Kosova Sot". Ai po ashtu thotë se elita politike shqiptare korrupsionin e ka biznesin kryesor, sepse me korrupsion politika dhe politikanët shqiptarë janë bërë të pasur dhe pronarë të politikës, të shtetit, të drejtësisë, të parasë publike dhe të posteve e të detyrave shtetërore dhe të ligjit."Elita politike e korruptuar shqiptare, establishmenti i sotëm politik, kudo shqiptarë, ua kanë mbyllur rrugën njerëzve të rinj dhe të aftë dhe potencialë për politikë dhe për integrimin e tyre në politikë dhe në punët shtetërore, sepse edhe zgjedhja e tyre, e të rinjve, bëhet sipas preferencës korruptive, injorante, servile dhe nepotike nga establishmenti politik aktual i çdo partie politike. Jo vetëm elita politike shqiptare, por në një gjendje të paralizuar nga korrupsioni janë edhe organizatat joqeveritare, shoqëria civile e mediet, të cilat duhet të kërkojnë dhe të jenë shumë hapa më përpara se pushteti dhe opozita politike në luftë kundër krimit dhe korrupsionit, në emër të lirisë dhe të moralit e ligjit.", vijoi më tej analisti Skënder Kapiti.

 

 

 

(Kosova Sot)