Apeli ia ul për dy vjet dënimin personit që kreu një vrasje hakmarrëse në Deçan

  • 22 June 2018 - 17:24
Apeli ia ul për dy vjet dënimin personit që kreu një vrasje hakmarrëse në Deçan

Dy vjet më pak burg do të vuajë Shaip Zukaj, i dënuar për vrasjen e Zymer Derivshajt

Kjo, pasi që Gjykata e Apelit e ka pranuar si pjesërisht të bazuar, ankesën e mbrojtësve të të akuzuarit Zukaj, duke ia zvogëluar kështu dënimin me burg për akuzat për vrasje nga 13 në 11 vjet, kurse, dënimin me gjobë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, Apeli e ka vërtetuar.

Gjykata Themelore në Pejë, në shkurt të këtij viti, Shaip Zukajn e kishte shpallur fajtor për vrasjen e ndodhur në vitin 2011 në Komunën e Deçanit, e ku i vdekur kishte mbetur Zymer Dervishaj.

Për këtë vrasje, Zukaj ishte dënuar nga shkalla e parë me 13 vjet burgim. Po ashtu, i njëjti ishte shpallur fajtor edhe për armëmbajtje pa leje, për çka ishte dënuar me 2000 euro gjobë. Dënimit të shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë, i kishte paraprirë pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit Zukaj. Mirëpo, e pakënaqur me lartësinë e dënimit, kishte mbetur mbrojtja e të akuzuarit Zukaj.

Ankesat e mbrojtjes së të akuzuarit ishin shqyrtuar nga Gjykata e Apelit në maj të këtij viti. Në dy ankesa të ndara drejtuar Apelit, mbrojtësit e të akuzuarit, avokatët Gazmend Halilaj si dhe Ndrec Dodaj, i kishin propozuar gjykatës së shkallës së dytë, që ndaj të mbrojturit të tyre të shqiptohet një dënim më i butë.

Në fjalën e tij para kolegjit të Apelit, avokati Halilaj kishte thënë se ekspertiza e kryer në shkallën e parë, ka vërtetuar se i mbrojturi i tij, veprën e ka kryer në gjendje mendore esencialisht të zvogëluar.

Për më tepër, Halilaj kishte thënë se i njëjti është penduar për veprën që ka kryer, ka shprehur keqardhje, nuk ka gjasa që veprën ta përsëris si dhe shtoi se edhe familjet e të akuzuarit dhe të ndjerit tashmë janë pajtuar.

Vet i akuzuari Zukaj, në fjalën e tij para kolegjit të Apelit kishte thënë se ndjen keqardhje për veprën e kryer dhe se kërkon falje.

E këto ankesa të mbrojtjes, si pjesërisht të bazuara i ka pranuar gjykata e shkallës së dytë.

Në aktgjykimin e Apelit thuhet se, qëndrojnë pretendimet ankimore të mbrojtësve të akuzuarve, se nuk janë vlerësuar realisht rrethanat lehtësuese të konstatuara nga gjykata e shkallës së parë, dhe atë sidomos fakti se i akuzuari gjatë gjithë procedurë në këtë çështje penale-juridike, duke filluar, pra, qysh në fazën e parë të hetimeve ka pranuar fajësinë për veprat e kryera penale.

Po ashtu, Apeli e ka vlerësuar edhe faktin se i akuzuari është penduar dhe publikisht i ka kërkuar falje familjeve të dëmtuara, pastaj, se përveç të akuzuarit edhe familjet e tyre janë pajtuar, e ku të njëjtat, pra, familjet e dëmtuara nuk kanë parashtruar as kërkesë pasurore-juridike.

Gjithashtu, si rrethanë lehtësuese, kolegji i Apelit e ka marrë parasysh faktin se i akuzuari veprën penale në fjalë e ka kryer nën ndikimin e aftësisë mendore të zvogëluar.

“Dënimi i shqiptuar me burgim në kohëzgjatje prej 13 vjetësh, është i ashpër, çka me të drejtë pretendohet edhe me ankesa, prandaj, duke vlerësuar realisht rrethanat lehtësuese të konstatuara nga gjykata e shkallës së parë, të akuzuarit, për vepër penale të vrasjes së rëndë nga neni 179 par. 1 nën par. 4 të KPK-së, i shqiptoi dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 11 vite, kurse, dënimin e shqiptuar me gjobë nga gjykata e shkallës së parë, për veprën penale mbajtja në pronësi, kontrolle, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par. 1 të KPK-së, e merr si të vërtetuar”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Ndryshe, Shaip Zukaj akuzohej se në shtator 2011, në Tregun e Gjelbër, në Deçan, për qëllim hakmarrje e kishte privuar nga jeta, tani të ndjerin Zymer Dervishaj dhe kishte vënë në rrezik jetën e shumë personave dhe atë të dëmtuari Adil Thaçi.

Sipas aktakuzës, Zukaj kishte shtënë disa herë me armë automatike të kalibrit 7.62×39 milimetra, në drejtim të të ndjerit Dervishaj, dhe me zë të lartë kishte shqiptuar fjalët “Unë jam Shaban Belegu” dhe ishte larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Më këtë veprim të tij, sipas prokurorisë, i akuzuari kishte kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.

(Kosova Sot)