Presidenca e Kosovës pranon shumë dhurata

  • 23 June 2018 - 20:59
Presidenca e Kosovës pranon shumë dhurata

Përfaqësuesit e institucioneve kryesore të vendit shpesh herë pranojnë edhe dhurata. E këto dhurata nëse e kalojnë vlerën mbi 50 euro, ato i deklarojnë në Agjensionin Kundër Korrupsionit. E, institucioni që ka pranuar më së shumti dhurata, është Presidenca.

Një orë është vetëm njëra nga dhuratat marramendëse që iu ofrua ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga

Por jo të gjithë i refuzojnë ato.

E tëra që duhet të bëjnë zyrtarët shtetëror është se çdo dhuratë që arrin vlerën mbi 50 euro të deklarohet në Agjensionin Kundër Korrupsionit.

Deklarimi i tyre po bëhet tash e sa vite, e një gjë e tillë është e obligueshme.

Dhuratat që pranojnë krerët e institucioneve nuk janë të pakta.

Të ndara në protokollare dhe të rastit, numri i tyre në vitin 2017 arriti në 126, në gjithsej 11 institucione.

Presidenca kryeson këtë listë, me gjithsej 20 dhurata, 3 prej tyre të rastit.

Kuvendi ka pranuar 16, 15 prej tyre protokollare.

Ndërsa, zyra e kryeministrit  vitin e fundit ka marrë 14.

E të tilla nuk kanë munguar as te ministritë.

Më së shumti ka marrë ministria e financave, 9’të protokollare.

E pas saj, Ministria e Punëve të Jashtme, me 2 të njëjta.

Një dhuratë e rastit sipas të dhënave të Agjencisë Kundër Korrupsionit iu është dhënë edhe prokurorisë së shtetit.

Të gjitha dhuratat që pranohen nga personat zyrtarë, duhet të regjistrohen së bashku me vlerën e tyre.

Pasi që personi që ka pranuar atë dhuratë bën kërkesë, mbetet në dorë të agjencisë që të vendosë që të lejojë apo jo që ajo të merret.

E për t’i pranuar ato duhet të ekzistojnë arsye bindëse se ajo është dhënë për qëllime personale dhe nuk ndikon në kryerje të detyrës.


(Kosova Sot)