A do të këtë sot marrëveshje për energjinë apo veç për Asociacionin?

  • 24 June 2018 - 12:27
A do të këtë sot marrëveshje për energjinë apo veç për Asociacionin?

Presidenti Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot në Bruksel vetëm më anëtarët e kabinetit të tij, për t’u ballafaquar me Aleksander Vucicin. Në këtë takim pritet të diskutohen të paktën dy tema. Njërën që insiston pala kosovare është energjia ndërkaq pala serbe kërkon të shtyhet përpara tema e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Gjithçka do të merret vesh sot deri pasdite, kur do të nisë faza e re e dialogut Kosovë-Serbi.

Hashim Thaçi ka udhëtuar në Bruksel pa marrë asnjë zyrtarë tjetër të institucioneve tjera të Kosovës. Për në raundin e ri të dialogut, ai ka marrë me vete vetëm këshilltarët e tij.

Bashkë me Presidentin nuk ka shkuar asnjë zyrtar i Qeverisë, opozitës dhe as shoqërisë civile.

Sidoqoftë, në dialogun e sotëm, pritet të diskutohen dy tema: Energjia dhe Asociacioni.

Temën e energjisë e ka bllokuar Serbia edhe pse është arritur marrëveshje. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe Kosova me Asociacionin, megjithëse, për temën e fundit ka pasur lëvizje drejt themelimit të këtij mekanizmi të pushtetit lokal në Kosovë.

Bazuar në deklaratat e Presidentit Thaçi dhe Aleksander Vucicit nuk pritet të ketë ndonjë rezultat për shkak të pozicioneve të kundërta të palëve. Edhe dialogu teknik ka dështuar në këto dy pike për shkak se palët s’kishin pranuar të bëjnë kompromis.

Ky është raundi i fundit i dialogut me Serbinë. Është paralajmëruar se në faza të mëvonshme do të diskutohen edhe tema tjera si demarkacioni e njohja reciproke.

Takimi ndërmjet Thaçit dhe Vucic nis në orën 15.


(Kosova Sot)