Grapci:Qeveria të dyfishojë numrin e shkollave

  • 24 June 2018 - 15:53
Grapci:Qeveria të dyfishojë numrin e shkollave
 Analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për "Kosova Sot" tha se niveli i mësimdhënësve për nxënësit e shek. 21 është nën zero. "Mendoj se mësimdhënësit, të cilët kanë dhënë mësim gjatë regjimit serb në Kosovë, kur gjatë viteve të 90-ta na i kanë marrë shkollat dhe shumica e nxënësve mësonin nëpër shtëpitë private, të asaj kohe, më mirë i kanë edukuar nxënësit sesa kjo gjeneratë e re e mësimdhënësve", theksoi ai. Sipas Grapcit, Kosova ka njerëz të mirëfilltë të gjuhës dhe mësimdhënies, por askush nuk po u jep shansin që të punojnë në shkollat shtetërore apo private, sepse i kanë futur në punë individët të cilët nuk kanë as diploma e as nuk e kanë të kryer në mënyrë profesionale lëmin e asaj lënde që po e japin."Derisa të kemi nëpër vendet e punës mësimdhënës njerëzit që kanë hyrë aty me diploma të shkollës fillore, Kosova dhe kjo gjeneratë e nxënësve për fat të keq do mësojnë në mënyrë të gabuar, nga njerëz joprofesionalë", vlerësoi Grapci."Nisur nga ky fakt, edhe kjo situatë e papunësisë, por edhe e numrit të madh të punëtorëve të pakualifikuar po na tregon se Kosova ka nevojë imediate për një numër shumë më të madh të shkollave të mesme profesionale, duke i orientuar ato në vartësi të rajoneve të bizneseve me të cilat merren ato komuna. Prandaj, Qeveria e tashme 'Haradinaj' në vitin e ri shkollor duhet të dyfishojnë numrin e këtyre shkollave profesionale, në shtatorin që vjen, sepse vetëm në këtë mënyrë përgatiten kuadrot për tregun vendor të punës dhe tregun e huaj, që shpresojmë se do të bëhet me liberalizimin e vizave", sugjeron Grapci. 

(Kosova Sot)