Prokuroria, e shantazhuar nga politika

  • 24 June 2018 - 18:34
Prokuroria, e shantazhuar nga politika

ORGANI I AKUZËS NUK PO E ZBATON LIGJIN

Prokuroria e Shtetit të Kosovës, sipas analistëve, në asnjë nga raportet e saj të punës asnjëherë nuk i ka dhënë hapësirë veprimit, ngritjes së rasteve sipas detyrës zyrtare, "EX OFFICIO", edhe pse janë në dijeni për rastet konkrete të krimit të organizuar, e madje shumë prej tyre i kanë të deponuara edhe në tavolinat e tyre, si padi penale nga qytetarët, e të cilat presin me vite të tëra pa marrë as edhe një hap konkret drejt hapjes e ngritjes së aktakuzave në gjykatë. Duke e parë këtë mënyrë të veprimit, mosveprimit, në fakt nga neglizhenca, analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë theksojnë se është tepër shqetësuese se si kjo po ndodh nga ndikimi i politikës dhe nëntokës kriminale. Sipas tyre, është nëntoka kriminale dhe politika me krimin e organizuar që po i përdorin edhe dosjet që po flenë në prokuroritë e Kosovës, për luftë brenda për brenda me rivalët, për shantazhe pushteti e jo për ta zbardhur drejtësinë. Sipas opinionistëve, nga kjo formë veprimi, shantazhi është bërë mjet i punës edhe në drejtësi, siç është edhe në politikë gjithandej në institucionet e kapura të shtetit ,në fakt kriminalisht për motive korruptimi nga krimi i tejorganizuar i nëntokës kriminale në Kosovë.

Politikanët udhëheqin biznese nga nëntoka

Analisti dhe njohësi i kësaj fushe, Hidajet Ahmeti, thotë se imazhi i shtetit të Kosovës, në këto vitet pas shpalljes së pavarësisë, është duke u rrezikuar seriozisht nga lidershipi qeveritar, për shkak të dështimit të vazhdueshëm në realizimin e premtimeve, për luftimin e krimit dhe korrupsionit, në favor të interesit qytetar dhe ndërtimit të shtetit. "Nuk ka dyshim se drejtësia në Kosovë vepron në mënyrë selektive dhe është e dirigjuar kryekëput nga politika. Kemi me qindra raste të çështjeve madhore, ku drejtësia ka qenë e dirigjuar nga politika. Drejtësia në Kosovë vepron në mënyrë selektive, duke u marrë me raste që nuk çojnë peshë aq të madhe, kurse me raste madhore të cilat ia zbehin imazhin dhe ia humbin kredibilitetin shtetit të Kosovës as që merret fare, jo pse nuk ka dijeni për shkeljet, por për shkak se nga aty mund të prishet rahatia e ndonjë politikani", u shpreh ai. "Fakti tjetër se shumë politikanë udhëheqin biznese nga nëntoka, mund të vërtetohet nga pasuritë e tyre milionëshe, ku qytetarët menjëherë dyshojnë se si ata u pasuruan brenda një kohe të shkurtër. Origjina e këtij kapitali vjen nga përfaqësuesit e tyre familjarë dhe klanorë që udhëheqin zyrtarisht biznese dhe natyrisht nga korrupsioni dhe krimi i organizuar", theksoi Ahmeti."Dhuna psikologjike ndaj është bërë standard për çdo institucion publik e posaçërisht për institucionet e drejtësisë. Falë kërcënimit, shantazhit e presionit ka funksionuar dhe kanë mbetur në heshtje shumë raste kriminale, të cilat dita ditës po zbehin performancën e imazhin e shtetit të Kosovës. Dhuna psikologjike si mjet për t'i arritur qëllimet personale e politike është "strategji" që përdorin politikanë të fuqishëm e të paprekshëm në Kosovë, e posaçërisht ato parti politike që kanë qenë pjesë e pushteteve të pasluftës", shpjegoi më tutje Ahmeti. "Kjo "strategji" politike në njërën anë përdoret për shpërqendrimin e opinionit publik nga problemet reale, kurse në anën tjetër për amnistimin e përkohshëm të klientelës së tyre politike nga korrupsioni, krimi i organizuar e me një fjalë nga keqpërdorimet e pasluftës me pozitat zyrtare. Kjo "strategji" politike përmes rrugës së shantazhit mban në pezull çdo shpifje, e cila konsiderohet pjesë e shantazhit dhe gjithë opinionin publik orienton kah shpifjet që bëhen duke shpërqendruar nga problemet reale që i përtojnë çdo ditë. Përmes kësaj metode amorale e të pasinqertë partitë politike i fusin në një lojë iluzionare edhe opinionin publik duke ia shpërlarë trurin", tha Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot". Sipas tij, drejtësia kosovare është kryekëput e manipuluar nga politika dhe e ndikuar që të mos jetë funksionale, sepse kështu e përdorë si mburojë për mbulimin e krimit dhe korrupsionit.

PROKURORIA SPECIALE, EDHE PËRKUNDËR FAKTIT SE ËSHTË NË DIJENI PËR RASTET E KRIMIT TË ORGANIZUAR, TË NGRITURA SI PADI NGA QYTETARËT, NUK E KA GUXIMIN TË VEPROJË!

Sipas analistit Florim Zeqa, Prokuroria Speciale e Shtetit, edhe përkundër faktit se është në dijeni për shumicën e rasteve të krimit të organizuar, të ngritura si padi nga qytetarët, nuk e ka guximin të veprojë së paku në një rast të vetëm si "ex ffficio". "Në sirtarët e prokurorive presin prej vitesh lëndët e "peshqve të mëdhenj", për të marrë rrugën drejt gjykatës. Por asnjë hap konkret i prokurorisë për hapjen dhe ngritjen, qoftë edhe të një padie të vetme për bosët e krimit të organizuar dhe korrupsionit, endemikë", u shpreh ai."Në vend që të ngrihen padi për nëntokën dhe politikanët e inkriminuar, dosjet që po flenë në prokuroritë e Kosovës përdoren për rivalitet dhe motive të hakmarrjes ndaj kundërshtarëve politikë, për shantazhe pushteti, e jo për ta zbardhur drejtësinë e vonuar! Pasi shantazhi është bërë mjet i punës edhe në drejtësi, siç është edhe në politikë e gjithandej në institucionet e kapura të shtetit", vijoi më tej Zeqa. "Me një prokurori të bërë një me politikën e inkriminuar dhe mafiooligarkët nuk priten veprime konkrete, por vetëm fjalë shterpe të prokurorëve dhe premtime boshe të pushtetarëve. Pa aplikimin e procesit të VETTING-ut, të monitoruar nga ndërkombëtarët, as që do të fillojë ndonjëherë lufta kundër krimit të organizuar në Kosovë", tha Zeqa për "Kosova Sot".

Prokuroria, marionetë e politikës

Edhe ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, mendon se veprime "EX OFFICIO" nuk ka nga prokuroria, pasi ajo është e shantazhuar."Se prokuroria është e shantazhuar dhe nën kthetrat e politikës, kjo nuk do koment. I përkëdheluri i politikës është kryeprokuror, pa integritet, i pamoralshëm dhe i akuzuar për falsifikim. Ai është marionetë, e ka vendosur politika dhe ai i shërben politikës. Sot qenka "hidhëruar" politika për një rast dhe haptas po e kritikon "lirimin e rrëmbyesve të një vajze" linçim publik, e kryeprokurori hesht. Po të mos ishte i shantazhuar ai do të fliste, "pushtetet janë të ndara", por nuk guxon t'i kundërvihet se do t'i humbte privilegjet jetësore. Do ta arrestonin ashtu siç vepruan me prokurorin N. M.", u shpreh ai. "Ky nuk është shtet, ky është imitim i shtetit, politika dhe gjyqësori janë një. Na gënjyen në vazhdimësi edhe kinse kemi filluar hetimet për listat e veteranëve, për 'Bechtelin', për Shipitullën dhe shumë e shumë raste tjera, tani për rritje pagash. Politika e ka kapur gjyqësorin dhe të gjithë mekanizmat e pavarur. Prandaj edhe nuk ka raportime në Kuvend, nuk ka prononcime publike, nuk ka politikë të pavarur. Të gjithë janë të kapur", potencoi Preteni. Sipas tij, shteti është në krizë dhe pa gjyqësor të pavarur, pa mekanizma të pavarur nuk ka shtet, nuk ka sundim të ligjit, nuk ka shtet të së drejtës. 

 

(Kosova Sot)