Qeveria miope injororon 'çelësin' e punësimit

  • 24 June 2018 - 18:36
Qeveria miope injororon 'çelësin' e punësimit

Lënia pas dore e shkollave profesionale, me kosto të rëndë ekonomike

Njohës të fushës së ekonomisë dhe deputetë të opozitës kanë vërejtje të mëdha se përse Qeveria e Kosovës po heziton që të forcojë shkollat profesionale, ashtu siç i ka gjithë bota perëndimore, por edhe siç ka filluar edhe Shqipëria që të bëjnë reforma rrënjësore në këtë aspekt, duke parë se po mungojnë njerëzit e kualifikuar. Shih për këtë qëllim, para disa ditësh një hotel është hapur në Durrës dhe të gjithë kuzhinierët ishin turq e asnjë shqiptar. Andaj, nga njohësit e kësaj fushe me të drejtë po shtrohet pyetja se përse Kosova po mbetet prapa në këtë drejtim dhe kushdo që merr Ministrinë e Arsimit synon vetëm që të kapë Agjencinë e Akreditimit, Universitetin dhe shkollat, me qëllim të punësimeve partiake. Nga specialistët edhe po shtrohet pyetja me të drejtë se a mund të zhvillohet ekonomia e Kosovës me këtë nivel të ulët të shkollave profesionale, ku mungojnë njerëzit e kualifikuar dhe profesionistët e fushave të ndryshme për punë të mirëfilltë e të besueshme profesionale. Ndërkaq, deputetë e opozitës kanë bërë vërejtje se përse Qeveria e Kosovës po heziton që të forcojë shkollat profesionale, ngase sipas tyre kudo në botë shkollat profesionale janë bërë bazament i zhvillimit të atyre vendeve. Kësisoj, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu (i pavarur), për gazetën "Kosova Sot", tha se shkollat profesionale kudo në botë në dekadat e fundit janë bërë bazamenti i zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, për të cilat Kosova ka shumë nevojë. "Andaj është për keqardhje se përse Qeveria e Kosovës me gjithë premtimet boshe po heziton akoma që të forcojë shkollat profesionale që nuk janë më shumë se 60 sish", potencoi ai.

Shumica e punëkërkuesve të pakualifikuar

Opozitari Salihu thotë se, siç dihet, në Kosovë ka shumë punëkërkues, por fatkeqësisht shumica prej tyre janë të pakualifikuar. "Andaj hapja e një numri sa më të madh të shkollave profesionale do të jenë një mundësi shumë më e mirë për kualifikimin e fuqisë punëtore, rritjen e punësimit tek të rinjtë dhe zhvillimin e vendit në përgjithësi", vijoi më tej ai. "Kualifikimi profesional i punëtorëve nëpër këto shkolla do të mund të ishte edhe një nga parakushtet për inkurajimin e investimeve të jashtme, sepse pa një fuqi punëtore të kualifikuar investitorët nuk do të vijnë për të investuar në vendin tonë", vlerësoi Saihu. Ndërsa deputeti tjetër i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Ali Lajçi, tha për "Kosova Sot" se koha tashmë po dëshmon se në çdo komunë të Kosovës duhet që të ketë së paku një shkollë profesionale që u përshtat rrethanave të komunës. Ai thotë se si shembull do ta marrë komunën e Pejës ku duhet që të ketë një shkollë profesionale për hotelieri dhe turizëm, sepse e ka zonën e Rugovës, si pikë turistike, ndërsa Vushtrria duhet të kenë një shkollë profesionale në bujqësi, sepse shumica e banorëve të zonës merrem me kultivimin e patates. "Qeverisë së Kosovës po i mungon një orientim profesional në nivel nacional, nëpërmes të cilit iu tregohet të rinjve se sa punëtorë i kërkon nëse e kryejnë një fakultet ose shkollë profesionale. Kjo ngase përmes orientimit profesional ne u ndihmojmë të rinjve që ta zgjedhin më lehtë profesionin e tyre dhe që ata paraprakisht t'i dinë gjasat për punësim", u shpreh ai."E kemi këtë situatë të papunësisë dhe rrjedhimisht edhe krizën ekonomike në Kosovës, si pasojë e politikave të këqija të Qeverisë së Kosovës, e cila nuk po harton plane zhvillimore që lidhen me tregun e punës për të rinjtë", theksoi Lajçi. 

Performanca e dobët

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për "Kosova Sot" tha se me këtë praktikë të keqqeverisjes Kosova është bërë një shtet i katrahurës, ku secila forcë politike që vjen në pushtet tenton të mbushë ministritë me militantë pa i përfillur kriteret profesionale."Pra, edhe Ministria e Arsimit është bërë mollë sherri e partive në koalicion se cila forcë politike po dominon në universitet publike, pra qëllimi është ngjyrimi politik e më se paku cilësia", vlerësoi ai. "Rezultati i Testit Kombëtar në shkollat e mesme ishte një dëshmi se sa performancë të dobët kanë treguar këto shkolla dhe si barrë e dështimit i bie pikërisht Ministrisë së Arsimit, sepse parimisht shkollat profesionale kanë dështuar ku duhet praktika në ato shkolla, ndërsa gjimnazet shoqërore dhe shkencore kanë dalë më mirë. Po në këto shkolla profesionale ka mësimdhënës që derisa e kanë përfunduar fakultetin janë vonuar me shumë se një dekadë, mund të merrni më mend sa është ai profil i mësimdhënësit shembull për nxënësit, po ashtu ka profesorë të edukatës fizike që nga mbipesha më shumë të lënë përshtypjen e kuzhinierit sesa njeri i sportit", u shpreh Kadriaj."Këta profil të profesorëve që e kanë ngarkuar arsimin, sidomos atë të mesëm, në gjithë Kosovën, mos të presë ministra dhe Drejtoritë e Arsimit në komunat e Kosovës që nxënësit e tyre do të korrin sukses. Duhet t'i përkujtojmë opinionit që bashkësia ndërkombëtare ka përkrahur arsimin profesional në Kosovë si me ndërtimin e shkollave profesionale po ashtu edhe me laboratorë, por në ato shkolla ligjërojnë mësimdhënës që për tri vite të studimeve bachelor janë vonuar 12 vite në fakultet, që i bie katër vite për një vit, pra si mund të kenë suksese nxënësit ku mësimdhënësi është një shembull i dështimit", shpjegoi më tutje ai.

Qeveria të dyfishojë numrin e shkollave

Analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për "Kosova Sot" tha se niveli i mësimdhënësve për nxënësit e shek. 21 është nën zero. "Mendoj se mësimdhënësit, të cilët kanë dhënë mësim gjatë regjimit serb në Kosovë, kur gjatë viteve të 90-ta na i kanë marrë shkollat dhe shumica e nxënësve mësonin nëpër shtëpitë private, të asaj kohe, më mirë i kanë edukuar nxënësit sesa kjo gjeneratë e re e mësimdhënësve", theksoi ai. Sipas Grapcit, Kosova ka njerëz të mirëfilltë të gjuhës dhe mësimdhënies, por askush nuk po u jep shansin që të punojnë në shkollat shtetërore apo private, sepse i kanë futur në punë individët të cilët nuk kanë as diploma e as nuk e kanë të kryer në mënyrë profesionale lëmin e asaj lënde që po e japin."Derisa të kemi nëpër vendet e punës mësimdhënës njerëzit që kanë hyrë aty me diploma të shkollës fillore, Kosova dhe kjo gjeneratë e nxënësve për fat të keq do mësojnë në mënyrë të gabuar, nga njerëz joprofesionalë", vlerësoi Grapci."Nisur nga ky fakt, edhe kjo situatë e papunësisë, por edhe e numrit të madh të punëtorëve të pakualifikuar po na tregon se Kosova ka nevojë imediate për një numër shumë më të madh të shkollave të mesme profesionale, duke i orientuar ato në vartësi të rajoneve të bizneseve me të cilat merren ato komuna. Prandaj, Qeveria e tashme 'Haradinaj' në vitin e ri shkollor duhet të dyfishojnë numrin e këtyre shkollave profesionale, në shtatorin që vjen, sepse vetëm në këtë mënyrë përgatiten kuadrot për tregun vendor të punës dhe tregun e huaj, që shpresojmë se do të bëhet me liberalizimin e vizave", sugjeron Grapci. Aftësimit profesional t'i jepet përparësi Ramadan Maloku, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës për gazetën "Kosova Sot" thotë se për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë shkollat profesionale duhet të jenë prioritet."Nga ajo që kam parë në programin e kësaj ministrie, kjo sikur na tregon se shkollat profesionale do të jenë angazhimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, duke treguar se jorastësisht në programin e kësaj qeverie shkollat profesionale do të jenë prioritet i qeverisjes", u shpreh ai. Sipas Malokut, me përfundimin e këtyre shkollave të rinjtë tanë mund të fitonin dituri dhe shkathtësi të nevojshme, kompetencat e nevojshme dhe që të vijnë shumë lehtë deri tek punësimi i tyre."Edhe në Kosovë ka nxënës të mrekullueshëm, por ajo që duhet është një angazhim i mësimdhënësve t'iu ofrojnë dijen e nevojshme dhe shkathtësi të nevojshme. Ndërsa, udhëheqësit e dikasterit të arsimit e kanë për obligim që t'u krijojnë kushte shkollave profesionale për mësimdhënësit", vlerësoi ai. Sipas Malokut, sa më shumë duhet mbështetur shkollat e mesme profesionale në ngritje të cilësisë, duke krijuar kushte për një mësimdhënie dhe nxënie cilësore. Ai shton se edhe interesimi i nxënësve për regjistrim në shkolla profesionale ka shënuar një kthesë pozitive, ku nga viti i kaluar kërkesa për regjistrim e nxënësve është me suksese dhe rezultate të larta.

 

(Kosova Sot)