'Gjenet e mençura' mund ta shkaktojnë autizmin, por mbrojnë nga sëmundja Alzheimer

  • 24 June 2018 - 19:51
'Gjenet e mençura' mund ta shkaktojnë autizmin, por mbrojnë nga sëmundja Alzheimer

SIPAS NJË STUDIMI TË RI

Gjenet e njëjta për të cilat mendohet se i bëjnë njerëzit e mençur, mund të çojnë edhe te paraqitja e autizmit, anoreksisë dhe çrregullimit bipolar, thotë një studim i ri. Studimi më i madh i bërë ndonjëherë rreth lidhjeve gjenetike të 25 çrregullimeve të trurit, ka analizuar gjenomet e 1 milion pacientëve. Kërkuesit shkencorë nga Instituti i teknologjisë në Masaçusets dhe kërkuesit shkencorë nga Harvardi mbetën të befasuar nga zbulimi që bënë. 

Rrënjët e çrregullimeve

Ata gjetën se faktorët e njëjtë gjenetikë, që predisponojnë disa njerëz që të kenë çrregullime të caktuara psikike, janë të lidhur edhe me një shkollim më të mirë dhe më të gjatë. Por, shkencëtarët thonë se, këto gjene 'të mençurisë', mbrojnë nga sëmundja e Alzheimerit. Dr. Benjamin Neale, bashkautori i studimit, thotë: 'Ky studim ka filluar që të ndikojë në mënyrën sesi mendojmë rreth çrregullimeve të trurit. Nëse do të mund të zbulojmë ndikimet dhe karakteristikat gjenetike të çrregullimeve të ndryshme, atëherë mund të jemi në gjendje që të kuptojmë më mirë rrënjët e këtyre çrregullimeve", transmeton "Kosova Sot Online".

Përpjekja e paprecedentë

Studimi, i botuar në revistën "Science", ka grumbulluar të dhënat gjenetike për të ekzaminuar karakteristikat e 25 çrregullimeve psikiatrike dhe neurologjike. Truri është organ i vështirë që të studiohet direkt dhe, për shkak se çrregullimet e trurit shpesh paraqiten së bashku, shpesh është vështirë të dihet cili e ka shkaktuar tjetrin. Dr. Verneri Anttila, bashkautor i studimit, thotë se kjo ishte një përpjekje e paprecedent për të ndarë të dhënat, me qëllim të një të kuptuari më të mirë të çrregullimeve të trurit. 

 

(Kosova Sot)