Borxhi mbi 1 miliard, punësimi dështim, RROGAT E QEVERITARËVE DYFISHOHEN!

  • 25 June 2018 - 07:49
Borxhi mbi 1 miliard, punësimi dështim, RROGAT E QEVERITARËVE DYFISHOHEN!

ANALISTËT DHE DEPUTETËT KËRKOJNË QË MJETET TË INVESTOHEN NË ZHVILLIM TË EKONOMISË

Bazuar në të dhënat e institucioneve të Kosovës, mësohet se borxhi shtetëror i Republikës së Kosovës në vitin 2018 tejkaloi shifrën prej 1 miliard eurove. Kurse nga kjo shifër borxhi i jashtëm i Kosovës është 416 milionë euro, ku prej tyre 75 për qind e kemi ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (BNRZh), të dyja marrin pjesë me nga 160 milionë euro. Paratë e së parës (FMN) kanë shkuar në paga dhe asfalt dhe ato duhet të kthehen brenda 5 viteve. Prandaj, ekspertët e ekonomisë dhe njohësit e kësaj fushe kanë alarmuar se kësaj qeverie si edhe qeverive paraprake u intereson vetëm rritja e pagave dhe shpenzimet në asfalt. Kosova ka diku 85 mijë persona që konsiderohen shërbyes civilë. Deputeti Salih Salihu, për "Kosova Sot" tha se edhe ekspertët e ekonomisë e thonë se borxhi publik i ka anët e veta pozitive kur ai përdoret për destinacion të duhur, porse mund të ketë efekte shkatërruese për ekonominë e një vendi kur borxhi shfrytëzohet në projekte të gabuara."E keqja është se ndonëse Kosova ka hapësirë për marrjen e borxheve, është për keqardhje se autoritetet kompetente të qeverive tona të pasluftës deri më sot nuk kanë pasur projekte konkrete që gjenerojnë vende të reja pune dhe sjellin të mira dhe mjete materiale", u shpreh ai. 

Stagnimi ekonomik

Sipas opozitarit Salihu, e tërë e keqja e këtij borxhi është se edhe kjo qeveri aktuale sikurse qeveritë paraprake nuk kanë një plan se si të shpenzohen paratë që merren borxh dhe përfundojnë në paga e jo si ndikues të ekonomisë së Kosovës."Edhe në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian është thënë se Kosova ka një nivel relativisht të ulët të borxhit publik dhe nuk paraqitet ndonjë shkak për shqetësim. Por, ekspertë e tyre për çështje ekonomike shprehen se autoritetet kompetente duhet të kenë projekte që gjenerojnë vende pune dhe sjellin të mira materiale", vlerësoi ai. Edhe deputeti tjetër opozitar i Kuvendit të Kosovës, Ali Lajçi, për gazetën "Kosova Sot", tha se është për keqardhje se si paratë e borxheve të jashtme kanë shkuar në paga dhe asfalt aq më tepër ku dihet se ato duhet të kthehen brenda 5 viteve."Pra, rritja e borxhit shtetëror të Republikës së Kosovës nuk është se ka shkuar në investime që e rrisin ekonominë vendore. Në vend të kësaj, borxhi ka shkuar në ngritje të pagave në sektorin publik dhe në asfalt, duke u shoqëruar me mungesë transparence në këto projekte e me afera korruptive që kanë përcjellë shpenzimin e këtyre parave", potencoi ai. Sipas Lajçit, rritja e borxhit shtetëror, përcjellë me afera korruptive dhe sidomos mungesa e vizionit të qeveritarëve kosovarë, e kanë lënë ekonominë në stagnim, gjë që reflektohet te mungesa e trefishtë: mungesa e fuqisë blerëse, mungesa e prodhimit dhe mungesa e punësimit.

Rrezikimi i stabilitetit financiar

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, tha për "Kosova Sot" se egoizmi dhe apetitet e qeverive të deritanishme, e sidomos edhe kjo e tanishmja, çdo ditë e më shumë e rrezikojnë perspektivën ekonomike dhe stabilitetin financiar. "Kosova përditë e më shumë po i ngjan një shteti me orientim socialist dhe autoritar, ku investimet janë vetëm në letër. Pra, elita politike çdo ditë e më shumë po e dëshmon veten, që nuk e njohin sistemin kapitalist, sepse këta njerëz të pushtetit janë rritur dhe brymosur me idetë majtiste, kështu që këta njerëz të pushtetit nuk mund të kuptojnë parimin që së pari duhet të fitojë tani të shpenzojë, pra këta para se të fitojnë e shpenzojnë, që logjika më e shëndoshë ekonomike nuk e përballon këtë lloj dogme", ka vlerësuar ai. Ndërsa eksperti për çështje financiare, Dardan Grapci, thotë për " Kosova Sot" se borxhi i përgjithshëm është tërësia e borxhit shtetëror dhe komunal dhe ky borxh merret në emër të institucioneve qendrore qeveritare, të cilin Republika e Kosovës është e obliguar ta paguajë. "Për momentin niveli i borxhit nuk është i lartë, mirëpo duhet pasur kujdes, sepse vit pas viti po vërehet rritje e theksuar e borxhit", ka thënë ai."Ky borxh kryesisht po shërben për të mbuluar deficitin buxhetor, që mund të ketë një aspekt negativ, sepse një shtet kur hyn në borxh duhet të jetë mirë, që mjetet e borxhit të destinohen për investime, të cilat gjenerojnë mjete shtetesh", vijoi më tej Grapci."Më me rëndësi sesa niveli i borxhit është mënyra e shpenzimit të tij. Sa është efektiviteti i shpenzimit të borxhit publik. Pra, nëse borxhi publik i Kosovës po shfrytëzohet për projekte të rëndësishme, të cilat ndikojnë me gjenerimin e vendeve të punës dhe me rritjen ekonomike, atëherë është normale që mos të jetë shqetësim", ka thënë ai.

Ende nivel i ulët i borxhit publik krahasuar me rajonin

Deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën "Kosova Sot" tha se borxhi aktual i jashtëm i Kosovës nuk paraqet ndonjë rrezik të mundshëm dhe ende Kosova është larg kufijve të lejimit të hyrjes së borxheve. "Por Kosova duhet të jetë më e kujdesshme në hapat e mëtutjeshëm që të mos shkojmë në rritje të pakontrolluar të borxhit publik, në mënyrë që t'i kalojmë kufijtë e përcaktuar në raport me Bruto Produktin Vendor. Për momentin, nuk jemi të rrezikuar për shkak se kemi nivel të ulët të borxhit publik", vlerësoi ai. Njohësi i kësaj fushe, Neziraj, thotë se pavarësisht rritjes së shumës së borxhit, ai vlerësohet më i ulëti në rajon."Shprehur në përqindje, borxhi i Kosovës paraqitet 15.8 për qind e Bruto Produktit Vendor. Sepse Serbia dhe Shqipëria radhiten në vendin e parë sa i përket përqindjes më të lartë të borxhit me mbi 70 për qind të Bruto Produktit Vendor, pasuar nga Mali i Zi me mbi 60 për qind dhe Bosnja dhe Hercegovina me mbi 40 për qind", ka shpjeguar më tej Neziraj.

 

(Kosova Sot)