KELMENDI: ME URAN ISMAILIN MINISTËR VETËM KEMI KRIJUAR NJË ÇRREGULLIM TOTAL NË SHËNDETËSI

  • 25 June 2018 - 11:53
KELMENDI: ME URAN ISMAILIN MINISTËR VETËM KEMI KRIJUAR NJË ÇRREGULLIM TOTAL NË SHËNDETËSI
Ndërsa prof. Muhamet Kelmendi konstaton se jo vetëm drejtësia është e kapur nga politika kriminale, por është i gjithë shteti. Sipas tij, kreatori i një politike të tillë të rrezikshme është vetë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me grupin e tij të mbështetësve që punojnë në dëm të Kosovës."Rreziku për Republikën sa vjen e po thellohet. Kjo po krijohet edhe në raport me shtetin serb dhe atë malazez, sikundër edhe nga punët e pakryera brenda vendit, ku kemi krimin e korrupsion në përmasa alarmante. Në raport me shtetin serb janë shumë marrëveshje të bëra dhe të cilat pothuajse e kanë paralizuar sovranitetin e Republikës, sikundër edhe ka ndikuar në rritjen krimit nëpërmjet veriut të Kosovës dhe kriminelëve të shumtë të amnistuar. Po kështu, kjo do të thellohet edhe me asociacion, i cili do të ketë kompetenca të autonomisë territoriale etj. Në kuadër të funksionimit të brendshëm të shtetit, kemi në vazhdimësi ngecje të zhvillimit, ngecje të fuqizimit të shtetit të së drejtës dhe kemi rritje të papunësisë, të rrezikimit të skajshëm të gjendjes shëndetësore dhe sociale të masave qytetare", u shpreh ai. "Me Uran Ismailin ministër vetëm kemi krijuar një çrregullim total në shëndetësi. Shëndetësia ka ecur si gaforrja dhe ku fakt aty as gjërat më elementare nuk ekzistojnë. Gjendja është e rëndë edhe në fushën sociale. Ndihmat janë të njëjta si para 10 vjetësh. Pensioni i pleqërisë është vetëm 75 euro. Në të gjitha institucionet e vendit edhe më tutje vazhdojnë korrupsioni dhe krimi i organizuar. Organet e ndjekjes dhe të luftimit të veprave penale janë të paafta dhe nuk kanë guxim të luftojnë këto veprimtari. Vazhdon të udhëhiqet policia nga njerëzit me të kaluar të dyshimtë. E njëjta gjendje është edhe në prokurori dhe nëpër gjykata. Këtyre iu kanë rritur të ardhurat, por puna dhe rezultatet e punës kanë mbetur të njëjta. Ata janë të kapur thjesht që të gjithë nga pushteti i kriminalizuar. Republika është e rrezikuar nga jashtë dhe nga brenda, por kryesisht nga njerëzit e pushtetit, të udhëhequr nga z. Thaçi. Ky rrezik do të vazhdojë dhe ka gjasa që në kuptimin e një republike unike dhe të pandarë, me bisedimet e Thaçit me Vuçiqin në Bruksel do të marrë fund. Me Asociacion kulturor dhe autonom uniteti i Republikës shkatërrohet dhe natyrisht se Republika ndryshon në tërësi", ka vijuar Kelmendi për "Kosova Sot".