Beteja e vërtetë, për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, as që ka filluar

  • 25 June 2018 - 07:46
Beteja e vërtetë, për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, as që ka filluar

PËRMBUSHJA E KRITEREVE NGEC TE DREJTËSIA E DEGRADUAR

Qytetarët kosovarë janë në pritje të një përgjigje për liberalizimin e vizave, ngase Komisioni Evropian javën e ardhshme pritet të publikojë raportin vlerësues mbi progresin në plotësimin e kritereve. Ndërkohë është pikërisht komisionari evropian për Migracion dhe Çështje të Brendshme, Dimitris Avramopoulos, i cili veç ka deklaruar se "ka akoma punë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit". Nëse vendimi për heqjen e vizave mbetet negativ edhe në këtë vit, analistët përgjegjësinë e hedhin tek politika dhe drejtësia kosovare, duke thënë se si mund të ketë luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kur kjo luftë realisht as që ka filluar përderisa nëntoka e fuqishme kriminale po e sundon Kosovën. Analistët theksojnë se këtë herë vendimi do të duhej të ishte në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët dhe të ndëshkimit të politikës në pushtet me izolim total. Ata theksojnë se nuk duhet dënuar qytetarët për liberalizim të vizave, por duhet kërkuar nga prokuroria dhe gjyqësori që të inkriminuarit në krim të organizuar dhe në korrupsion, në pozita të larta si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal t'i sjellin në bankën e të akuzuarve dhe të marrin dënimet për veprat penale të konsumuara në baza ditore. 

Hertica: Asnjë 'peshk i madh' nuk është kapur deri më tani

Sipas analistit Ali Hertica, faktin se Kosova është mbrapa me sundimin e ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, më së miri e ilustron edhe alarmi i ambasadorit amerikan."Me krim dhe korrupsion të këtij niveli është një pritje e kotë edhe në pritjet tona për liberalizimin e vizave. Me të drejtë ka dhënë sinjal negativ edhe Komisionari evropian për Migracion dhe Çështje të Brendshme, Dimitris Avramopoulos, i cili ka deklaruar se "ka akoma punë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mendoj që e vetmja mundësi e shpëtimit dhe e vetmja shpresë është që të ketë spastrim dhe reforma të thella në drejtësi, e ku në fakt me ndikim të madh do të ishte edhe presioni i ushtruar nga Bashkimi Evropian në kontekstin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE, që ndërkohë, si kushtëzim ndaj këtij procesi, të peshkohen "peshqit e mëdhenj". Pikërisht në këtë fushë veprimi të drejtësisë po vazhdojmë të mos kemi asnjë rezultat të vërtetë, asnjë 'peshk i madh' nuk është kapur deri më tani", u shpreh ai."Përveçse duhet të japë llogari për korrupsionin, sistemi gjyqësor duhet të jetë gjithashtu i pavarur për t'i rezistuar trysnisë politike. Për ta realizuar këtë duhet të marrin pjesë ekspertët më të mirë vendorë e ndërkombëtarë në reformimin e thellë të këtij sistemi", vlerësoi Hertica për "Kosova Sot". 

ZEQA: BE-JA DUHET TË KËRKOJË ME URGJENCË NGA PROKURORIA QË TË INKRIMINUARIT T'I SJELLIN NË BANKËN E TË AKUZUARVE

Sipas analistit politik Florim Zeqa, edhe pse Komisioni Evropian javën e ardhshme pritet të publikojë raportin vlerësues mbi progresin në drejtim të plotësimit të kushteve nga institucionet e Kosovës për liberalizimin e vizave, beteja e vërtetë për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar akoma nuk ka filluar. "BE-ja duhet të kërkojë me urgjencë nga prokuroria dhe gjyqësori që të inkriminuarit në krim të organizuar dhe në korrupsion, në pozita të larta si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal t'i sjellin në bankën e të akuzuarve dhe të marrin dënimet për veprat penale te konsumuara në baza ditore. Përfundimisht duhet nënvizuar faktin, se ndërkombëtarët ndodhen para sfidës më madhore që nga përfundimi i luftës në Kosovë", u shpreh ai."Përfaqësitë diplomatike të akredituara në vendin tonë, duhet të dëshmohen para qytetarëve të vendit me përkushtimin e tyre për një proces VETTING-u sikurse në Shqipëri", tha Zeqa për "Kosova Sot". "Qytetarëve e vetmja shpresë u ka mbetur tek VETTING-u i monitoruar ndërkombëtar, për pastrimin e institucioneve të drejtësisë dhe skenës politike në përgjithësi nga mafio-oligarkët e inkriminuar dhe sekserët e tyre", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot".

MIFTARI: SHTETI DHE POLITIKA JANË KAPUR NGA KRIMI I ORGANIZUAR

Eksperti i fushës së sigurisë, Naim Miftari, thotë se Kosovës i është bërë e padrejtë me ekstra kushte të shtuara në BE sa i takon të drejtës së lëvizjes së lirë pa viza."Në rastin e Kosovës BE-ja ka dështuar totalisht dhe nuk ka qenë korrekte aspak me popullin e Kosovës, duke i qitur kushte të veçanta, si demarkacioni i dhimbshëm në dëm të Kosovës, kushte që nuk i ka pasur asnjë shtet tjetër, por tani edhe mospranimi i shtetësisë së Kosovës nga 5 shtete evropiane është tregim në vete. Por kushti për sundim të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit është kusht dyfytyrësh pasi BE-ja e di shumë mirë se politikanët Kosovës këtë kusht nuk do ta zbatojnë kurrë në masën 100%, pasi askush nga politika dhe pushteti aktual në Kosovë nuk do ta arrestojë vetveten. Po e them dyfytyrësh, pasi është pikërisht EULEX-i evropian si mision special që kishte mundësi ta përmbushte këtë kusht, por dështoi edhe vetë EULEX-i dhe në një mënyrë u bë protagonist i aferave korruptive, i lojnave politike negative, sepse nga shtete të ndryshme evropiane ishte edhe mbështetja e politikanëve vendorë të korruptuar, ku kemi me dhjetëra e qindra afera kriminale nga korrupsioni, e deri në akuza për vrasje politike, dhe prapë mbështeten politikisht dhe përkrahen sipërfaqësisht nga BE-ja, por edhe nga SHBA-ja", u shpreh ai për "Kosova Sot". Sipas tij, shteti dhe politika janë kapur nga krimi i organizuar i brendshëm, por edhe i jashtëm ndërkombëtar, prandaj VETING-u është i padëshirueshëm sot për sot, si për vendorët, ashtu edhe për një pjesë të madhe të stafit diplomatik ndërkombëtar."Nëse nuk i kemi luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin vendor e ndërkombëtar për 10 vjet, si do ta luftojmë tani për ca muaj apo javë. Pra, derisa ne po e tallim vetveten, pastaj edhe të tjerët pse mos të luajnë e të tallen me ne", tha Naim Miftari për "Kosova Sot".

Qytetarët nuk mund të mbahen peng

Njohësi i fushës së të drejtës, Hidajet Ahmeti, thotë se përveç kushtit për Demarkacionin me Malin e zi, Komisioni Evropian në Raportin e tij për Kosovën kishte vendosur edhe kushtin për luftimin e krimit dhe korrupsionit për liberalizim vizash. Ahmeti thotë se është faktike që institucionet e BE-së veprojnë e reflektojnë në bazë të interesave politike e gjeostrategjike, edhe pse kriteret janë shumë të qarta për shtetet të cilat janë pretendente për integrim në BE. Sipas Ahmetit, kushtet për vizat në krahasim me vendet tjera, për Kosovën kanë qenë më të rënda, prandaj këtu është bërë një padrejtësi e madhe, sado qëkur është fjala te krimi dhe korrupsioni aty kërkesa është dhe duhet të jetë konsistente."Nëse mbështetemi në retrospektivë shohim se BE-ja ka vepruar në logjikën dhe frymën e interesave reciproke në mes shteteve, e posaçërisht Komisioni Evropian që përfaqësohet nga ministrat përkatës të shteteve anëtare të BE-së. Me këtë elaborim të shkurtër nuk po dua të them se Kosova ka përmbushur kriterin për lurtimin e krimit dhe korrupsionit, por po dua të them se edhe me rastin e Kosovës mund të veprohet, por edhe të reflektojnë me raport pozitiv për liberalizim vizash, pasi është shteti i vetëm që ka mbetur i izoluar dhe nuk mund të mbetën peng qytetarët shkaku i një grushti njerëzish të korruptuar e kriminalizuar", vijoi më tej Ahmeti. Sipas tij, në sistemin e drejtësisë duhet të ndodhin disa reforma substanciale. "Gjykoj se sistemit të drejtësisë i duhet një dorë e hekurt e politikës, e cila përveç reformës substanciale në plotësim-ndryshim ligjesh, por edhe inicim, hartim e miratim ligjesh të domosdoshme, duhet edhe vullnet politik për jetësimin e kësaj reforme të domosdoshme e të shumëpritur", tha Ahmeti për "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)