GURAZIU: DERISA GJYQËSORI TË MBETET I KAPUR NGA POLITIKA,S'KA DREJTËSI PROFESIONALE

  • 25 June 2018 - 17:16
GURAZIU: DERISA GJYQËSORI TË MBETET I KAPUR NGA POLITIKA,S'KA DREJTËSI PROFESIONALE

 Sipas analistit politik Ragip Guraziu, luftimi i korrupsionit, gjykatat e pavarura të pandikuara e të pakorruptuara dhe lufta kundër krimit po e pengojnë Kosovën nga e ardhmja evropiane.

"Me të drejtë edhe ambasadori amerikan, Delawie, sërish ka alarmuar për politizimin, ndikimin e interferimin dhe për korrupsionin e thellë në sistemin e drejtësisë kosovare. Ai theksoi se është tepër i shqetësuar me ndikimin politik në sistemin e drejtësisë, duke thënë se Kosova ka të ardhme evropiane vetëm nëse gjykatat janë të pavarura, të pandikuara dhe të pakorruptuara. Është pikërisht politizimi e ndikimi i skajshëm dhe inkriminimi i politikës dhe sistemit të drejtësisë që po e mban peng luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë dhe i lë të lirë të ashtuquajturit 'peshq të mëdhenj', që po kalon sot Kosova periudhën me të vështirë që nga paslufta, pasi të gjithë kameleonët e politikës kosovare janë bërë bashkë, për të shuar përkohësisht shpresat e shoqërisë, për një pastrim të institucioneve nga elementët kriminalë", tha Guraziu për "Kosova Sot".

Sipas tij, derisa gjyqësori të mbetet i kapur nga kthetrat e politikës, nuk mund të flasim e aq më pak të shpresojmë për një drejtësi efektive, të drejtë dhe profesionale.

"Përderisa gjyqësori është i ndikuar nga politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminale, elementet kriminale që po forcohen çdo ditë do të vazhdojnë të janë "mbi ligjin" prej nivelit lokal e deri tek ai qendror, në kompani publike e agjenci të pavarura, në shërbimin diplomatik e në jetën politike, në Kuvend apo ekzekutiv. Tani kemi dështuar tërësisht në sistemin e drejtësisë për të zbatuar ligjin dhe për të treguar se para ligjit secili do të japë llogari një ditë, pa marrë parasysh se kryetarë të cilës parti apo ministra të kujt janë personat që kanë shkelur rëndë ligjin, e që kanë pësuar për këto gati 2 dekada vetëm qytetarët e zakonshëm, ata që nuk kanë krah politik, që nuk janë pjesë e klaneve apo klientelave të mafiooligarkëve të inkriminuar", tha Guraziu

(Kosova Sot)