Ahmeti: Qytetarët nuk mund të mbahen peng

  • 25 June 2018 - 18:00
Ahmeti: Qytetarët nuk mund të mbahen peng

Njohësi i fushës së të drejtës, Hidajet Ahmeti, thotë se përveç kushtit për Demarkacionin me Malin e zi, Komisioni Evropian në Raportin e tij për Kosovën kishte vendosur edhe kushtin për luftimin e krimit dhe korrupsionit për liberalizim vizash. Ahmeti thotë se është faktike që institucionet e BE-së veprojnë e reflektojnë në bazë të interesave politike e gjeostrategjike, edhe pse kriteret janë shumë të qarta për shtetet të cilat janë pretendente për integrim në BE. Sipas Ahmetit, kushtet për vizat në krahasim me vendet tjera, për Kosovën kanë qenë më të rënda, prandaj këtu është bërë një padrejtësi e madhe, sado qëkur është fjala te krimi dhe korrupsioni aty kërkesa është dhe duhet të jetë konsistente.

"Nëse mbështetemi në retrospektivë shohim se BE-ja ka vepruar në logjikën dhe frymën e interesave reciproke në mes shteteve, e posaçërisht Komisioni Evropian që përfaqësohet nga ministrat përkatës të shteteve anëtare të BE-së. Me këtë elaborim të shkurtër nuk po dua të them se Kosova ka përmbushur kriterin për lurtimin e krimit dhe korrupsionit, por po dua të them se edhe me rastin e Kosovës mund të veprohet, por edhe të reflektojnë me raport pozitiv për liberalizim vizash, pasi është shteti i vetëm që ka mbetur i izoluar dhe nuk mund të mbetën peng qytetarët shkaku i një grushti njerëzish të korruptuar e kriminalizuar", vijoi më tej Ahmeti. Sipas tij, në sistemin e drejtësisë duhet të ndodhin disa reforma substanciale.

"Gjykoj se sistemit të drejtësisë i duhet një dorë e hekurt e politikës, e cila përveç reformës substanciale në plotësim-ndryshim ligjesh, por edhe inicim, hartim e miratim ligjesh të domosdoshme, duhet edhe vullnet politik për jetësimin e kësaj reforme të domosdoshme e të shumëpritur", tha Ahmeti për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)