Ferizajasit martohen ‘për letra’

  • 21 August 2015 - 20:12
Ferizajasit martohen ‘për letra’

Shtohen rastet e kurorëzimeve me shtetas të huaj

Sivjet kurorëzimi është i obliguar të bëhet vetëm në Komunë, për shkak të programit digjital, i cili nuk e mundëson kurorën diku tjetër

Muajt e verës kanë shtuar edhe fluksin e kurorëzimeve në institucionet lokale të Ferizajt. Ajo që bie në sy në dokumentacionin e atyre që duan të martohen janë emrat e shtetasve të huaj, si nga meshkujt, po ashtu edhe nga femrat. Kjo dukuri thuhet se sivjet ka shënuar një rritje dhe përbën diku 30 për qind të numrit të martesave që lidhen në Komunë. Zyrtarët e gjendjes civile në ofiqarinë e Ferizajt thonë se që nga fillimi i vitit janë bërë gati 600 martesa në Komunë dhe nëpër zyrat e vendit nëpër fshatra. Sipas punonjësve që kurorëzojnë çiftet e reja, vërehen lehtë rastet e kurorëzimeve nga dashuria dhe ato nga interesi.

“Te martesat që lidhen nga dashuria kemi shpesh ceremoni solemne dhe gjithçka i ngjan një akti të gëzimit, kurse çiftet që martohen vetëm për ndonjë interes apo janë të interesuar për letra shpesh edhe nuk janë të përgjegjshëm në sjelljen e dëshmitarëve apo dokumenteve të nevojshme. Nuk u intereson as çështja e mbiemrit, vijnë vetëm për të kryer punë dhe ikin”, tregon Fadil Zejna, zyrtar për lidhjen e kurorave në Komunën e Ferizajt, duke shtuar se nuk i ka të përditshme këto raste, por që vit pas viti më nuk po mbesin raste, por po shndërrohen në dukuri. Sivjet kurorëzimi është i obliguar të bëhet vetëm në Komunë, për shkak të programit digjital, i cili nuk e mundëson kurorën diku tjetër. Ndërsa në fund të vitit të gjitha certifikatat e lëshuara lidhen në një libër të kurorës ashtu, siç ka qenë gjithmonë.(Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)