Pushteti i kapur nga mafio-oligarkët PO E ZBRAZ KOSOVËN - Lajme - Kosova Sot
Pushteti i kapur nga mafio-oligarkët PO E ZBRAZ KOSOVËN

Pushteti i kapur nga mafio-oligarkët PO E ZBRAZ KOSOVËN

KOSOVARËT PRIJNË TË PARËT NË RAJON PËR LARGIM NGA VENDI, NËSE U JEPET RASTI

Zeqa: Qytetarët e Kosovës janë më të pakënaqurit nga të gjithë popujt e rajonit të Ballkanit dhe duan të largohen sa më parë nga Kosova

"Koalicioni aktual qeveritar, me veprimet e tij dubioze, jo vetëm se i ka humbur të gjitha shpresat për qytetarët e Kosovës, por ka filluar të shkaktojë pasiguri të pafund, frikë dhe panik tek të gjithë shqiptarët, ndaj pa ndryshimin e këtij trendi kaq negativ institucional, inicimin e një kursi të ri politik dhe luftimin e njëmendtë të korrupsionit, krimit të organizuar dhe oligarko-mafisë, nuk besoj se mund të ruhet edhe për kohë të gjatë qetësia në vend. Madje ngritja dhe frustrimi qytetar vetëm sa kanë filluar të japin shenjat e para me greva dhe protesta, fakt i cili po dëshmon se të prekurit nga kjo gjendje e rëndë kaotike, ku nuk funksionon asnjë segment i shtetit si duhet, duke filluar nga gjyqësia, politika dhe ekonomia", thotë analisti Gani Qarri për gazetën "Kosova Sot"

SAHITAJ: PERSONALITETET POLITIKE E KANË NGULFATUR JETËN E QYTETARIT TONË NË ÇDO ASPEKT

Analisti i politikës dhe veprimtari Reshat Sahitaj po ashtu konstaton me keqardhje se është për t'u habitur se si në anketat e ndryshme që bëhen ne shqiptaret gjithnjë e kemi vendin e parë në botë, si p.sh. shumë vite më herët minoriteti rom e kishte vendin e parë për optimizëm, mirëpo vitet e fundit ua kemi kaluar romëve dhe tash ne shqiptarët e kemi vendin e parë për optimizëm. Ne po ashtu do ta kemi edhe vendin e parë për falje të kriminelëve serbë, sepse ne shpejt i harrojmë vuajtjet sakrificat dhe gjakun e derdhur për liri."Pra, nuk ka asgjë për t'u befasuar se tash e paskemi zënë vendin e parë për të ikur nga Kosova, nga atdheu ku pushojnë eshtrat e prindërve, gjyshërve tanë shekuj me radhë. Janë disa faktorë që ndikojnë që qytetarët tanë të dalin nga Kosova: e para, në bazë të të dhënave historike populli shqiptar ka pësuar shumë tragjedi gjatë luftërave të shumta dhe gjëja e vetme për të shpëtuar veten e fëmijëve ka qenë ikja nga atdheu. Nga torturat sistematike që kanë ushtruar armiqtë tanë, largimi nga vendlindja është bërë shprehi dhe kjo ndoshta është futur në gjenet tona dhe ka mbetur si trashëgimi gjenetike. E dyta, zhvillimi i teknologjisë, e sidomos internetit, ka bërë që rinia jonë dhe e tërë botës po njoftohet brenda disa minutash për të arriturat dhe jetën e lumtur në vendet perëndimore, andaj secili i ri ka dëshirë të provojë një jetë tjetër ku njeriu vlerësohet si njeri në radhë të parë dhe natyrisht edhe për vlerat për punën që e bën. Në Kosovë nuk respektohet njeriu e as vlerat e tij, e madje asgjë nuk funksionon siç duhet të funksiononte, sepse personalitetet politike e kanë ngulfatur jetën e qytetarit tonë në çdo aspekt. I riu, edhe pse ka kryer studime të larta, nuk e ka punën e sigurt", është shprehur analisti Reshat Sahitaj për gazetën "Kosova Sot". Sipas tij, popullit tonë iu kanë shuar shpresat se një ditë do të bëhet mirë, ngase kjo shprehje është duke u përsëritur që 18 vjet pa u ndaluar e asnjëherë e kurrë nuk u bë mirë."Nga kjo përsëritje sistematike populli është lodhur duke i dëgjuar të njëjtat fjalime se do t'i punësojnë 400 mijë veta e kurrë nuk u punësuan as 2 veta jashtë-partiakë. Rinia mendon se jashtë ka shpresa për një jetë më të mirë, pa e ditur se jeta në mërgim është edhe më keqe se në Kosovë. Në Perëndim duhet të punohet për të jetuar e në Kosovë jetohet pa punuar. Shikoni restorantet, kafenetë, diskotekat, pishinat të gjitha janë të stërmbushura…", theksoi Sahitaj për "Kosova Sot". Sidoqoftë ai thotë se rinia duhet të jetë e fortë dhe të angazhohet për ndryshime në vend, për të ardhme më të mirë në shtetin e vet dhe jo atë ta kërkojë duke braktisur vendin."Ne duhet të marrim shembull nga rinia e Serbisë, të cilët janë në kushte shumë më të dobëta se rina kosovare, por ata nuk e lëshojnë atdheun e tyre. Të marrim shembull të rinia serbe në Kosovë, ku jeta e tyre është krejtësisht e dobët dhe pa asnjë shpresë për të bërë karrierë në Prishtinë, por ata nuk e lëshojnë Kosovën. Rinia serbe është në kushte shumë më të vështira se jona, por ne kemi dëshirë të pasurohemi brenda ditës, siç pasurohen personalitetet politike dhe mafiozët e ekonomisë", theksoi analisti Sahitaj.

QARRI: KOSOVA, NË DUART E MAFISË DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR

Analisti politik Gani Qarri u shpreh për "Kosova Sot" se në një shtet ku edhe në shekullin XXI nga pushtetarë e deputetët e përfolur në vijimësi për inkriminim e korrupsion simpatizohet regjimi sulltanesk (jashtëkohor) i Erdoganit dhe himnizohet ndërtimi i pafund i xhamive dhe hamameve mesjetare jashtë çdo kriteri, në vend të investimeve të huaja, ndërtimit të fabrikave, zhvillimit evropian të demokracisë dhe progresit ekonomik të vendit, një populli me origjinë dhe ndjesi evropiane, siç janë shqiptarët, qëllimisht i pamundësohet të jetojë aty."Për aq më keq, koalicioni aktual qeveritar, me veprimet e tij dubioze, jo vetëm se ka humbur të gjitha shpresat për qytetarët e Kosovës, por ka filluar të shkaktojë pasiguri të pafund, frikë dhe panik tek të gjithë shqiptarët, ndaj pa ndryshimin e këtij trendi kaq negativ institucional inicimin e një kursi të ri politik dhe luftimin e njëmendtë të korrupsionit, krimit të organizuar dhe oligarko-mafisë, nuk besoj se mund të ruhet edhe për kohë të gjatë qetësia në vend.Madje ngritja dhe frustrimi qytetar vetëm sa kanë nisur të japin shenjat e para me greva dhe protesta, fakt i cili po dëshmon se të prekurit nga kjo gjendje e rëndë kaotike, ku nuk funksionon asnjë segment i shtetit si duhet, duke filluar nga gjyqësia, politika dhe ekonomia, e kanë të pamundur të heshtin edhe më tej dhe përfundimisht po dëshmojnë se ata janë të gatshëm të ngrihen kundër gjithë kësaj anarkie që ka shkaktuar kjo kastë e dështuar politike në vend.Është plotësisht e natyrshme që aty ku kryeministri, kryeparlamentari dhe presidenti i vendit bëjnë garë secili nga ta, do ta zhvillojë më tepër nepotizmin, korrupsionin, krimin e organizuar dhe të shesë sa më shumë interesa të shtetit dhe toka të Kosovës, siç po veprojnë Thaçi,Veseli dhe Haradinaj, prindërit dhe familjet, jo vetëm të mos mund të jetojnë për vete të sigurt, por të ndjehen seriozisht të rrezikuar dhe të mos shohin më ardhmëri as për fëmijët e tyre në atë vend", është shprehur analisti Qarri për "Kosova Sot".Sipas tij, sot, jo një, por të gjitha sondazhet, njëjtë si sondazhi i kryer nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, i cili bazuar në barometrin e opinionit publik në vendet e Ballkanit, vërteton që hiç më pak se gati gjysma e popullsisë shqiptare në Kosovë ndihet e detyruar të emigrojë, madje në këtë fatkeqësi prijnë shtetasit e Kosovës, me 48 %, të cilët janë përgjigjur se në rastin e parë që do t'u jepej mundësia ata do të largoheshin sa më larg nga ky vend. 

Analisti Reshat Badallaj për "Kosova Sot" thotë se dëshira dhe bindja për të ikur nga vendi vijnë si shkak i pakënaqësisë dhe mosbesimit të rritur qytetar në politikën e inkriminuar. "Tashmë është mbushur kupa dhe popullit i ka ardhur thika në asht, sepse nga politika e mbrapsht që po udhëhiqet nga bandat mafioze që nga paslufta e sheh veten të pashpresë fare. Populli nuk është i verbër dhe se po ashtu e ka parë se të gjitha bandat që kanë dalë nga paslufta, qoftë nga pozita qoftë nga opozita, të gjitha një lloj pa kurrfarë dallimi nuk kanë punuar fare për interesa shtetërore dhe të qytetarëve të saj, por vetëm për interesa të tyre personale duke e plaçkitur popullin dhe kjo bandë mafio-oligarkësh u bënë të kamur dhe super-milionerë, që deri dje ishin leckamanë të zgjebosur. U formuan klane mafioze duke punësuar akraba të tyre, kurva, kurvarë, hajna, vagabondë të paarsimuar, gjysmë-analfabetë dhe lloj-lloj kopilë dhe njerëzit e ditur e qëllim mirë për shtet dhe për popull i lanë në rrugë. Por, këtij populli iu dhimbset Kosova, prandaj heshtin për të mos e ngritur bërë hata dhe katrahurë tërë vendin dhe pastaj kjo kastë banditësh, të mundohen për t´ia lënë kopilin në derë dhe të heqin tërë fajin prej vetes. Këtë më së miri flet dhe e vërteton fjala e popullit, ku gjysma e Kosovës, diku rreth 50%, janë përgjigjur që sa më parë të largohen nga Kosova", theksoi analisti Reshat Badallaj për "Kosova Sot"

Sipas një sondazhi që është publikuar këto ditë dhe që është kryer nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal në kuadër të Barometrit të Opinionit Publik në vendet e Ballkanit, del një konstatim alarmant, sipas të cilit shtetasit e Kosovës prijnë të parët, me 48%, me përcaktimin e tyre pro ikjes nga Kosova, kurdo që u jepet mundësia, e që në pyetësorin e paraqitur gjatë anketimit janë përgjigjur se ata do të largoheshin apo punonin jashtë vendit. Arsyeja kryesore që qytetarët e Kosovës janë më të pakënaqurit nga tëgjithë popujt e rajonit të Ballkanit dhe që duan të largohen sa më parë nga Kosova, sipas analistëve, pikërisht janë klasa politike e inkriminuar dhe nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve që po e sundojnë Kosovën

Kelmendi: Zgjidhje për ta provuar u ka mbetur ikja nga vendi

Prof. Muhamet Kelmendi, nga ana e tij, sheh disa faktorë të arsyeshëm, sipas tij që ndikojnë në këtë disponim antipolitik dhe për të ikur qytetarët nga shteti i tyre."Çështja e emigrimit të popullsisë së Kosovës është një problem i cili pothuajse në vazhdimësi e ka përcjellë vendin. Nga Kosova janë dëbuar e migruar apo ikur mbi 1 milion banorë. Kjo është bërë fillimisht për shkak të presionit, dhunës, gjendjes ekonomike dhe politikës serbomadhe për të serbizuar Kosovën. Për fat të keq, kjo gjendje, jo mbi bazën e dhunës fizike dhe të qëllimit të serbizimit, por mbi gjendjen ekonomike dhe sociale, po vazhdon. Është tepër jonjerëzore që të ardhurat personale në minimum të jenë 130 apo 170 euro. Kush është ai njeri me gjendje të tillë që nuk ikë. Pra, faktorët që populli është shprehur në masën 48% se do të shpërngulen janë, kryesisht të natyrës ekonomike dhe sociale. Këtu mund të përmendim:1. Papunësinë e madhe të masës rinore, e cila shkon deti në 40%; 2. Eksploatimi i ashpër i të punësuarve, sidomos në sektorin privat, përkatësisht skllavërimi i punëtorëve në firmat mafioze dhe kriminale; 3. Mosekzistimi i duhur i sigurimit pensional, duke u rrezikuar nëpër punë, deri edhe me vdekje dhe pa asnjë pension; 4. Mosmbrojtja në punë dhe në lidhje me marrëdhënien e punës; 5. Arsimi i dobët dhe pa perspektivë; 6. Shëndetësia e dobët dhe fare jokualitative etj. Pra, janë rrethana të shumta që ekzistojnë dhe që masat i ka bërë të pasigurta në Kosovë. Masat janë bërë pesimiste dhe nuk po shohin perspektivë, prandaj e vetmja zgjidhje për të provuar u ka mbetur ikja nga vendi", theksoi prof. Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

Shkodra: Populli u plaçkit në emër të atdhetarizmit

Sipas analistit Shefik Shkodra, ky sondazh tregon se beteja po vazhdon kundër e në disfavor të Kosovës. "Qytetarët e këtij vendi, me përfundimin e luftës, pjesa më e madhe u kthyen në vatrat e tyre me entuziazëm të papërshkrueshëm. I madh e i vogël ishin në gaz e hare. Shumë krijues të arteve e të letërsisë filluan 'zanatin' e tyre për ta glorifikuar luftën dhe fitoren shekullore nga padroni me ndihmën e NATO -s. Okupatori serb mjaft e shkretërojë këtë popull dhe këtë vend, duke shfrytëzuar ekonomikisht dhe duke përulur moralisht e trajtuar si robin në mesjetë. Këta qytetarë u gëzuan edhe për faktin se tash e tutje i bënë edhe udhëheqësit shqiptarë ata që do t'i votojnë me dëshirë. Do të flitet shqip e do të administrohet e gjithë Kosova në të gjithë lëmenjtë me një barabarësi, me ligje e gjyqe të veta. Do të punësohen e do arsimohen, do të jetojnë në mënyrë të dinjitetshme. Po grupet e 'partive tona', të 'kurdisura' në maje të shtetit, nga ditët e para filluan në mënyrë permanente t'i zhgënjejnë këta qytetarë. Ua shitën vendet e punës, nuk planifikuan vende të reja për punësim. I lanë në rrugë. I 'kurdisën' aferat nëpër institucione. I plaçkitën në emër të atdhetarizmit, për disa reforma, sa për interesa të ngushta, si në arsim. E keqpërdorën buxhetin dhe donacionet. Ndërmarrjet i dëmtuan tërësisht, krejt për interesa të veta. Te këta politikanë nuk mbeti tjetër fjalë, pos mashtrimit të çdo ditshëm, duke i ngashënjyer me 'vizat' e famshme. Do të thotë, nga një popull shumë optimist në vendin e tyre, si na përshkruan të huajt (me siguri, ata e dinin gjendjen më mirë se na), pra masa u zhgënjye tërësisht", është shprehur analisti Shefik Shkodra për "Kosova Sot". Sipas analistit Ali Hertica, në këtë pakënaqësi qytetare dhe përcaktim të tyre në braktisjen e shtetit ka ndikuar mashtrimi për dy dekada që iu është bërë atyre nga politike, gënjeshtrat dhe plaçkitjet e shtetit në interes të xhepave të tyre e në dëm të qytetarit. 

ZEQA: ATË QË NUK ARRITI TA REALIZOJË SERBIA PËR NJË SHEKULL NË KOSOVË, PO E REALIZON TANI PËRMES POLITIKANËVE TË KORRUPTUAR DHE TË SHANTAZHUAR KOSOVARË!

Sipas analistit Florim Zeqa, atë që nuk arriti ta realizojë Serbia për një shekull në Kosovë, po e realizon tani përmes politikanëve të korruptuar dhe të shantazhuar kosovarë."Nënshtrimi dhe shpërngulja e popullatës shqiptare nga trojet e veta etnike ishte qëllim i projekteve afatgjate të pushtuesve shekullorë. Shqiptarët e Kosovës më optimistë dhe me shpresë ishin përgjatë viteve të gjata të okupimit klasik të Serbisë, kur jetën dhe vdekjen i ndante një fije shumë e hollë.Optimizmi i dikurshëm i shqiptarëve është shndërruar në pesimizëm të skajshëm për jetë në shtetin për të cilin u prit gjatë dhe u sakrifikua jashtëzakonisht shumë.Pothuajse gjysma e popullatës shqiptare në Kosovë dëshiron të largohet sa më parë dhe me çdo çmim nga vendi i paperspektivë dhe i pashpresë! Pavarësisht barrierave të vëna nga ana e BE-së, qytetarët e pashpresë të Kosovës, janë duke e braktisur në heshtje vendin e tyre.Pa dyshim, shkaktare e kësaj thyerje të madhe shpirtërore të shqiptarëve është klasa politike shqiptare, e cila për afro 20 vjet rresht e harroi interesin e qytetarëve, duke i shërbyer vetëm interesit të vet", është shprehur analisti Florim Zeqa për gazetën "Kosova Sot".Ai shton se, sot, përballë një popullate të varfër, e kemi një klasë të oligarkëve politikë super të pasur, më të pasurit në rajon dhe ndoshta edhe në kontinentin Evropian!

"Është periudha më kritike e largimit të qytetarëve drejt vendeve të BE-së, që po vërehet tani pothuajse tashmë 19 vjet pas luftës, e që shteti ynë përballet me shumë sfida që si një popullsi e vogël që jemi, e që faza e tranzicionit na zgjati tepër shumë dhe asnjëherë nuk po mund të dalim nga kjo situatë, ku në të gjitha institucionet publike kemi korrupsion, nepotizëm e degradim të tërësishëm dhe e gjitha kjo po reflekton tek qytetari duke marrë rrugën e migrimit nga kjo klasë politike, e cila detyron tani që mbi 48% apo më shumë të qytetarëve të deklarohen se do ta boshatisin Kosovën kurdo që u hapet mundësia. Krejt kjo situatë dhe kjo pakënaqësi e ka një shkaktar si emërues të përbashkët, e si shkaktar kryesor e potencial është kasta politike që solli shtetin dhe ekonominë e shtetit buzë greminës, duke tjetërsuar të gjitha resurset përmes zhvatjes kriminale dhe pa dhënë asnjë rezultat të vetëm të prekshëm për perspektivën e zhvillimit ekonomik të vendit", theksoi analisti Ali Hertica për "Kosova Sot"

"Rrugët e eksodit rifilluan tash, nën udhëheqjen e shqiptarëve e nën padronin që flet shqip, që të zbrazet Kosova prej shqiptarëve, sepse udhëheqja e tyre shqip nuk mund të bëjë zgjidhje për ta në vendin e tyre. Sepse korrupsioni dhe krimi i organizuar nga vetë këta 'prijësit' e këtij vendi nuk lejuan kushte për qytetarët e vet.Tash po rrimë gati, ditën kur do të kemi mundësi për të siguruar udhëtim pa pengesa, sa më shpejt të fluturojmë ku të na shohin sytë! Le të qeverisin 'padronët' e rinj e le të bëjnë lojëra me këtë vend. Kështu e do Serbia dhe aleatët e saj", theksoi analisti Shefik Shkodra për "Kosova Sot"

Qytetarët e anketuar fajësojnë politikën e korruptuar që nuk bëri sa duhet për perspektivën e tyre

Rreth këtij sondazhi dhe rezultatit të tij, gazeta ka anketuar edhe qytetarë rasti, të cilët po ashtu theksojnë se është mungesa e perspektivës në vend, krimi i organizuar dhe korrupsioni që pamundësojnë një jetë të dinjitetshme dhe një vend të sigurt pune, e që i detyrojnë ata të planifikojnë të ikin diku në vendet e zhvilluara të Evropës. Qytetari Sadri Xani thotë se kryesisht humbja e shpresës për të gjetur një vend të sigurt pune bën që rinia dhe kuadrot më të mira të shkolluara ta kërkojnë fatin e tyre jashtë shtetit."Mua ma merr mendja që ky disponim për të dalë jashtë është vetëm paperspektiva. Mungesa e perspektivës për një punësim të sigurt e të qëndrueshëm, sepse pamundësia për t'u punësuar më pastaj po ndikon tek të rinjtë edhe pamundësinë e krijimit të familjeve të reja, pamundësinë e përcaktimit për martesë dhe bashkëshortësi. Problemet ekonomike dihet që po sjellin me vete edhe shumë probleme të tjera edhe më të mëdha dhe unë konsideroj që pikërisht ky është njëri nga problemet kryesore që ndikon te qytetarët që të përcaktohen për të provuar të ikin jashtë vendit dhe të gjejnë një perspektivë më të mirë", theksoi Xani për "Kosova Sot". Sipas Sadri Xanit, për të krijuar mundësi të hapjes së vendeve të reja të punës kërkohet më shumë stimulim për zhvillimin e sektorit privat, pasi ai shtetëror nuk mund të krijojë vende punë të reja. Kushtet e vështira ekonomike dhe mosperspektiva në vend po e detyrojnë qytetarin tonë të ikë jashtë vendit edhe sipas qytetarit tjetër, Avni Breznica."Unë mendoj që kjo pakënaqësi vjen kryesisht për shkak të papunësisë. Pastaj edhe vetë politike po shkon mbrapsht, nuk po shkon mbarë. Për këtë arsye të mungesës së perspektivës, mendoj që të gjitha kuadrot e reja, shumica prej tyre që po specializohen, po dëshirojnë të ikin jashtë, sepse mundësinë e punësimit nuk e kanë askund. Qeveria nuk po i bën kushtet për ta, prandaj unë po mendoj që një ndër shkaqet kryesore të qëllimit të ikjes jashtë vendit është kjo si kryesore, që i nxit dhe i detyron shumicën e të rinjve që ta lëshojnë shtetin e tyre", theksoi Breznica për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)

12 orë e 18 minuta më parë
20/09/18