Prokuroria Speciale nis hetimet për skandalin e 53 milionëve

  • 12 July 2018 - 08:04
Prokuroria Speciale nis hetimet për skandalin e 53 milionëve

Beqiri: 53 milionët që iu falën autostradës janë baras me 2500 pensione të pensionistëve për 10 vjet

"Mendoj që në asnjë mënyrë nuk u ikin përgjegjësive ish-ministri dhe ministri aktual, sepse këtu kemi dyshim për aferë korruptive ose neglizhencë në punë, që në të dyja rastet kanë përgjegjësi dhe duhet llogaridhënie. Nëse ka aferë korruptive, duhet menjëherë procedura për verdikt kapital. Askush nuk ua ka imponuar të bëhen ministra, pra kanë pranuar me dëshirë, kështu që gjithsesi duhet të ketë edhe llogaridhënie. Por, frika ekziston që prokuroria nuk i ka duart e lira që të veprojë e pavarur dhe mendoj që ky rast është testi më i mirë se sa do të ketë pavarësi institucionale", thotë eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën "Kosova Sot" 

P as debatit të fundit në Kuvendin e Kosovës, për skandalin me 53 milionë të paguar në llogari të "Bechtel & Enkas" nga qeveria 'Haradinaj' dhe akuzave e kundërakuzave ndërmjet pushtetit dhe opozitës, është rasti i parë për t'u mbajtur mend që Prokuroria e Shtetit ka vepruar dhe ka filluar proces hetimor, për t'ia mbyllur gojën politikës që të përfitojë poenë me etiketime të ndryshme nga njëra palë kundër tjetër, nga njëri ish- ministër kundër ministrit aktual. Në seancën e kaluar, ku u debatua nga deputetët për këtë temë, ka pasur akuza serioze në mes të partive politike, derisa ministrat, ai parapraku, Lutfi Zharku, dhe ky i tanishmi i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj, po akuzoheshin nga deputetët se kanë ndërmarrë veprime të cilat dëmtojnë rëndë taksapaguesit kosovarë për interesa, të cilat i dinë më së miri ata, duke u pyetur se si u bë që kjo kontratë të nënshkruhet si kontratë sekrete, edhe pse me para të tatimpaguesve kosovarë. Sidoqoftë, për ta mbyllur këtë sherr në mes të partive politike dhe për ta thënë të vërtetën rreth fatit të milionave të paguar nga Qeveria e Kosovës, mbi bazën e kontratës së fshehtë prej 53 milionësh, Prokuroria e Shtetit ka pranuar zyrtarisht për "Kosova Sot" se ka hapur rast hetimor."Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ka hapur një rast, si dhe i ka marrë veprimet e duhura, duke kërkuar nga Policia e Kosovës grumbullimin e provave të nevojshme", theksoi zëdhënësi i PSRK-së, Ekrem Lutfiu, për "Kosova Sot". Mirëpo, njohësit e fushës së ekonomisë e shohin me sy kritik vonesën e veprimit të Prokurorisë lidhur me këtë debat, i cili ka filluar qysh më herët në medie dhe opinion publik, para se të zhvillohej debati në Kuvend me kërkesën e grupeve parlamentare opozitare. Madje ata theksojnë se edhe Prokuroria e Shtetit është dashur që të veprojë pas alarmit të parë në medie, por në një formë nuk ka qenë shumë e interesuar për koston buxhetore, të kundërligjshme, që i është paguar "Bechtel & Enkas" në milionat që për dikë nuk e kanë as vlerën e një gjethi të dushkut.

"Derisa ministri paraprak,Lutfi Zharku, dhe ky i tanishmi i Ministrisë së infrastrukturës,Pal Lekaj,po akuzohen nga deputetët se kanë ndërmarrë veprime që dëmtojnë rëndë taksapaguesit kosovarë,për interesa,të cilat i dinë më së miri ata. Por edhe ata po e akuzojnë njëritjetrin dhe prokuroria duhet ta gjejë të vërtetën e skandalit të kësaj kontrate. Në këtë kontekst duhet të zbërthehen nyja dhe formula… pse e nënshkroi ministri Pal Lekaj një amendament të kontratës,siç ka thënë ai për t'i shpëtuar Arbitrazhit.Është mirë që ka filluar një hetim nga Prokuroria Speciale,por unë mendoj se duhet një hetim i tërë kësaj kontrate,jo i rastit të izoluar,sepse është një kontratë,e cila ka kaluar nëpër tri kabinete qeveritare, prej nënshkrimit të saj në korrik të vitit 2014 e deri më sot",theksoi analisti Bislim Aliu për gazetën "Kosova Sot"

"Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ka hapur një rast, si dhe i ka marrë veprimet e duhura, duke kërkuar nga Policia e Kosovës grumbullimin e provave të nevojshme", theksoi zëdhënësi i PSRKsë, Ekrem Lutfiu, për "Kosova Sot" 

Guraziu: Është dashur të veprohet qysh në daljen në skenë të akuzave e kundërakuzave të para nga dy ministrat

Kritik për veprimin e vonuar dhe me dyshim për epilogun që do të marrë ky skandal është shprehur edhe analisti Ragip Guraziu."Unë mendoj se mekëtë veprim edhe Prokuroria është vonuar së vepruari shumë më shpejt. Mbase edhe tash duket që do jetë veprim i vonuar që mund të zvarritet. Unë mendoj se kontrata e 53-milionëshe e 'Bechtel & Enkas", që nga fillimi prokurorisë nuk i është dukur e mjaftueshme dhe sikur po e priste dyfishimin e saj, shumën prej 126 milionë për veprim! Është dashur të veprohet qysh në daljen në skenë të akuzave e kundërakuzave të para nga dy ministrat, si ai paraprak, Lutfi Zharku, dhe ky i tanishmi i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj, që akoma po akuzohen mes vete, e nga ana tjetër edhe nga deputetët se kanë ndërmarrë veprime që dëmtojnë rëndë taksapaguesit kosovarë, për interesa, të cilat i dinë më së miri ata", është shprehur Guraziu.

BEQIRI: KA EDHE SHUMË VENDIME QË I KA MARRË KJO QEVERI DHE NUK KA DHËNË ENDE LLOGARI

Eksperti tjetër i fushës së ekonomisë, Lulzim Beqiri, i ka thënë gazetës "Kosova Sot" se shteti i Kosovës i dha kompanisë "Bechtel & Enka", e cila po e ndërton autostradën për Shkup, "Arbën Xhaferi", hiç më pak se 53 milionë euro pagesë shtesë, për shkak të vonesave në kryerjen e pagesave.Madje Zeqiri ka bërë një kalkulim të tërë të kostos së humbjes, e që sipas tij do të mund të investohen në fusha të tjera zhvillimore dhe mirëqenien e qytetarëve."Këto 53 milionë, që iu falën autostradës, janë baras me: 2500 pensione të pensionistëve edhe atë për 10 vjet: 2500x70= 21 milionë, 500 shtëpi për skamnorë të mbështetur me nga 20 mijë euro: 500x20,000= 10 milionë, 50 të sëmurë të mbështetur me nga 20 mijë euro: 50x20,000= 1 milion për 5 shkolla nga 3 milionë euro që është super standard: 5x3,000,000.00= 15 milionë, 120 autoambulanca nga 50 mijë euro secila, pra: 120x50,000= 6 milionë.Ka edhe shumë vendime që ka marrë kjo qeveri dhe nuk ka dhënë ende llogari, siç është rasti i rritjes së pagave për kabinetin e kryeministrit.Kostoja e pagave të sektorit publik ka pasoja në politikat monetare dhe fiskale në Republikën e Kosovës dhe këto të fundit kanë gjithashtu një ndikim thelbësor mbi pagat e sektorit privat.Ky ndikim mund ta rrezikojë konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe, nëpërmjet peshës së inflacionit, mund ta vërë në rrezik stabilitetin makroekonomik", theksoi Beqiri për "Kosova Sot".

KADRIAJ: EKZISTON MUNDËSIA QË PROKURORIA NUK I KA DUART E LIRA TË VEPROJË E PAVARUR

Njohësi i fushës së politikës së ekonomisë, Mustafë Kadriaj, theksoi për "Kosova Sot" se rasti i 53 milionë eurove, që i janë dhuruar "Bechtel & Enkas" në emër të obligimit, gjoja për dështim në mospërmbushje të kontratës nga institucionet tona, do të duhej të vërtetohej menjëherë nga një hetim pavarur, nga Prokuroria e Shtetit, pa ngarkesa politike, duke e investiguar gjithë kontratën dhe pse ka ardhur deri këtu."Tani e tutje nuk kemi nevojë për debate shterpë në Parlament, kështu që prokuroria dhe drejtësia në vend duhet të kryejnë detyrat e veta konform ligjeve në fuqi. Pra, duhet të sqarohet ish-ministri pse kanë dështuar në mospërmbushjen e kontratës ndaj kontraktorit dhe njëherësh pse ministri aktual u ngut t'ia bëjë pagesën kompanisë ku për atë dështim nuk është fajtor ministri aktual. Mendoj që në asnjë mënyrë nuk iu ikin përgjegjësive ish-ministri dhe ministri aktual, sepse këtu kemi dyshim për aferë korruptive ose neglizhencë në punë që në të dy rastet kanë përgjegjësi se duhet llogaridhënie. Nëse ka aferë korruptive, duhet menjëherë procedura për verdikt kapital. Askush nuk ua ka imponuar të bëhen ministra, pra kanë pranuar me dëshirë, kështu që gjithsesi duhet të ketë edhe llogaridhënie. Por, frika ekziston që prokuroria nuk i ka duart e lira të veprojë e pavarur dhe mendoj që ky rast është testi më i mirë se sa do të ketë pavarësi institucionale", theksoi analisti Kadriaj për "Kosova Sot".

Haziri: Uroj që prokuroria ta ketë marrë seriozisht skandalin

Analisti i politikës, Arsim Haziri, theksoi për "Kosova Sot" se skandali i kësaj kontrate tregon se jorastësisht Kosova është në situatën aktuale, ku ballafaqohet rëndë me shumë parregullsi që po i gërryejnë themelet e shtetit. "Kontrata në fjalë vërtet ka shpërfaqur edhe më shumë masën e hipokrizisë, të cilën politikanët tanë e kanë mjaft të shprehur. Konsideroj se publikimi i kontratës nuk do të ndodhë, pavarësisht se mund të kërkohet nga deputetët aktualë, pasi vetë institucionet publike janë të kapura", është shprehur ai. Haziri shton se pasi që me këtë temë ka filluar të merret Prokuroria Speciale, uroj që ta ketë marrë seriozisht dhe së paku drejtësia të tregohet krejtësisht transparente dhe ta bëjë gjykimin e drejtë të këtij rasti."Sidoqoftë, nënshkrimin e kontratës askush prej udhëheqësve nuk ka interes ta hetojë, pavarësisht se është duke u shtypur taksapaguesi i Kosovës - qytetari. Ata aty ku e kanë leverdinë asnjëherë nuk e kanë gatishmërinë për të mbrojtur interesin dhe dinjitetin qytetar. Politikës sonë asnjëherë nuk i ka paraqitur shqetësim shkelja e buxhetit qytetar, ata gjithnjë e më shumë janë duke e dinamizuar ambiciet e tyre të sëmura politike. Këtu fajtorë objektivë janë dy qeveritë, respektivisht dy ministrat e këtyre dy qeverive, prej tyre do të duhej të kërkohej llogari dhe transparencë në mënyrë që buxheti shtetëror të mos keqpërdoret. Meqenëse Prokuroria ka hapur rast, urojmë të mos e mbyll duke amnistuar fajtorin", është shprehur Haziri për "Kosova Sot". Ai shton se uron që tani politika ta lë drejtësinë të punojë e pavarur, si në shumë skandale të tjera milionëshe, por më në fund përgjegjësit të dalin para drejtësisë dhe ta marrin ndëshkimin meritor. Analisti Bislim Aliu u shpreh për gazetën "Kosova Sot" se pas debatit të fundit në Kuvendin e Kosovës, Prokuroria nuk duhet të vonohet që të ndërmarrë veprimet e veta konkrete të hetimit dhe eventualisht ngritjes së aktakuzës përkatëse për të shkelurat ligjore dhe dëmet që mund të rrjedhin nga kontrata 53 milionëshe e "Bechtel & Enkas", e cila nga Ministria e Infrastrukturës po vazhdon të fshihet. Gazeta i ka dërguar pyetje edhe Ministrisë së Infrastrukturës, por nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës së djeshme.

(Kosova Sot)