Vjen reagimi i parë nga Kosova për ndalimin e flamurit në stadiumet ruse

  • 16 July 2018 - 12:57
Vjen reagimi i parë nga Kosova për ndalimin e flamurit në stadiumet ruse

Pas ndalimit që iu bë flamurit të Kosovës në stadiumet ruse, kështu duke e krahasuar me atë të ISIS’it, koordinatori për kulturë, rini dhe sport, Rexhep Hoti, ka reaguar ashpër ndaj kësaj ndalese nga autoritetet ruse.

Koordinatori për kulturë, rini dhe sport, Rexhep Hoti, ka shkruar se me keqardhje ka marrë lajmin për ndalimin e valëvitjes së flamurit të Republikës së Kosovës në Kampionatin Botëror të Futbollit Rusia 2018.

Flamuri i Kosovës ka hyrë në listë për ndalesë bashkë me flamurin e grupit terrorist, ISIS.

“Me keqardhje mora lajmin për ndalimin e valëvitjes së flamurit të Republikës së Kosovës në Kampionatin Botëror të Futbollit Rusia 2018, ani pse FIFA u lejon 211 anëtarëve të saj përdorimin e flamujve, pjesë zyrtare e së cilës është edhe vendi ynë”, ka shkruar Hoti.

Hoti ka thënë se edhe më shqetësuese është se flamuri i Republikës sonë është renditur në të njëjtën listë me flamujt e organizatave terroriste.

Ai ka kujtuar kur flamuri i Kosovës u shfaq në Rusi, atëherë kur Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e Artë.

“Nuk dua t’i kujtoj Këshillit Organizativ të Botërorit në Rusi, se jo shumë kohë më parë, aty u valëvit flamuri i shtetit tonë kur fituesja e medaljes së Artë e Kampionatit Botëror dhe Olimpiadës, Majlinda Kelmendi, u shpall Kampione Evropiane e Xhudos, pikërisht në Rusi”, ka shkruar Hoti

Ai ka thënë se kjo ndalesë është kryekëput politike dhe e papranueshme për botën e sportit kudo në botë. Madje, e ka dënuar fuqishëm aktin e ndërhyrjes së politikës në sport.

“Sportistët e Republikës së Kosovës vetëm për një dekadë të ekzistencës së shtetit të pavarur e sovran, i dhuruan spektakël të jashtëzakonshëm mbarë botës. Ata nuk e meritojnë që identiteti i tyre i ligjshëm dhe legjitim të dhunohet në forma të papranueshme politike”, ka shkruar në facebook, Rexhep Hoti.

(Kosova Sot)