A janë këto vrasjet, të cilat Armend Zemaj ia përmendi në Kuvend Daut Haradinajt?

  • 16 July 2018 - 17:59
A janë këto vrasjet, të cilat Armend Zemaj ia përmendi në Kuvend Daut Haradinajt?

Një debat i ashpër është zhvilluar në seancën e fundit të Kuvendit të mbajtur të Enjten.

Debati i ashpër është zhvilluar mes deputetit të LDK-së, Armend Zemaj dhe atij nga AAK, Daut Haradinaj, ku ky i fundit madje ia goditi edhe mikrofonin deputetit të LDK-së.

Ishte deputeti i AAK-së, njëherit edhe vëllai i kryeministrit Ramush Haradinaj, Dauti ai i cili hodhi akuza në drejtim të LDK-së, duke akuzuar për aleanca me Serbinë.

“Unë e kuptoj që ka aleanca të brendshme mes serbëve dhe LDK-së. Por më çudit fakti që deputetët e LDK-së në komision kanë votuar për, dhe Lutfi Zharku, Besa Gaxherri kanë votuar për. Liburn Aliu e ka kryesuar këtë grup punues. Sa për informacion, dua t’iu them që ky ligj, Liburn nëse e kam gabim thuama, por ky ligj atakon mbi 73 për qind të qytetarëve të Kosovës dhe tash jemi duke folur për procedura. Por disa individ çuditërisht e vazhdojnë traditën e vjetër edhe shumë jam i lumtur që VV ka krijuar me LDK-në aleancë të fshehtë”, u shpreh Haradinaj.

Ndërsa, Zemaj iu kundërpërgjigj duke thënë se Haradinaj paska parë ëndërr.

“Ne nuk ishim duke e shqyrtuar përmbajtjen e amendamenteve, dhamë qëndrim politik, por ky zotëria qenka zgjuar jerm dhe nuk e diti as për çka jemi duke folur, as çka jemi duke paraqitur këtu. Po flet për disa aleanca, disa takime në Bruksel, sigurisht ka parë ndonjë ëndërr të keqe është mirë ta shpjegoj, por këtu jemi në Parlament”, u shpreh të enjten Zemaj.

E Haradinaj nuk e ndali debatin me Zemajn.

““LDK në komision ka qenë për, ka votuar për, Besa Gaxherri, Lutfi Zharku. Nëse ky zotëria në fjalë nuk është konsultuar me anëtarët e Komisionit dhe i vlerëson të parëndësishëm deputetët e vet unë nuk di qysh ka me i ditë ky. Por nuk me çudit fakti qysh ky nuk e din, unë e di vetëm një fakt, se janë të shqetësuar sepse po presin diçka tjetër, por ka vdekur Jugosllavia, zoti të lashtë shëndosh Armend”, theksoi Haradinaj.

E kjo bëri që deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, t’ia kujtojë vrasjet dhe haraqin Daut Haradinajt.

“Desha ti them Kamishit se qëllimi i LDK-së nuk është as paraja as nuk është grabitja  as dhuna as vrasjet, as mashtrimi as shkatërrimi, e çështjet e atfhedashurisë do ti tregoj koha , nuk e kem problem atë punë na. Ju po mundoheni ti imponoheni opozitës me logjikën e pozitës, dhe kjo është gabim. Hyni në votim, nëse i keni votat mirë nëse jo e leni. Mirëpo me tentu me i tregu opozitës se si me votu, e çka me ba, e keni gabim Kjo është ndërhyrje, kërcënim e abuzim”, ka thënë Zemaj.

Por a janë këto vrasje të ndodhura në rajonin e Dukagjinit,  për të cilat Haradinaj ishte dënuar me burg ato të cilat ia kujtoi Zemaj deputetit të AAK-së?

Kujtojmë se Daut Haradinaj ishte dënuar me 5 vite burg, dhe grupi i njohur si “Grupi i Dukagjinit”, pjesë e të cilit ishte Haradinaj, ishin dënuar me gjithsej 31 vjet burg për vrasjen e Bashkim Balajt me 3 bashkëluftëtarë tjerë në rajonin e Dukagjinit.

Sipas asaj që ka paraqitur prokuroria në gjykimin e “Grupit të Dukagjinit”, si rezultat i veprave nga Haradinaj dhe ky grup kishte vdekur Bashkim Balaj, ndërsa viktimave të tjera, Sinan Musajt, Rexhë Osajt dhe Ramë Idrizit, thuhej se iu ishin shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe nuk janë gjetur asnjëherë; kurse Vesel Muriqi kishte arritur të arratisej.

E Haradinajn për këto vrasje e kishte akuzuar edhe Donika Gërvalla, e bija e heroit të kombit, Jusuf Gërvalla.

“Po Rexhë Osajn, ushtarin e Presidentit Rugova, si e kujton ky vrasës. Edhe atë me shumë dhimbje? Zgjedhjet në Kosovë e marrin kuptimin e plotë vetëm atëherë kur ligji ia ndalon kandidimin gjithkujt që është i dënuar për një vepër të konsiderueshme penale, e aq më tepër dikujt që është i dënuar për vrasje. Gjithçka tjetër është thjesht farsë”, kishte shkruar Gërvalla në faqen e saj në facebook.

E Haradinaj, në atë kohë kishte thënë se ka respekt për familjen Gërvalla.

“Unë krejt çfarë mundem me thanë është se kam respekt të veçantë për familjen Gërvalla”, ka thënë Haradinaj, duke mos dashur të komentojë me shumë rreth asaj që kishte deklaruar Gërvalla.

Kujtojmë se në këtë legjislaturë shumë herë edhe kryeministri i Kosovës, vëllai i Dautit, Ramush Haradinaj është përfshirë në debate të shumta me deputetët e LDK-së.

(Kosova Sot)