Thaçi shkel mbi dëmet e luftës dhe hisen e Kosovës në ish-RFJ

  • 17 July 2018 - 07:41
Thaçi shkel mbi dëmet e luftës dhe hisen e Kosovës në ish-RFJ
ALARMOJNË ANALISTËT: PRESIDENTI I KOSOVËS NDJEK AGJENDËN  të cilit edhe tani po paraqiten pretendime territoriale të Serbisë ndaj Kosovës

"Si i tillë çfarë është, delegacioni i Kosovës edhe sot nuk do të jetë në gjendje të rrisë nivelin e bisedave me Serbinë në nivel shtetëror, pra në tavolinën e bisedimeve, sikurse deri më tani, nuk do të ketë guximin të kërkojë pasurinë e Kosovës në ish-Jugosllavi, dëmet e luftës, përmes së cilave do të mund të amortizohej politika serbe deri në atë masë sa të kërkojë zgjidhje kompromisi me Kosovën. Presidenti Thaçi, i vetëzgjedhur kryenegociator i fazës finale të bisedimeve me Serbinë në Bruksel, këto ditë është i fokusuar në blerjen e opozitës së përçarë kosovare, në mënyrë që t'ia sigurojë vetes nënshkrimin e marrëveshjes finale me Serbinë, gjë e cila mund të ketë edhe pasoja të rënda për të ardhmen e Kosovës", thotë analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot"

Futjen e shtetit të Kosovës në fazën e re të bisedimeve me Serbinë, pa një platformë të diskutuar në rrafshin gjithëpërfshirës politik në Kuvend, madje edhe duke u përfaqësuar nga presidenti, mandati i të cilit po kontestohet deklarativisht nga subjektet politike opozitare, analistët, por edhe qytetarët e shohin me shumë rrezik. Sipas tyre, finalja e bisedimeve mund të jetë në dëm të interesit të Kosovës, duke mos qenë fare në gjendje pala kosovare që të rrisë nivelin e bisedave me Serbinë, por të fokusohet vetëm në çështjet e brendshme të temave të imponuara nga Serbia dhe faktori ndërkombëtar. Analistët kërkojnë që të hartohet një strategji nacionale, e ku në mes tjerash do të futej si temë edhe kërkimi me këtë dialog i pasurisë së Kosovës në ishJugosllavi, të kërkohen me këmbëngulje dhe dëmet e luftës, përmes së cilave kërkesa do të mund të amortizohej thellësisht politika serbe. Procesi i deritanishëm i këtyre bisedimeve të zhvilluara nga politika kosovare po cilësohet nga analistët një rrugë pa krye dhe pa platformë të bisedimeve, duke e ulur tej mase peshën e bisedimeve dhe e cila është realizuar gjithmonë në favor të Serbisë. Derisa nuk ka kundërshtim të fuqishëm opozitar të këtij procesi, analistët druajnë se ndërkohë presidenti Thaçi mund të arrijë që ta blejë edhe një pjesë të opozitës së përçarë, që t'ia sigurojë vetes nënshkrimin e marrëveshjes finale me Serbinë, që mund të ketë edhe pasoja të rënda për të ardhmen e Kosovës. Nga ana tjetër, kundërshtimi i vazhdueshëm i këtyre bisedimeve në krye me Hashim Thaçin nga opozita, por pa veprime konkrete, duke u fokusuar veten në rolin prijës të Hashim Thaçit , nga analistët e politikës po shihet vetëm një zhurmë për poenë elektoralë, pasi opozita nuk po arrin që ta shfrytëzojë fuqinë e votës për ta ftuar presidentin në Kuvend dhe për ta diskutuar këtë temë kulmore të interesit historik shtetëror.

Opozita t'i hapë sytë Analisti politik Shefik Shkodra thotë se është dashur që ekipi ynë të shtrojë kërkesat reale e të drejta dhe me këto kërkesa që janë përmendur, si kthimi i të pagjeturve, kthimi i pasurisë (gjithmonë është shfrytëzuar Kosova për gati një shekull) etj. dhe një mori kërkesash shumë legjitime, përfaqësuesi i Serbisë do të ishte në disfavor për kërkesat që po i bën shumë të padrejta. "Nuk shihet nga bisedimet në Bruksel se ka diçka të ofruar pozitivisht për Kosovën. Si të mos ishte biseduar fare, sikur këto biseda janë bërë vetëm që Serbia të 'rehabilitohet', sikur është dashur që Serbisë t'i bëheshin koncesione, e sikur shqiptarët të ishin fajtorë për çdo gjë në luftën tonë për liri. Parlamenti i Kosovës duhet ta ngrisin çështjen e bisedimeve. Ata duhet të marrin qëndrim si do të përfundohet çështja. Parlamenti duhet të bëjë zgjedhjen e një komisioni në përbërje të zgjeruar e me ekspertë të qëlluar", u shpreh ai. "Opozita duhet t'i hapë sy e veshë, kjo çështje nuk është veç sa për t'u sharë në mes veti e sa për t'i marrë ato paga e mëditje, pa u interesuar për fatin e Kosovës seriozisht. Nesër të gjithë do të jenë përgjegjës, për të mirë e për të keq. Askush nuk do të ketë arsye e as nuk do të ketë mundësi të fshihet në 'mrizet' e tyre, pozitë- opozitë", vijoi më tej Shkodra për "Kosova Sot". Ndërsa, sipas analistit politik, Ali Hertica, situata në të cilën po kalojnë shteti dhe qytetarët e Republikës së Kosovës ka ardhur si pasojë e politikëbërësve që e sollën këtu shoqërinë e përvuajtur. "Po të ishte një strukturë e lartë intelektuale në të gjitha grupet e interesit politik për vendin, në ç'do hap të bisedimeve do të kërkohej ajo që është ligjërisht e drejtë dhe e patjetërsueshme për shtetin e Kosovës nga Serbia. Por liderët politikë nuk po merren me këto çështje për ta amortizuar Serbinë. Nuk po i kërkojnë pasuritë e përbashkëta që i kanë pasur në ishJugosllavi, që i ka uzurpuar padrejtësisht shteti serb, edhe pse Kosova ishe pjesë e Jugosllavisë me autonominë që kishte dhe kishte hisen e vet të pasurisë së saj", potencoi ai."Të gjitha takimet e bisedimeve me Serbinë, që janë zhvilluar deri më tani, nga asnjë lider politik apo grup nuk janë përdorur për t'i aktualizuar këto tema, sepse kanë shkuar të papërgatitur dhe pa platformë politike e shtetërore kundër Serbisë. Thjesht kanë shkuar vetëm me duar në xhepa dhe kështu e kanë ulur edhe peshën e bisedimeve", vlerësoi Hertica për "Kosova Sot".

ZEQA:POLITIKA KOSOVARE NË DIALOG ME SERBINË KA QENË PA KRYE DHE PA PLATFORMË TË BISEDIMEVE!
Analisti politik Florim Zeqa ka thënë për "Kosova Sot" se e vërteta është se negociatorët kosovarë në bisedimet me Serbinë në Bruksel asnjëherë nuk kanë qenë në nivelin e përgjegjësisë shtetërore, si në aspektin formal ashtu edhe atë praktik."Hyrja e Kosovës në bisedime si palë e pabarabartë, gjegjësisht si subjektivitet nën Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, e jo si shtet i pavarur, përkatësisht me fusnotë* e pa Republikë, e ka bërë Serbinë superiore në të gjitha takimet, duke e trajtuar Kosovën herë si provincë (krahinë) e herë si koloni të saj! Nga fillimi i bisedimeve e deri më sot, politika kosovare në dialog me Serbinë ka qenë pa krye dhe pa platformë të bisedimeve, duke e ulur tej mase peshën e bisedimeve, të cilat janë realizuar gjithmonë në favor të Serbisë", u shpreh ai. "Si i tillë çfarë është delegacioni i Kosovës edhe sot nuk do të jetë në gjendje të ngrit nivelin e bisedave me Serbinë në nivel shtetëror, pra në tavolinën e bisedimeve, sikurse deri më tani, nuk do të ketë guximin të kërkojë pasurinë e Kosovës në ish-Jugosllavi, dëmet e luftës, përmes së cilave do të mund të amortizohej politika serbe deri në atë masë sa të kërkojë zgjidhje kompromisi me Kosovën", vijoi më tej ai. "Presidenti Thaçi i vetëzgjedhur kryenegociator i fazës finale të bisedimeve me Serbinë në Bruksel, këto ditë është i fokusuar në blerjen e opozitës së përçarë kosovare, në mënyrë që t'ia sigurojë vetes nënshkrimin e marrëveshjes finale me Serbinë, gjë e cila mund të ketë edhe pasoja të rënda për të ardhmen e Kosovës", ka thënë Zeqa."Kundërshtimi i zbehtë i opozitës kosovare për rolin prijës të Hashim Thaçit në bisedimet me Serbinë, është vetëm një zhurmë për poenë elektoralë, pasi opozita nuk po arrin që ta shfrytëzojë fuqinë e votës për ta "kryqëzuar" presidentin në Kuvend, për ta kushtëzuar me tema kulmore të interesit strategjik për Kosovën, ose ta bëjë shkarkimin e tij dhe ndërprerjen e menjëhershme të dialogut final (fatal) me Serbinë, derisa kjo e fundit të njohë pavarësinë e shtetit tonë, e bashkë me këtë edhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht", tha Zeqa për "Kosova Sot".

BADALLAJ: HASHIMI I BROJËS DERI MË TANI ËSHTË FOKUSUAR VETËM PËR SHPËTIMIN E BISHTIT DHE LËKURËS SË TIJ
Analisti Reshat Badallaj ka thënë për "Kosova Sot" se personalisht nuk e beson se ky delegacion, në krye me Hashim Thaçin, do të kërkojë nga Serbia kompensim për dëmet e luftës, sepse ka dëshmuar deri tani se është paraqitur shumë but dhe dobët, sepse lufta nuk ka përfunduar dje. "Hashimi i Brojës deri më tani është fokusuar vetëm për shpëtimin e bishtit dhe lëkurës së tij. Kosova ka shumë për të kërkuar dhe duhet vërë kushte Serbisë fashiste, por mjerisht ky grup turistësh nuk e bën dhe nuk e hap këtë temë. Është shumë e vërtetë se politika që ka udhëhequr këta turistë ka qenë pa krye dhe pa fije platforme dhe kjo ka bërë që Kosova ka humbur shumë në bisedime, por këtu ka edhe një gjë, se këta kanë qenë të papjekur, të papërgatitur dhe kjo ka ndikuar që Kosova të bjerë në gjunjë krejt me fatin e këtij grupi turistësh që vetëm një Zot e di se sa i ka kushtuar buxhetit të shtetit", theksoi ai. Badallaj thotë se Hashimi ka rrezik që në fund do të arrijë ta fitojë besimin e opozitës së përçarë për ta kaluar marrëveshjen finale në Kuvend, edhe pse ajo mund të jetë kobshme dhe e dëmshme për Kosovën. "Paraja dhe karrigia është në gjendje tani për tani çdo gjë me bërë në Kosovë. Lehjeve të kësaj bande që të mos jetë bajraktar Hashimi i Brojës nuk u beson askush. Do të jap ca fakte shumë të rëndësishme se vetëm leh kjo bandë; Hashimin e Brojës e kundërshtuan në Rambuje, e kundërshtuan në Vjenë, e kundërshtuan edhe për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe ky i lindur për mashtrime e mori bajrakun dhe e lexoi edhe deklaratën e pavarësisë, duke e lënë aut Fatmir Sejdiun. E bëri këtë sepse njeriu lind për diçka, e Hashimi i Brojës është i lindur për dredhi, matrapazllëk dhe për t´ia futur pykat të tjerëve. Mirëpo do të vjen dita që do t´i paguajë të gjitha", tha Reshat Badallaj. "Mendoj se Hashimi i Brojës do të blejë më në fund "bandën" e përçarë, sepse nuk ka kush besim në këto banda, qoftë të pozitës, qoftë të opozitës. Këta janë dëshmuar se vetëm lehin, ndërkaq ndryshe veprojnë dhe këto banda banditësh mbajeni mend se si do të arsyetohen: 'Për interesa të vendit u bashkuam", tha Reshat Badallaj për "Kosova Sot".

KELMENDI: NDARJA E KOSOVËS ËSHTË DUKE U BËRË REALITET Profesori universitar Muhamet Kelmendi tha për "Kosova Sot" se raportet e Kosovës me shtetin okupues serb janë zhvilluar pothuajse vazhdimisht dhe kryesisht nga një grup i njerëzve të paditur si dhe të shantazhuar, prandaj nga ato bisedime të deritanishme ka përfituar vetëm pala serbe dhe ka humbur thellësisht Kosova. Sipas tij, tani rreziku serioz është që me këtë qasje të tanishme politike ndaj vazhdimit të këtyre bisedimeve për fazën finale Kosova të vazhdojë të mbetet në defensivë dhe shteti të vazhdojë të rrezikohet akoma edhe më shumë me humbje të reja të pariparueshme. "Filluan bisedimet gjoja për çështjet teknike dhe me një veprim tipik nënshtrues, u kalua në çështjet e brendshme të Kosovës. Në fakt kurrë nuk pati bisedime për çështjet që i zgjidhin përfundimisht problemet shqiptaro-serbe. Ato u krijuan për ta bërë Serbinë bashkëqeverisëse në Kosovë. Këtë politikë e ndoqën Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Dhe kjo po ndiqet aktualisht nga Qeveria dhe Hashim Thaçi. U bë shteti serb bashkë qeverisës. Atij iu mundësua organizimi politik me Listën Serbe, iu dhanë komunat dhe tani edhe krahina", theksoi ai. "Prishtina bëri këtu gabime të pa falshme që në fjalorin popullor lirisht mund të kualifikohen si tradhti. Asnjë temë nuk u kap që i zgjidh problemet. Kur e them ketë mendoj në këto tema: 1. Përgjegjësinë penale për krimet dhe gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë; 2. Dëmshpërblimin e dëmit material dhe moral; 3. Ndarjen e pasurisë së ish shtetit; 4. Rikthimin e të gjitha kufomave të varrosur në Serbi; 5. Përgjegjësinë për dëbimin e 1 milion shqiptarëve; 6. Njohjen reciproke të çështjeve minoritare dhe 7. Njohjen e shtetit të Kosovës si realitet i ri i krijuar nga ajo luftë e pa barabartë me fajin e shtetit gjenocidal serb", tha prof. Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas tij, rolin prijës në këtë agjendë të gabuar e ka pasur pa dyshim presidenti i tanishëm Thaçi, prandaj edhe tani, kur po tenton me çdo kusht që ta ruajë atë pozitë, Kosova vetëm do të thellojë humbjet në raport me Serbinë."Duke i lënë këto anash, Hashim Thaçi e shndërroi Kosovën në vend ndaj të cilit edhe tani po paraqiten pretendime territoriale të Serbisë ndaj Kosovës. Jo vetëm kjo, por e bëri jo funksional edhe pushtetin shtetëror, duke lejuar që me format e vendosjes me 2/3 e minoritetit serb, në fakt, asgjë të mos funksionojë në Parlamentin e Kosovës, kur bëhet fjalë për temat e mëdha të interesit shtetëror. Tërë këtë marifetllëk e bëri grupi i Hashim Thaçit dhe i Isa Mustafës. Tash po ata me ato dy grupe do të vazhdojë rruga e njëjtë ndaj Kosovës. Këtë duhet ndalur", potencoi Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas tij, me pushtetin aktual dhe me këtë opozitë, e cila de-fakto e ka legjitimuar tërë politikën kundruall Serbisë nuk ndalen të këqijat ndaj vendit tonë."Ndarja e Kosovës është duke u bërë realitet. Tash po ndërtohet edhe muri midis Mitrovicës. E ndarje më të qartë nuk ka. Tani priten kryesisht veprime që e shndërrojnë veriun dhe Kosovën në një përbërje politike e organizative të ashpër dhe me dy shtete që do të ekzistojnë. Prandaj, kjo nuk duhet lejuar", ka thënë më tej Kelmendi. "I takon popullit të reagojë, sepse tjetër mundësi nuk ka vendi. Kuvendi nuk ka fuqi dhe as pozita e opozita. Këto të gjitha bashkërisht janë përgjegjëse për gjendjen e krijuar. Dhe, nëse nuk veprohet shpejt e me masa demokratike të kundërshtimit qytetar, ndarja dhe copitmi i Kosovës është akt i kryer dhe i pandashëm, sepse me Hashim Thaçin në ballë të delegacionit nuk priten rezultate pozitive", tha Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

Qytetarët, mosbesues ndaj negociatorëve kosovarë Gazeta ka intervistuar edhe qytetarë rasti lidhur me këtë situatë, të cilët nuk e shohin aspak kompetente këtë përbërje të tanishme të përfaqësimit të Kosovës në bisedime me Serbinë dhe nuk besojnë që ekipi në krye me presidentin Thaçi do të aktualizojnë çështjen e pasurive të Kosovës nga ishJugosllavia, që i ka vjedhur dhe okupuar shteti serb, por as aktualizimin e dëmeve të luftës dhe të viktimave. Një bindje të tillë të plotë e ka profesor Isuf Musliu, i cili mendon se ky proces po drejtohet krejtësisht nga njerëzit e paditur, që fillimisht nuk dinë dhe pastaj as nuk duan të prekin tema serioze të mbrojtjes së interesit nacional të shtetit të Kosovës. "Nuk kërkohet asgjë nga ato pasuri të trashëguara nga ish- Jugosllavia dhe as dëmet e luftës për shkak të politikanëve tanë të dobët, jo vigjilentë, që janë shkurtpamës, që nuk i analizojnë gjërat para se të fillojnë këto procese, sepse së pari është dashur të hartohet strategjia nacionale dhe të vihen kushtet konkrete për t'u futur në këto bisedime. Në rend të parë është dashur të nxirren dëmet e luftës ndaj kësaj popullate që i është bërë. Po theksoj dëmet e luftës, sepse të gjitha të tjerat shkojnë me luftim, pasuria është vjedhur në të gjitha fushat, krejt pasuria, janë vjedhur e plaçkitur bankat, është vjedhur me një fjalë krejt Kosova. Të gjithë e dimë që këtu janë vjedhur edhe kufomat, janë vjedhur trupat dhe jetët e njerëzve. Prandaj, këtu dhe nga ky shtet, nga këta njerëz, është dashur të kërkohet qëmoti kthimi i pasurisë së vjedhur, ndarja e pasurisë së trashëguar nga ish-Jugosllavia, kompensimi i dëmeve të luftës dhe zbardhja e fatit të të gjitha viktimave. Kjo nuk është bërë deri më tani, por do të duhej insistuar e kërkuar edhe tani e sot e kësaj dite, sepse kurrë nuk është vonë", u shpreh ai. "Edhe pse thonë që drejtësia e vonuar nuk është drejtësi, por ne edhe sot duhet kërkuar dhe duhet bërë kusht për të vazhduar tutje në këtë dialog për bisedime. Dhe, kur këto tema bëhen kusht për bisedime duhet që së pari të fillojnë të zbatohen të gjitha ato që janë nënshkruar deri më tani, sepse asnjë prej tyre deri më tani nuk është zbatuar. Unë personalisht nuk e di dhe nuk mund të them se diçka nga ato marrëveshje të deritanishme është zbatuar, diçka prej tyre. Prandaj, duhet që ato fillimisht të zbatohen dhe të kërkohen këto temat tjera, sepse janë të domosdoshme për t'i nxjerrë në rend të parë për këtë popullatë. Mirëpo, politikanët tonë nuk dinë, janë për këtë punë ata që e kanë marrë përsipër këtë proces. Këta as nuk duan të dinë, prandaj edhe nuk duan ta bëjnë atë punë si duhet, prandaj këtu është problemi e një pjesë të fajit e ka populli, sepse është ky popull që i ka zgjedhur dhe ua ka mundësuar të jenë në ato pozita", tha Musliu për "Kosova Sot". Po aq mosbesim në këta njerëz dhe në këtë qasje ndaj fazës së re të dialogut ka edhe qytetari tjetër, Ismet Munishi. "Nuk mund të pres që këta njerëz do të bëjnë diçka që shkon në interes të mbrojtjes së shtetit dhe lirisë që e kemi fituar, në këto bisedime me Serbinë, derisa nuk po arrijnë që si klasë politike e përfaqësuar në Kuvend, me votën tonë të arrijnë konsensus për temat e bisedimeve dhe vijat e kuqe, përtej së cilave nuk mund të kalohet në kompromise. Derisa Presidenti del e thotë që nuk do të ketë vija të kuqe në bisedimet me Serbinë, atëherë çfarë mund të presim ne nga këto bisedime. Mendoj se në këtë proces Kosova po rrezikon të futet në një kohë të rrezikshme të kompromiseve të reja, me njerëz të paqëlluar dhe me një kastë politike të pakoordinuar, e cila nuk po sheh përtej interesave vetjake", theksoi Munishi për "Kosova Sot". Sipas tij, është e turpshme për pozitën që niset e vetmuar në këtë proces, por është po aq e turpshme dhe për opozitën që nuk e merr guximin t'i ftojë qytetarët në protesta kundër këtyre kompromiseve që mund të na ndodhin, por bëjnë kundërshtime vetëm sa për ta mbajtur aktiv elektoratin e vet, që nuk është elektorat real, por vetëm një klientelë e ngushte, sepse besimi po humbet dita-ditës te të gjitha këto parti. 

(Kosova Sot)