Pushtetarët vjedhin haptas, DREJTËSIA NUK GUXON T'I PREKË

  • 17 July 2018 - 07:49
Pushtetarët vjedhin haptas, DREJTËSIA NUK GUXON T'I PREKË
"Prokurorët e kanë vetëm një detyrë: të heshtin dhe të ndjekin ndonjë varfanjak larg qarqeve të vendimmarrjes Kjo situatë mund dhe duhet të ndryshojë vetëm me ardhjen në skenën politike e vendimmarrëse të njerëzve me duar të pastra", thotë ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni për "Kosova Sot"

S hkapja e shtetit nga krimi dhe korrupsioni në nivelin më të lartë nuk mund të ndodhë me sistemin aktual të drejtësisë, pasi politika dhe grupet e interesit kontrollojnë të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë në vend, konkretisht gjyqtarët dhe prokurorët, thonë analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë. Kështu që politikanët nuk frikësohen nga prokurorët. Prokurorët janë pozicionuar me vendime politike dhe tani këto vendime ua mundësojnë politikanëve që t'i shantazhojnë dhe mbajnë nën kontroll,theksojnë analistët, ekspertët dhe njohësit e fushës së drejtësisë në vend. Sipas tyre, në këto kushte është shumë e vështirë dhe e pashpresë që për një kohë të shkurtë të ngrihet një brez i ri, i cili ta bëjë ndryshimin duke vënë rend dhe rregull në shtetin e Kosovës. Shteti plaçkitet, mungojnë alternativat Shkapja e shtetit, ka pohuar analisti dhe njohësi i fushës së drejtësisë, Blerim Burjani, nuk mund të ndodhë në këtë periudhe të zhvatjes dhe plaçkitjes se pasurive publike dhe keqpërdorimit të buxhetit të shtetit. Burjani ka thënë se është periudha më e rëndë për Kosovën, për shkak të një qeverisje shkatërruese. Kjo klasë e paedukuar dhe feudale, vazhdon më tej eksperti Burjani, do të rrisë problemet dhe zgjidhja varet nga qytetarët, duke shtuar se pa ndonjë lëvizje të re politike nuk ka zgjidhje objektive dhe triumfuese të demokracisë."Pra, pa ndonjë zhvillim të ri politik nuk shohë shkapje. Pakënaqësitë po rriten, ndërsa nuk po ka lëvizje dhe ide të reja", ka potencuar Burjani. Andaj, ka potencuar më tej ai, nuk po shihet se është duke u paraqitur ndonjë fenomen i ri demokratik shpresëdhënës edhe përpjekjet që priten të ndodhin. .

PRETENI: POLITIKANËT NUK " FRIKËSOHEN" NGA PROKURORËT, PASI, PSE TË FRIKOHEN NGA ATA QË I KANË NËN KONTROLL
Ndërsa, Hasan Preteni, ish-shef i Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka pohuar për "Kosova Sot" se politikanët nuk " frikësohen" nga prokurorët, pasi, sipas tij, pse të frikohen nga ata që i kanë nën kontroll. Prokurorët, ka pohuar Preteni, janë pozicionuar me vendime politike dhe tani këto vendime ua mundësojnë politikanëve që t'i shantazhojnë dhe mbajnë nën kontroll. "Nuk janë të pavarur. Politika ua mundëson atyre që t' i kenë pagat e mira, shumë vende pune dhe privilegje jetësore. Prokurorët e kanë vetëm një detyrë: të heshtin dhe të ndjekin ndonjë varfanjak larg qarqeve të vendimmarrjes Kjo situatë mund dhe duhet të ndryshojë vetëm me ardhjen në skenën politike e vendimmarrëse të njerëzve me duar të pastra", ka thënë Preteni. Ai ka shtuar se vetëm me njerëz pa hipoteka nga e kaluara do të realizohej Vetting-u, pastrimi gjeneral i hetuesve dhe gjyqtarëve. 

MIFTARI: SHUMICA EDHE NGA POLITIKA, POR EDHE NGA GJYQËSIA JANË DORË E KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE NJERËZVE TË KORRUPTUAR!
Ndërsa, analisti Naim Miftari ka potencuar për "Kosova Sot" se problemi qëndron se shumica edhe nga politika, por edhe nga gjyqësia janë dorë e krimit të organizuar dhe njerëzve të korruptuar. Prandaj, ka thënë ai, është e pamundur që të pastrohet njëra e tjetra të jetë në fuqi. Por, ka shtuar më tej Miftari realisht pastrimi i drejtësisë dhe ardhja e njerëzve të pakorruptuar në gjyqësi dhe njerëzve që pos ligjit nuk njohin fuqi tjetër, do ta pastronte bukur edhe politikën, nëse, siç thotë ai, në fillim do t'i godisnin stafin e lartë të politikanëve të korruptuar, duke filluar nga presidenti e teposhtë. 'Si shembull mund ta marrin kryeprokuroren e Rumanisë në Bukuresht që i ka arrestuar mbi 600 politikanë, duke filluar nga kryetarët e shtetit, kryeministra gjeneralë dhe po korr sukses, por kjo ndodhi atëherë kur qindra-mijëra veta protestuan dhe bllokuan tërë Rumaninë, duke kërkuar drejtësi të paanshme dhe luftë kundër korrupsionit, sidomos në politikë", ka pohuar Miftari. Më tej, ai ka thënë se nuk shpreson që një rrugë të tillë, sikurse populli rumun, ta ndjekin qytetarët tanë, që të dalin vetë për të protestuar dhe dalë nga, siç ka thënë ai, ky qorrsokak ku i kanë futur shtetin dhe ardhmërinë e tij politikanët e korruptuar. "Pa ndihmën serioze të paanshme amerikane nuk mund të pastrohet nga korrupsioni, as drejtësia dhe as politika e lidhur ngushtë me krimin e organizuar", ka pohuar analisti Naim Miftari, për "Kosova Sot".

KAPITI: NUK MUND TË ÇMONTOHET SISTEMI KORRUPTIVKRIMINAL NGA GJYQTARËT E PROKURORËT AKTUALË TË PËRLYER E TË ZHYTUR EDHE ATA NË KRIM, PADREJTËSI, KORRUPSION DHE NË ABUZIM ME LIGJIN!
Skënder Kapiti, analist dhe njohës i fushës së drejtësisë, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se nuk mund të shkapet dhe nuk mund të çmontohet sistemi korruptivkriminal nga gjyqtarët e prokurorët aktualë të përlyer e të zhytur edhe ata në krim, padrejtësi, korrupsion dhe në abuzim me ligjin. Sipas Kapitit, nuk dekriminalizojnë politikën këta gjyqtarë dhe këta prokurorë, siç i ka quajtur ai politikë dhe të lidhur me krimin. "Këta gjyqtarë dhe prokurorë janë në simbioze bashkëjetese politiko-juridike me politikën, me klasën aktuale të politikës. Këta gjyqtarë dhe prokurorë politiko-kleptokratikë janë mburoja ligjore e diktaturës demokratike të korrupsionit, e ngritur dhe e montuar nga kjo farë elite politike shumë e dëmshme politikisht, ekonomikisht dhe kombëtarisht", ka theksuar Kapiti, duke shtuar se në këto kushte është shumë e vështirë dhe e pashpresë që për një kohë të shkurtër të ngrihet, siç ka pohuar ai më tej, të kulturohet dhe të edukohet një brez i ri që të bëjë ndryshimin dhe demokracinë dhe të ndërtojë shtetin ligjor. Ai ka thënë se duhet një importim kuadrosh dhe juristesh profesioniste nga SHBA-ja dhe BE-ja, të cilët ta drejtojnë drejtësinë në Kosovë. Kjo, shton më tej Kapiti, është emergjenca për të cilën ka nevojë Kosova."Pra, duhet një VETTING ndërkombëtar për sistemin e drejtësisë, si një reformë radikale, si një kryerefomë që është e rëndësishme, më e rëndësishmja pas çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës për t'i hapur rrugën konsolidimit të demokracisë, të shtetit ligjor dhe integrimit të Kosovës në BE", theksoi Kapiti. "Këta gjyqtarë dhe prokurorë të tillë politikë dhe të korruptuar realisht janë avokatura shtetërore e 'peshqve të mëdhenj' të krimit e korrupsionit", tha Skënder Kapiti për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)