ZEQA: POLITIKA E KA VËNË SHTETIN E KOSOVËS NË VARTËSI TË POLITIKËS SË BEOGRADIT!

  • 18 July 2018 - 18:16
ZEQA: POLITIKA E KA VËNË SHTETIN E KOSOVËS NË VARTËSI TË POLITIKËS SË BEOGRADIT!

Analisti politik Florim Zeqa tha për "Kosova Sot" se kjo klasë kusarësh politikë paturpësisht vazhdon të gënjejë e të mashtrojë qytetarët e Kosovës, të zhvat buxhetin e shtetit dhe paratë e popullatës së varfër për interesa personale, klanore dhe partiake.

"Pa dyshim, një nga shumë gënjeshtrat dhe mashtrimet që iu bënë qytetarëve, është ajo kinse për Ushtrinë e Kosovës, e cila nuk u formua për 10 vjet rresht, e fatkeqësisht nuk do të formohet as këtë vit, dhe mbase asnjëherë me këtë garniturë politikanësh mashtrues e hipokritë. Ushtria e Kosovës, kjo çështje fondamentale për shtetin, nuk është zgjidhur, për shkak se kjo klasë politike tërësisht e inkriminuar në Kosovë, e fokusuar për dhjetë vjet rresht vetëm në zhvatjen e buxhetit të shtetit nëpërmjet krimit të organizuar, e cila e ka vënë shtetin e Kosovës në vartësi të plotë të politikës së Beogradit, gjegjësisht të presidentit serb Aleksandër Vuçiqit, i cili prej Beogradit vendos për gjithçka për Kosovën e nëpërkëmbur nga tradhtarët shqiptarë e të gjitha llojeve e ngjyrave", theksoi ai.

"Produkt i drejtpërdrejtë i politikës së inkriminuar kosovare është nonsensi i të drejtës së vetos së Serbisë ndaj Kosovës, gjegjësisht të deputetëve serbë në Parlamentin e Kosovës të dirigjuar nga politika e Beogradit. Kësisoj, Republikën e Kosovës e mban peng një grusht serbësh në Kuvend, me votën e dyfishtë dhe veton e garantuar nga Kushtetuta-produkt i Planit të Ahtisarit. Paradoks dhe "Siu generis" i llojit të vet, është bërë Kosova, në njërën shtet i pavarur, ndërsa në tjetrën i lidhur nga vargonjtë serbosllavë, të cilët e kanë privuar nga referendumi, nga Ushtria dhe nga ndryshimet kushtetuese, si elementet bazike të sovranitetit të shtetit", potencoi më tutje Zeqa.

"Kjo i bie realisht, se Kosova nuk do të ketë Ushtri kur e paralajmëron një zyrtar i Kosovës, por hipotekisht kur e lajmëron një zyrtar i lartë i Serbisë, gjë e cila nuk do të ndodhë asnjëherë. E dhimbshme, por e vërtetë, politikanët e inkriminuar bashkë me nëntokën kriminale përmes bisedimeve të Brukselit e dorëzuan shtetin e Kosovës në duart e Beogradit, me ndihmën e agjentëve të UDB-së, miq të ngushtë e këshilltarë kryesorë të pushtetarëve tradhtarë të Kosovës dhe njëkohësisht të Vuçiqit si sundimtar nga Beogradi i zi për shqiptarët", theksoi ai për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)