Hoteli 'Mandalay Bay' ngre kundër-padi ndaj viktimave të masakrës në Las Vegas

  • 18 July 2018 - 21:36
Hoteli 'Mandalay Bay' ngre kundër-padi ndaj viktimave të masakrës në Las Vegas

Pronarët e një hoteli në Las Vegas, që shërbeu si skena e një prej masakrave më të përgjakshme në historinë amerikane, kanë ngritur kundër-padi, pas padisë për neglizhencë që ngritën viktimat ndaj hotelit.

Në tetorin e vitit të kaluar 58 vetë u vranë dhe qindra u plagosën kur Stephen Paddock qëlloi ndaj njerëzve të mbledhur për të parë një koncert nga dhoma e tij në hotelin Mandalay Bay. Më pas ai vrau veten ndërsa policia po hynte brenda në hotel.

Qindra viktima kanë ngritur padi kundër MGM Resorts, që ka në pronësi hotelin Mandalay Bay, duke e akuzuar kompaninë për neglizhencë, pasi dështoi të mbikqyrë klientët e hotelit dhe se lejoi Paddock-un, të grumbullojë një arsenal armësh dhe municionesh të fuqishme në dhomën e tij, në ditët përpara masakrës.

MGM Resorts, paraqiti padinë kundër viktimave javën e kaluar me argumentin se të plagosurit apo të afërmit e personave që u vranë, nuk mund ta padisin hotelin.

MGM i referohet një ligji federal të vitit 2002, që kufizon përgjegjësinë e bizneseve që ndërmarrin hapa të caktuar për "parandalimin dhe reagimin ndaj dhunës në masë".

Sipas MGM, kompania e sigurisë e punësuar për koncertin ishte e çertifikuar nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare.

Por sipas avokatit Robert Eglet, i cili përfaqëson rreth 1000 viktima, kompania që garantonte sigurinë në hotelin prej të cilit qëlloi Paddocku, nuk ishte e çertifikuar.

"Në eksperiencën time 30 vjeçare, MGM ka bërë diçka që është gjëja më absurde që kam parë ndonjëherë. Ata kanë paditur familjet e viktimave, të cilët vazhdojnë të jenë të vuajnë dhimbjen nga humbja e të dashurve të tyre", tha zoti Eglet.


(Kosova Sot)