Zjarret shkrumbojnë Suedinë (Video)

  • 18 July 2018 - 21:44
Zjarret shkrumbojnë Suedinë (Video)

Duket absurde, por Suedia është një nga shtetet më të goditur nga vala e të nxehtit dhe thatësirës, në një gjendje që ka prodhuar një numër të pazakontë zjarresh, me të paktën 11 vatra gjigande të konstatuara në masivet pyjore që ndodhen në veri të vendit.

Pavarësisht ndihmës me avionë kundër zjarrit dhe helikopterëve nga fqinjët e saj evropianë, Suedia nuk po arrin të përballojë situatën me të nxehtin. Thomas Aronsson, shefi i operacioneve për SITS, një shërbim zjarrfikës i specializuar në Suedi, tha të mërkurën se agjencitë e shërbimit të zjarrit po luftonin me rreth 80 zjarre anembanë vendit dhe i mungonin pajisjet e nevojshme.

“Ne kemi nevojë për cisterna, na duhet helikopterë – ne nuk kemi furnizime të mjaftueshme”, tha ai për CNN.

“Tani në Suedi ka 80 vatra zjarri, dhe nuk ka kompani helikopteri apo pilot në të gjithë Suedinë që nuk është përfshirë në luftimin e këtyre zjarreve. Shumë zjarrfikës që aktualisht kanë pushime kanë dalë vullnetarë për të luftuar këto zjarre”, tha Aronsson.

Të martën, Komisioni Evropian iu përgjigj thirrjes së Suedisë për ndihmë, duke dërguar dy avionë zjarrfikës nga Italia për të ndihmuar në zgjidhjen e flakëve. Aeroplanët, të dy modelet Canadair CL-415 që janë në gjendje të mbajnë 6,000 litra ujë, po përdorin bazën e tyre të operacioneve Örebro, një qytet në Suedinë jugore dhe janë vendosur në rajonet e prekura më tej në veri, sipas Agjencisë Suedeze të Kontingjenteve Civile MSB).

Kjo është hera e dytë këtë verë që Suedia ka kërkuar mbështetje për t’u marrë me zjarret e mëdha, sipas Komisionit Evropian. Norvegjia iu përgjigj gjithashtu thirrjes me një flotë helikopterësh, sipas MSB.

Suedia gjen veten në një situatë të tmerrshme falë një periudhe të zgjatur të temperaturave mbi mesatare dhe reshjeve shumë të ulëta. Pas vjeshtës dhe dimrit të lagësht, gjërat ndryshuan në mënyrë dramatike në maj, duke pasqyruar kushtet në pjesën më të madhe të Evropës.

“Ka qenë jashtëzakonisht thatë dhe nxehtë gjatë majit, qershorit dhe fillim të korrikut”, tha Institutiti Suedez Meteorologjik dhe Hidrologjik në një paralajmërim të lëshuar këtë javë që theksoi një rrezik të mungesës së ujit për gati të gjithë Suedinë qendrore dhe jugore.

Muaji maj u konsiderua i jashtëzakonshëm, pasi Stokholmi arriti në një temperaturë mesatare 16,1 gradë Celsius për muaj, gati gjashtë gradë më e lartë se zakonisht.

“Që ne të përjetojmë një temperaturë të tillë të lartë mesatare në Stokholm në maj – 16.1 gradë – është një dukuri që, statistikisht, ndodh vetëm tre herë në një milion vjet”, tha Gustav Strandberg, një studiues i klimës në Qendrën Rossby të SMHI .

Por Suedia nuk është vendi i vetëm që përballet me raste të pazakonshme të zjarrit këtë verë. Finlanda, Norvegjia dhe Rusia janë duke trajtuar gjithashtu një numër zjarresh të mëdha.

Në SHBA, zjarret e nxehta nga thatësira shpërthyen në skajet e Alaskës, Kalifornisë, Kolorados dhe shteteve të tjera perëndimore më parë këtë muaj, duke shkatërruar më shumë se 100 shtëpi dhe duke detyruar evakuimin e më shumë se 2,000 familjeve.

Britania e Madhe, e njohur përgjithësisht për motin e saj me shi, nuk ka shpëtuar gjithashtu. Ditët e fundit, Brigada e Zjarrit në Londër (LFB) u është përgjigjur një numri zjarresh të mëdha në kryeqytetin e Britanisë së Madhe, duke përfshirë zjarrin më të madh në historinë e shërbimit, që përfshiu 100 hektarë tokë në East London të dielën.


(Kosova Sot)