Qeveritë e klientelave mafioze e rrënuan biznesin

  • 19 July 2018 - 07:55
Qeveritë e klientelave mafioze e rrënuan biznesin
Pushteti mbështet vetëm sponsorët e vet kriminalë 

E kspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të shoqatave të bizneseve vlerësojnë njëzëri se sidomos të gjitha qeveritë e paspavarësisë, kanë dështuar me politikat ekonomike, pasi qëllimi kryesor i tyre ka qenë vetëm mbushja e xhepave e kontove të mafiooligarkëve të inkriminuar. Analistët thonë se edhe në rastet kur është marrë ndonjë vendim qeveritar, është favorizuar ndonjë kompani, pas së cilës qëndrojnë detyrimisht pushtetarët e inkriminuar,apo të fortët e politikës së kriminalizuar Ndaj, sipas analistëve, kjo situatë edhe ka bërë që është cenuar rëndë konkurrenca e ndershme dhe tregu i lirë, politika e inkriminuar, ndërsa ka favorizuar gjithnjë monopolet e kundërligjshme dhe antikushtetuese.

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për gazetën "Kosova Sot", tha se Kosova ka shënuar 10 -vjetorin e pavarësisë së saj, e ballafaquar me një klasë politike që rrallëherë mund të shihet në mbarë botën, klasë politike e çoroditur. "Mirëpo, a i ka përmbushur Republika e Kosovës pritjet e qytetarëve, kjo lë shumë për të dëshiruar, personalisht mendoj se jo, edhe për këtë kam arsye, aktualisht në vitin 2018 papunësia ende është në shifrën mbi 30 për qind, në asistencë sociale janë mbi 270 mijë qytetar, ose 31 mijë familje, me pagën minimale 130 euro, me një ekonomi informale 30- 40 për qind ose rreth 2 miliardë euro humbje në vit, pastaj sektori privat është në gjendje të mjerueshme, i harruar nga Qeveria dhe sindikatat e ndryshme, edhe pse punëson mbi 300 mijë qytetarë prapëseprapë po anashkalohet nga institucionet e vendit", u shpreh ai.

Ekonomia informale, me pasoja të rënda Beqiri tregon shembuj konkretë të dështimit institucional. " Qendra Turistike e skijimit në Brezovicë ende vazhdon të menaxhohet nga strukturat e shtetit të Serbisë, që do të thotë se të gjitha të hyrat që i bën kjo ndërmarrje shoqërore nga vizitorët, në përjashtim të parkimit të veturave, derdhen në fonde të Serbisë. Qeveria e Republikës se Kosovës ka dështuar të menaxhojë me asetet e saj dhe kjo është mjaft shqetësuese. Nëse një qeveri nuk ka forcë dhe kapacitet të menaxhojë asetet e veta, atëherë çka t'i themi kësaj më pak se mjerim. Kjo ndërmarrje nuk paguan asnjë taksë për shtetin e Kosovës, fakt ky që e dëmton buxhetin e vendit. Vetëm borxhi ndaj Administratës Tatimore të Kosovës deri më tani është 4.5 milionë euro. Ndërkaq, ligjet për menaxhimin e tatimeve janë të njëjta për të gjitha komunat, por që në Komunën e Shtërpcës shef po del të jetë Serbia dhe llogaridhënia i bëhet asaj", vijoi më tej Beqiri. "Ekonomia informale ka ndikim mjaft të madh në territorin e Kosovës. Rreth 30 për qind llogaritet aktualisht ekonomia informale dhe pjesa më e madhe e këtij problemi vjen nga veriu i Kosovës që administrohet nga pakica etnike serbe, e cila nuk iu bindet ligjeve të Republikës së Kosovës. Republikës së Kosovës i nevojitet një sistem financiar i besueshëm si dhe një ekonomi tregu e qëndrueshme dhe funksionale. Për këtë arsye është e rëndësishme që të gjenden metoda efektive për të parandaluar ekonominë joformale. Sipas disa analizave, buxheti i shtetit i humb nga 2 deri 3 miliardë euro në vit nga kjo veprimtari informale. Ende shumë kompani nuk janë fiskalizuar, në vendet rurale nuk ka një vullnet për të paguar tatimin, gjithashtu komuniteti serb është duke i shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë kosovare, siç dihet ata ende vazhdojnë që valutë zyrtare të kenë dinarin serb, dhe nuk respektojnë asnjë ligj të shtetit", ka theksuar ai. "Republika e Kosovës aktualisht ka detyrim rreth 1 miliard euro, që i bie 50 për qind e buxhetit të shtetit, thuajse jemi në vijën e kuqe nga FMN-ja, ky borxh po vazhdon të rritet për çdo vit, jam i vetëdijshëm se Kosova ka nevojë për këto kredia, por ato duhet të orientohen në krijimin e vendeve të reja të punës, mbështetjen e sektorit të prodhimit etj. Aktualisht, Republika e Kosovës ka jashtëzakonisht pak kompani prodhuese, edhe ato ballafaqohen me sfida të mëdha, mungesë të energjisë elektrike, konkurrencë jolojale, ballafaqohen me mungesë të financave, kamata të larta, pra nëse borxhi orientohet duhur, atëherë jemi në suaza normale, por ky buxhet kryesisht shkon në asfalt, dhe kjo është tash e 10 vjet. Ryshfeti, lidhjet familjare, lidhjet partiake sipas UNDP-së janë faktori kyç për të siguruar një vend pune në sektorin publik, ky fenomen e ka përcjellë Kosovën që nga paslufta e këtej, asnjë Qeveri nuk e ka luftuar këtë të keqe, andaj edhe ka marr përmasa shqetësuese një praktikë e tillë", theksoi Beqiri. Sipas tij, që nga viti 2001 deri në vitin 2017 aktivitetin e tyre ekonomik e kanë shuar 20.250 biznese kosovare, si pasojë e kushteve të vështira për të bërë biznes.

Oligarkët dominojnë tregun Eksperti i ekonomisë Mustafë Kadriaj, për gazetën " Kosova Sot", tha se që nga pas lufta kemi pasur një zhvatje të madhe të parasë publike, por me pavarësimin e Kosovës, me marrjen e kompetencave nga vendorët dhe me buxhet më të madh, u krijua hapësira për zhvatur paranë publike dhe duke shfrytëzuar zbrazëtirat ligjore, kështu që elita politike u pasurua brenda nate duke grumbulluar pasuri të paligjshme që deri sot nuk munden të arsyetojë nga ana ligjore dhe ekonomike, por në mungesë të drejtësisë së pavarur ende notojnë në këto ujëra të ndotur. "Është instaluar një aleancë korruptive e pushtetarëve me grupet e interesit duke dëmtuar jetën ekonomike në vend dhe perspektiven e qytetarit. Pra, është e pafalshme që edhe mbas 20 vite çlirim dhe 10 vitet korrupsioni të jetë në përmasa të mëdha që përmes bizneseve oligarkike po e dëmtojnë konkurrencën e lirë, duke favorizuar sponsorizuesit e tyre dhe njëherësh duke dëmtuar konkurrencën e lirë", u shpreh ai. "Vetëm në letër flitet për ekonomi të tregut, ndërsa në praktikë kemi ekonomi ku është ngulfatur nga mafio-oligarkia dhe monopolet në vend", vijoi më tej Kadriaj. Sipas tij, skena politike është duke u zhytur drejt ideve majtiste që për miqtë ndërkombëtarë është shqetësuese dhe krijojnë rezerva ndaj të ardhmes së Kosovës si shtet. Mbështeten vetëm bizneset që sponsorojnë partitë Edhe analisti tjetër i ekonomisë Artan Haziri, për gazetën "Kosova Sot", tha se qeveritë e pasluftës, asnjëra nuk e kishte për qëllim zhvillimin e vendit. "Ato vetëm gjatë fushatës tregojnë se nëse e fitojnë pushtetin, do të punësojnë me mijëra punëtorë, do të bëhet liberalizimi, nuk do të ketë më të varfër. Kur e fitojnë pushtetin, ndryshojnë veprimet tërësisht. Zhvillohen vetëm bizneset që u kanë ndihmuar gjatë fushatës, e asgjë më shumë", potencoi ai. "Disa lloje të veprimtarive biznesore i kanë monopolizuar dhe i gjithë kapitali sillet rreth tyre. Kjo ka bërë që çdo vit të mbyllen rreth 2500 biznese, pasi nuk po kanë mundësi veprimi. Edhe kur një ministri kërkon të bëjë diçka për vendin, si rasti i ministrit Bajrami, ku po kërkon mbrojtjen e produkteve vendore, pjesa e madhe e Qeverisë reagon se u prishen marrëveshjet e tyre me bizneset që u sjellin miliona. Andaj, deri kur kështu...", pyet ai.

Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën " Kosova Sot', tha se të gjitha qeveritë jo vetëm pas pavarësisë, por që nga viti 2000 e deri me sot kane dështuar në zhvillimin ekonomik. " UNMIK-u në atë kohë ka bërë shumë lëshime tek politikanët dhe biznesmenët duke menduar që nëse këta hapin biznese në Kosovë do të ulet papunësia etj., por në fakt që ka ndodhur e kundërta, ku me procesin e privatizimit të Ndërmarrjeve Shtetërore, në Kosovë, është rritur përqindja e papunësisë" , u shpreh ai. Krimi ekonomik e la prapa vendin

Ndërsa, anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, për gazetën "Kosova Sot", tha se nuk ka asnjë dyshim se të gjitha qeveritë e paspavarësisë së Kosovës, por edhe qeveritë e 9 viteve të tjera paraprakisht, secila nga ato, kush më shumë e kush më pak, kanë dështuar me politikat e tyre ekonomike që kanë qenë fatale për prodhuesit vendorë. "Qëllimi kryesor i këtyre qeverive të pasluftës dhe të paspavarësisë na paska qenë vetëm mbushja e xhepave e kontove të tyre si dhe bashkëpunëtorëve të tyre mafio-oligarkë të inkriminuar", theksoi ai. "Edhe në rastet kur është marrë ndonjë vendim qeveritar, për fatin e keq të bizneseve tona, është favorizuar ndonjë kompani prapa të cilës kanë qëndruar pushtetarët e inkriminuar apo edhe liderë të politikës së kriminalizuar", ka vlerësuar Maloku. "Me këto veprime të papërgjegjshme të të gjitha qeverive të deritashme është cenuar rëndë konkurrenca e ndershme dhe tregu i lirë, në saje të këtyre politikave të inkriminuara që i kanë favorizuar gjithnjë monopolet e kundërligjshme dhe antikushtetuese", vijoi më tej ai. Sipas Malokut, Qeveria aktuale duhet të nxjerrë mësime nga qeveritë e kaluara duke krijuar kushte të barabarta për të gjitha bizneset vendore në tregun tonë dhe jo që për dikë të jetë Nënë e për dikë Njerkë.

(Kosova Sot)