LDK kërkon zgjedhje të reja për të dalë nga kriza institucionale

  • 19 July 2018 - 15:28
LDK kërkon zgjedhje të reja për të dalë nga kriza institucionale

LDK ka reaguar pas ndërprerjes së seancës së sotme të Kuvendit të Ksovës. Grupi parlamentar i kësaj partie ka thënë se kjo seancë u ndërpre si pasojë e mungesës së shumicës parlamentare.

Po ashtu, LDK ka kërkuar përgjegjësi institucionale nga të gjithë dhe bashkëpunim me forcat opozitare për të dalë nga kjo krizë institucionale, përmes zgjedhjeve të lira.

“Seanca e Kuvendit të Kosovës sot u ndërpre në mungesë të shumicës parlamentare. Në fakt, ky koalicion asnjëherë nuk ka pasur shumicë në Kuvendin e Kosovës, përveç ditës kur u zgjodh Qeveria.”, ka shkruar LDK në një komunikatë.

Grupi parlamentar i LDK’së ka thënë se koalicioni qeverisës nuk ka legjimitet, dhe si rrjedhojë e kësaj, vendi nuk mund të qeveriset nga ky kualicion i pakicës.

“Vendi nuk mund të qeveriset nga koalicioni i pakicës, i cili nuk ka legjitimitet. Grupi Parlamentar i LDK-së nuk do të përkrahë vazhdimin e kësaj forme të qeverisjes, ku një pakicë ka uzurpuar institucionet shtetërore”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, ky grup parlamentar ka kërkuar zgjedhje të reja, sipas tyre, që të mos dëmtohet demokracia e Kosovës, duke ftuar kështu për përgjegjësi politike nga të gjithë.

“Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja që të mos dëmtohet demokracia.
Gjuha e ashpër dhe fyese e koalicionit të pakicës ndaj partive opozitare e
thellon më tutje krizën institucionale. Ne ftojmë për përgjegjësi politike dhe
institucionale nga të gjithë. Ne do të punojmë me të gjitha forcat politike
opozitare dhe forcat e tjera progresive në Kuvendin e Kosovës që të dalim nga
kjo krizë institucionale, vetëm përmes organizimit të zgjedhjeve të lira.
Insistimi për të vazhduar me këtë dhunim të demokracisë do të dëmtojë proceset
afatgjate politike në Kosovë”, thuhet në deklaratën e Grupit Parlamentar të LDK’së.


(Kosova Sot)