Spanja heq dorë nga kërkesa për esktradimin e Puigdemont

  • 19 July 2018 - 20:55
Spanja heq dorë nga kërkesa për esktradimin e Puigdemont

Gjykatësi përgjegjës në Gjykatën e Lartë të Madridit, Pablo Llarena ka vendosur të tërheqë urdhërarrestin europian për ish-presidentin rajonal të Katalonjës, Carles Puigdemont, u bë e ditur në kryeqytetin spanjoll të enjten (19.07).

Gjykata e Landit Schleswig vendosi para një jave, se Puigdemont mund të ekstradohet në Spanjë, por vetëm për dyshimin e keqpërdorimit të parave publike dhe jo për rebelim, akuza kryesore e drejtësisë spanjolle. Gjykata gjermane do të vendoste shpejt për ekstradimin.

Në deklaratën e Gjykatës së Lartë të Spanjës theksohet se vendimi i Gjykatës së Landit gjerman, e minoi punën e gjykatësit Llarena. Gjykatësi spanjoll akuzon drejtësinë gjermane ndër të tjera për “mungesë angazhimi”. Por Llarena heq dorë nga dërgimi i çështjes për Gjykatën Europiane të Luksemburg, përcjell GSh.

Puigdemont në vjeshtën e vitit 2017, në vazhdën e një referendumi për pavarësi, u vendos në Belgjikë. Në kthimin nga vendet skandinave ai ndalua në 25 mars në landin Schleswig-Holstein.


 

(Kosova Sot)