VETTING-u, shpëtimi i vetëm për Republikën e sunduar nga nëntoka

  • 19 July 2018 - 07:52
VETTING-u, shpëtimi i vetëm për Republikën e sunduar nga nëntoka
Preteni:Pushteti i tretë në Kosovë ka nevojë për një operacion të fuqishëm dhe serioz!

Njohësit e fushës së drejtësisë dhe të politikës konsiderojnë se drejtësia në Kosovë po vazhdon akoma një segment tepër jofunksional në zbatimin e drejtë dhe të pavarur të ligjit, sepse akoma në këtë fushë vazhdojnë të sundojnë "të fortët" e kriminalizuar, prandaj edhe nuk kemi e nuk do të ketë edhe për një kohë sundim të vërtetë dhe të paanshëm të ligji. Njohësit e kësaj fushe konsiderojnë se drejtësia e Kosovës akoma po vazhdon të komandohet nga politikanët e inkriminuar bashkë me mafio-oligarkët e nëntokës kriminale, të cilët paguajnë, shantazhojnë prokurorët e gjyqtarët, si dhe urdhërojnë policinë për të nisur hetime ndaj personave që nëntoka kriminale dëshiron t`i etiketoj, derisa nuk ka akoma shanse që të sillen në bankën e të akuzuarve pushtetarët e inkriminuar, të niveleve të larta, si dhe mafio-oligarkia politiko-financiare, nga prokurorët dhe gjyqtarët aktualë të kapur nga politika e inkriminuar dhe nga nëntoka kriminale e mafio-oligarkisë. Prandaj, sipas analistëve, për të vendosur stabilitet dhe rend e ligj efektiv të barabartë për të gjitha, njohësit e kësaj fushe konsiderojnë se kjo situatë e rëndë kërkon që të iniciohet sa më shpejt në Kuvend ligji për VETTING-un në drejtësinë kosovare ose për gjyqësorin, prokurorinë dhe policinë e shtetit dhe jo vetëm.

Ahmeti: Politika e inkriminuar po rrezikon çdo pore të funksionimit të shoqërisë kosovare Sipas njohësit të fushës së drejtësisë, Hidajet Ahmeti, politika e inkriminuar po rrezikon çdo pore të funksionimit të shoqërisë kosovare, duke tentuar që çdo institucion publik ta kthejë në funksion të klientelës së vogël politike, e cila çdo ditë e më shumë po e trashë pushtetin për të kontrolluar e dirigjuar çdo institucion publik. Ai tha se kjo logjikë e funksionimit politik, shoqëror e ekonomik, si pasojë e politikës së mbrapsht, e ka lëvizur shtetin e Kosovës në binarë të gabuar, ku dita-ditës po e humb shpresën qytetare për të jetuar, kontribuar e vepruar në këtë shtet, prandaj është koha e VETTING-ut. "Është imperativ i kohës që kjo praktikë e procesit të Vetting-ut të instalohet edhe në Kosovë, në mënyrë që të pastrohet drejtësia nga të korruptuarit, zhvatësit, keqpërdoruesit dhe joprofesionistët. Kjo reformë në drejtësi është e nevojshme, por edhe e domosdoshme për ta vendosur sistemin në binarë të duhur dhe për ta larguar dorën e politikës nga drejtësia", u shpreh ai. "Ndryshimeve në sistemin e drejtësisë u duhet një vullnet i jashtëzakonshëm politik për t'i shtyrë proceset përpara, duke filluar nismën për hartimin dhe miratimin e Ligjit të Vetting-ut e pastaj reformat e tjera të domosdoshme në fushën e legjislacionit përkatës primar e sekondar", ka shpjeguar Ahmeti.

Haziri:Procesi i Vetting-ut është ai i cili arrin të filtrojë në mënyrë ligjore drejtësinë në Kosovë Sipas politologut Arsim Haziri, kjo situatë e pandershme, me drejtësi të kapur dhe të ndikuar nga politika, do të vazhdojë derisa në ekzekutiv të vjen një klasë tjetër qeverisëse, një gjeneratë e cila objektiv të tërë agjendës shtetërore e nacionale do ta ketë shtetin e së drejtës, krejtësisht të pavarur nga politika. "Kosova pikërisht për shkak të politikës aktuale, interferimit të saj të thellë në drejtësi, është e vonshme në çdo proces të rrugëtimit drejtë BEsë. Për këtë më së miri na flet gjendja e brendshme si dhe ajo e jashtme, ku shtetet fqinjë kanë avancim të pakrahasueshëm në relacion me Kosovën sa i përket perspektivës evropiane. Është sistemi i drejtësisë ai i cili mund të krijojë rend dhe rregull kolektiv nëse pavarësohet tërësisht nga politika, janë gjykatësit dhe prokurorët që si përfaqësues të institucioneve normative, duke vepruar vetëm në bazë të ligjit dhe të Kushtetutës, mund të ndëshkojnë dhe ta bëjnë të dështuar rrjetin e kriminalitetit në vend", theksoi ai për "Kosova SOT". Sipas Hazirit, procesi i Vetting-ut, respektivisht procedimi dhe fuqizimi i tij, është ai i cili arrin të filtrojë në mënyrë ligjore drejtësinë në Kosovë.


MIFTARI:PROKURORI DHE GJYQTARI JANË LODRA TË POLITIKANËVE TË KORRUPTUAR!

Eksperti i fushës së sigurisë, Naim Miftari, tha për "Kosova Sot" se është problem të shkapet shteti i Kosovës nga krimi e korrupsioni pa mbështetje - presion të fuqishëm ndërkombëtar. "Në një shtet të kapur nga mafia, duke filluar nga presidenti, kryeministri, kryetari i Parlamentit me deputetë të korruptuar dhe pa parime shumica e tyre, në një shtet me hetues të korruptuar ose të shantazhuar, një shtet ku prokurori dhe gjyqtari janë lodra të politikanëve të korruptuar, gjegjësisht lodra të krimit, një shtet ku shërbimi i inteligjencës punon vetëm për bosët e krimit dhe e jo për ligjin, e ku pre janë qytetarët, që me të drejtë e kundërshtojnë dështimin dhe devalvimin e shtetit, pasi sot shteti i Kosovës është i privatizuar nga mafia bashkë me pasuritë e saj. Nuk mund të ketë drejtësi dhe sundim të drejtë të ligjit", tha Miftari për "Kosova Sot". Sipas tij, një pjesë të përgjegjësisë për këtë defaktorizim të brendshëm të shtetit të Kosovës e ka edhe faktori ndërkombëtar që ka lobuar për fuqizimin e tepërt të rolit dhe të drejtave të minoriteteve.

KAPITI: PAVARËSIA E KOSOVËS KËRCËNOHET NGA POLITIKA E KRIMINALIZUAR DHE NGA DREJTËSIA E KORRUPSIONI!

Sipas ekspertit të së drejtës, Skënder Kapiti, është fakt që askush nga politika dhe asnjë parti politike në Kosovë nuk po merr misionin historik për miratimin e VETTING-ut, por edhe ne Kosovë VETTING-u duhet dhe do të vijë vetëm me presion nga jashtë. "Kosova ka fituar lirinë dhe pavarësinë nga Serbia, por ama tashmë Pavarësia e Kosovës kërcënohet nga politika e kriminalizuar dhe nga drejtësia e korrupsioni, të cilët kanë kapur shtetin dhe gjithçka tjetër. Lirinë nga korrupsioni Kosova e fiton vetëm nëse arrihet të miratohet dhe të zbatohet një Ligj VETTING-u si ky në Shqipëri. Nuk miratohet Ligji i VETTING-ut vetëm pse atë e kërkon dhe e propagandon vetëm gazeta kombëtare "KOSOVA SOT", gazetë e cila është edhe në shënjestër të mercenarisë servile dhe mediatike dhe nga politika dhe pushteti, të cilët bëjnë embargo dhe presione. Por, mjerisht është për t'u prekur dhe vënë në pah realiteti se individët dhe shoqëria shqiptare lexojnë pak, shumë pak, sepse nuk kanë durim, por nga ana tjetër janë shumë tolerantë dhe të durueshëm për të toleruar dhe duruar poshtërsitë, korrupsionin dhe tradhtitë e pabesitë e politikës dhe të drejtësisë kosovare, janë të durueshëm për të dëgjuar përralla politike, lloj-lloj gënjeshtrash, thashethemesh e mashtrimesh", tha Kapiti për "Kosova Sot".

PRETENI: TË GJITHA INSTITUCIONET E DALA NGA KJO POLITIKË NUK JANË TË PAVARURA, TITULLARËT E SHANTAZHUAR DHE JOPROFESIONALË

Ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kosovës thotë se shpresa mbetet te VETTING-u, pasi tani ka sinjale serioze edhe nga Brukseli se do të bëhet presion në institucionet e Kosovës që të futen në këtë proces."Lajmi më i mirë për të cilin kam dëgjuar kohëve të fundit ishte se "Brukseli është i interesuar për Vetting-un". Ky është shpëtimi, sepse sëmundjet e rënda shërohen vetëm me operacion. Pushteti i tretë në Kosovë ka nevojë për një operacion të fuqishëm dhe serioz. Problematika është aq e thellë sa nuk mund të sanohet me terapi afatshkurtër. Politika e pavullnetshme, joprofesionale dhe e korruptuar. Të gjitha institucionet e dala nga kjo politikë nuk janë të pavarura, titullarët e shantazhuar dhe joprofesionalë. Duhet nisur nga e para, sundimi i ligjit, rrugëtimit drejt shtetit të së drejtës mund dhe duhet t'u prijnë vetëm ata që në të kaluarën janë dëshmuar me profesionalizëm dhe atdhedashuri", u shpreh ai."Zbatueshmëria e ligjeve është vetëm fakultative, e respekton vetëm nëse të konvenon. Sa për koincidencë, sot në territorin e Kosovës nuk është asnjëri nga tre personat kyçë të shtetit: presidenti, kryetari i Kuvendit, kryeministri, të gjithë jashtë Kosovës. Po ku ndodh kjo, në cilin shtet demokratik? Kjo është edhe një dëshmi se nuk kemi institucione që i respektojnë ligjet, nuk kemi titullarë të besueshëm të institucioneve. E mu këta janë kryesorët që vendosin edhe për titullarët tjerë të institucioneve, nëse vetë nuk e respekton ligjin, si do të kërkosh nga tjerët që ta respektojnë atë. Pra, kjo është anarki", tha Preteni për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)