"Grazhdi" i krimit bashkon pushtetin me opozitën

  • 19 July 2018 - 07:44
Kelmendi: PSD-ja me Shpendin po e keqpërdor me të madhe pushtetin në Prishtinë me vjedhje, keqmenaxhim, lidhje mafioze dhe kriminale.

Analistët politikë, njohës dhe përcjellës të vazhdueshëm të punës së Kuvendit të Kosovës, po e vlerësojnë me notë tepër negative punën e kësaj legjislature, si nga fillimi i punës së saj, edhe përfundimin e afërt të këtij sesioni pranveror të këtij viti. Analistët vlerësojnë se kjo legjislaturë po lëviz në mandatin e vet krejtësisht e përgjumur. Pra, analistët vlerësojnë se Kuvendi ka rënë në tërësi, si pozita ashtu edhe opozita, në gjumë të thellë, thuajse fare nuk ekzistojnë, sepse edhe opozita sikur nuk po dallohet me ndonjë angazhim më aktiv për ta sfiduar pozitën dhe kështu nuk po dihet më realisht se kush është pozitë e kush opozitë në Parlamentin kosovar , pasi që janë bërë njëjtë puro të papërgjegjshëm. Mangësia e madhe shihet edhe te opozita, e cila sipas analistëve politikë nuk po kërkon që të hapen debate të nxehta në Parlament për tema jetike e të nxehta, siç janë dëmet qindra milionëshe që iu bënë për shumë vite qytetarëve nga tenderomania ose prej mbi pesëqind milionëshe euro për çdo vit që pasuroi padrejtësisht mafio- politikanët dhe korporatat e tyre mafioze e kriminale, nga zhvatja e kundërligjshme e aseteve të shtetit dhe buxhetit të shtetit , po përmes mafio-bizneseve tani më të kriminalizuar e të lidhura me pozitën dhe opozitën e tej inkriminuar në krim të organizuar , nga Monopolet e inkriminuara nga mafio- bizneset e lidhura me politikën e inkriminuar, shitja korruptive-kriminale e monopoleve e deri tek lejet e ndërtimit përmes komunave dhe Ministrisë respektive. Opozita është nënshtruar aq shumë, sipas analistëve politikë, saqë nuk po e ka guximin as që të propozojë komisione hetimore parlamentare, pasi që edhe vetë është e përlyer deri në fyt dhe ushqehet e rritet edhe vetë po në 'grazhdin e krimit' të organizuar kosovar , prandaj edhe nuk ka mundësi as të flasë e as të veprojë për krimin e organizuar, që fatkeqësisht po e udhëheq shtetin e kapur të Kosovës. Të gjitha këto elemente sipas analistëve politikë po bëhen që edhe qytetarët ta presin me padurim liberalizimin, për të ikur sa me larg prej shtetit, që është një oazë e krimit të organizuar. Badallaj:Kuvendi kukull dhe bandat politike kanë hallin se si të mbesin në pushtet

Ndërsa analisti politik Reshat Badallaj tha për "Kosova Sot" se bandat institucionale të Kosovës kanë rënë në gjumin e ariut dhe nuk funksionojnë fare për interesa shtetërore apo të qytetarëve të saj. "Kuvendi kukull dhe bandat politike kanë hallin se si të mbesin në pushtet dhe të vrapojnë pas hajnisë. Kurrfarë dallimi nuk kanë opozita dhe pozita, të njëjtat mbeturina janë. Si i thonë fjalës, opozita ka vdekur dhe nuk dëgjohet më", potencon ai. Sipas Badallajt, vetëm një kryengritje popullore kundër këtyre të korruptuarave e shpëton shtetin dhe qartëson të ardhmen e perspektivës së këtij vendi dhe të këtyre qytetarëve."Për të shpëtuar Kosovën njëherë e përgjithmonë nga korrupsioni dhe nga këto banda më të rrezikshme jo vetëm në Kosovë, por në Ballkan mund ta nxjerrë vetëm populli me protestat më masive dhe më të fuqishme, pa dhunë, deri kur të ikin në theqafje bandat mafioze të kanaleve të nëntokës që e vodhën vendin deri në palcë dhe nuk kanë të ndalur", vlerësoi ai për "Kosova Sot".

KELMENDI: KUR OPOZITA DENONCON POZITËN, MUND T'U DALIN VEPRIMET E TYRE TË BËRA KUNDËRLIGJSHËM

Prof. Muhamet Kelmendi, ish-deputet i legjislaturës së parë të Kuvendit të Kosovës, thotë se opozita e tanishme në Kosovë, qoftë LDK, qoftë VV, sikundër edhe PSD, ishin dhe janë në pushtet në kuadër të organeve qendrore dhe lokale në Kosovë, prandaj duke qenë kështu kjo opozitë në faza të caktuara kohore ka kryer edhe veprimtari antiligjore, duke u pasuruar së tepërmi dhe këndej edhe i ka punësuar njerëzit e vet nëpër institucione e pozita të ndryshme, andaj nuk ka se çka i thotë pozitës."Dihet që fillimisht e tërë diplomacia është e mbushur me njerëz të PDK-së dhe të LDK-së. Askund nuk ka ndonjë kuadër të përgatitur dhe që ka afinitet në punën diplomatike. Kështu është gjendja edhe brenda vendit. Në pushtetin qendror, opozita ka shumë njerëz. Opozita ka shumë pushtet në atë nivelin lokal gjithandej nëpër komuna të ndryshme ku ka fituar pushtet. Atje edhe po keqpërdoren mjetet e popullit në përmasa të mëdha. Kontrollimi i buxhetit nëpër komuna është pothuajse shumë i ulët ose fare nuk bëhet. Kjo veprimtari e ka ndaluar dhe e ndalon opozitën edhe në Kuvendin e Republikës në kryerjen e detyrës opozitare", u shpreh ai. "Kurdo kur këta mund të deklarohen e të denoncojnë pozitën, mund t'u dalin veprimet e tyre të bëra kundërligjshëm. Ndërsa, nuk ka ligj dhe marrëveshje, e cila nuk është e miratuar tani nga deputetët e LDK-së. Tash edhe PSD me Shpendin është pozicionuar po kështu. Kjo parti po e keqpërdor me të madhe pushtetin në Prishtinë. Këtu kemi vjedhje, keq menaxhim, lidhje mafioze dhe kriminale. Me një fjalë: "Mos e vetë se të kallëzon vetë". Shikoji pasurinë e të parëve të LDK-së dhe të PSDK-së. Kudo vjedhje", tha prof. Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".


ALIU: PSE OPOZITA NUK PO KËRKON QË TË HAPET TEMA NË PARLAMENT, PËR MBI PESËQIND MILIONË EURO PËR ÇDO VIT QË PASURUAN MAFIO-POLITIKANËT DHE KORPORATAT E TYRE MAFIOZE E KRIMINALE?

Edhe analisti Bislim Aliu po ashtu mendon se me të vërtetë Kuvendi i Kosovës, si pozita ashtu edhe opozita, ka rënë në tërësi në gjumë të thellë, ama thuajse fare nuk ekzistojnë. "Dhe, në këtë drejtim, edhe opozita, po ka frikë dhe tani, më fare nuk dallohet se kush është pozitë dhe kush është opozitë në Parlamentin e Kosovës, pasi që tërësisht janë bërë njëjtë, puro të papërgjegjshëm. Dhe, në këtë drejtim, a thua, pse opozita nuk po kërkon që të hapen tema të nxehta në Parlament, për tema jetike e të nxehta, siç janë dëmet qindra milionëshe euro që iu bënë për shumë vite qytetarëve nga tenderomania ose për mbi pesëqind milionëshe euro për çdo vit që pasuroi padrejtësisht mafio-politikanët dhe korporatat e tyre mafioze e kriminale nga zhvatja e kundërligjshme e aseteve të shtetit dhe buxhetit të shtetit, përmes mafiobizneseve tani më të kriminalizuara e të lidhura me pozitën dhe opozitën e tej inkriminuar në krim të organizuar nga monopolet e inkriminuara nga mafiobizneset e lidhura me politikën e inkriminuar, shitje korruptive-kriminale e monopoleve e deri tek lejet e ndërtimit përmes komunave aprovimit nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor?", u shpreh ai. "Duke qenë në këtë gjendje të lidhjes së ngushtë me krimin e organizuar, edhe opozita nuk po propozon komisione hetimore parlamentare për të hetuar zhvatjet që bënë pozita, pasi që edhe vetë është e përlyer deri në fyt dhe ushqehet e rritet edhe vetë në 'grazhdin e krimit' të organizuar , që fatkeqësisht po e udhëheq shtetin e kapur të Kosovës", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot"

Grupet e interesit dirigjojnë Parlamentin Krejt jashtë interesit qytetar e sheh angazhimin e kësaj legjislature të Kuvendit edhe analisti Shefik Shkodra."Është e ditur për çdo qytetar se Parlamenti është institucioni publik që mund dhe duhet të merret me çështje të ndjeshme të jetës publike. Në këtë prizëm është menduar se ky Parlament do të shtrojë pika të rendit për diskutime dhe vlerësime përfundimtare. Këtë iniciativë i takon ta marrë opozita më parë. Kjo që të shihet se si po shkretohet çdo gjë me vlerë ekonomike, duke u nisur nga monopolet, shitja e tyre, marrja e lejeve vend e pa vend, mafio-oligarkët të lidhur me politikën, me ministrat, kryetarët e komunave, etj. Pra, as pozita as opozita nuk lëvizin, nuk qesin zë për goje, sepse është fakt real që të gjithë janë të lidhur me krimin e organizuar", u shpreh ai. "Këto parti dhe institucione nuk kanë kurrfarë përgjegjësie për mjerimin e qytetarëve që i ka kapluar. Edhe qytetarët, pjesa më e madhe, janë mbuluar në terrin e heshtjes. Ata nuk gjejnë më prej askujt mbështetje. Nuk ka iniciativa as preventive për korrupsion dhe krimin e organizuar. Qytetarët presin hapjen e parë të derës që sa më shpejt të ikin nga shteti i kriminalizuar", tha Shkodra për "Kosova Sot".

QARRI:SI POZITA,SI OPOZITA, USHQEHEN NGA 'GRAZHDI I PASUR I KRIMIT' TË ORGANIZUAR NË KOSOVË
Sipas analistit Gani Qarri, Kuvendi i Kosovës i tëri, kanë rënë në gjumë të thellë dhe thuajse nuk ekziston më fare, sepse sot deputetët si nga pozita ashtu edhe nga opozita janë bërë të gjithë njëjtë dhe aq të papërgjegjshëm saqë është vështirë më të dallohet se kush është pozitë e kush opozitë në Parlamentin e vendit. "Ndaj dhe Kuvendi i Kosovës pothuajse asnjëherë nuk po arrin që të miratojë ligjet e nevojshme dhe i përmbush detyrat e parapara legjislative, që nga konstituimi i fundit i tij. Opozita, e cila deri dje ishte në pushtet, dëshmohet aq e ngathët dhe e dështuar, saqë qysh nga koha kur është formuar Kuvendi i ri, jo vetëm se nuk kërkon as interesohet fare, që të mbahen më shpesh mbledhje të Kuvendit dhe miratohen sa më parë ligjet e nevojshme për të ecë vendi përpara, por deputetët e saj, asnjëherë, nuk gjejnë kohë, për të qenë deri në fund prezent edhe në seanca të Kuvendit", theksoi ai."Pikërisht deputetët më të zëshëm të opozitës, përpos përpjekjeve për të bërë sa më shumë zhurmë kot së koti, nuk tregojnë ndonjëherë performancë të duhur dhe përveç krijimit të vështirësive në mbarëvajtjen e seancave, ata shkaktojnë edhe mungesë kuorumi dhe ndikojnë për të keq në efikasitetin e punës në Kuvend. Praktika të tilla duhet të mënjanohen dhe në vend të inskenimeve deputetët e opozitës duhet të angazhohen më seriozisht në kryerjen e misionit të tyre. Vetëm një opozitë e plogësht dhe me deputetë të tillë, të cilët, përveç privilegjeve monetare që u ofron posti i deputetit, nuk kuptojnë shumë nga puna që u takon, as mandati që u është besuar, nuk është në gjendje të hapë asnjë debat serioz në Parlament, qoftë edhe për temat më jetike, siç janë dëmet qindra-milionëshe që për çdo vit u bëhen qytetarëve nga tenderomania klandestine, pasurimi marramendës i mafio- politikanëve dhe korporatave të tyre mafioze e kriminale, nga zhvatja e kundërligjshme e aseteve shtetërore dhe buxhetit të shtetit", tha Qarri për "Kosova Sot". Sipas Qarrit, nga krejt ajo që kemi parë deri më tani, deputetët e opozitës tregojnë hapur mungesën totale të interesimit për sqarimin e paligjësive në vend dhe mbarëvajtjen e punës legjislative në Kuvend."E krejt kjo flet hapur se monopolet e mafio-bizneseve më të kriminalizuara në vend janë të lidhura drejtpërsëdrejti me politikën, pra pozitën dhe opozitën e tej inkriminuar, ndaj sot shohim se njëjtë si pozita, as opozita nuk propozon as kërkon ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare kundër grumbullimit të pafund të veprimeve të jashtëligjshme në vend, pasi që edhe ajo është e përlyer deri në fyt dhe ushqehet e mbahet edhe vetë nga 'grazhdi i pasur i krimit' të organizuar në Kosovë", ka shtuar ai. "Involvimi në krim nuk i lë mundësi veprimi as opozitës, që njëjtë si pozita edhe ajo bashkëjeton në harmoni të paimagjinuar me krimin e organizuar, i cili fatkeqësisht, që nga paslufta e këtej, po e udhëheq gjithë shtetin e kapur, duke e kthyer Kosovën në oazë rajonale të krimit dhe politikën vendore në një BATAK-kriminal aq kundërmues, saqë në këtë vend të mos ketë më kush të luftojë korrupsionin as krimin e organizuar dhe qytetarët e dëshpëruar nga frika për mbijetesë të presin me një këmbë liberalizimin e vizave, për të ikur sa më larg nga ky vend me kastën më të dështuar politike dhe politikanë të mallkuar", tha analisti Gani Qarri për "Kosova Sot".

 Analisti Ragip Guraziu tha për "Kosova Sot" se kjo është legjislatura më e degraduar që ka pasur Kosova në të gjitha mandatet e deritanishme, një Parlament tallave, jofunksional dhe që nuk e sheh askund interesin e qytetarit, por vetëm atë të grupeve të klientelës politike kriminale."Tani me të drejtë e shtrojmë secili këtë pyetje që do përgjigjur a ka rënë Kuvendi i Kosovës i tëri, si pozita ashtu edhe opozita, në gjumë të thellë, thuajse fare nuk ekzistojnë. Mua po më duket se po, ka rënë në gjumë dhe jo rastësisht", theksoi ai. "Mua tani po më duket se po ka shumë frike edhe opozita që ta denoncojë pozitën, ndryshe nuk ka se si interpretohet fakti pse nuk po dallohet më se kush është pozitë e kush opozitë në Parlamentin kosovar , pasi që janë bërë njëjtë puro të papërgjegjshëm, derisa opozita nuk po kërkon që të hapen debate të nxehta në Parlament për tema jetike e të nxehta, siç janë dëmet qindra milionëshe që iu bënë për shume vite qytetarëve nga tenderomania ose prej mbi pesë qind milionëshe euro për çdo vit që pasuroi padrejtësisht mafio- politikanët dhe korporatat e tyre mafioze e kriminale, nga zhvatja e kundërligjshme e aseteve të shtetit dhe buxhetit të shtetit, po përmes mafiobizneseve tanimë të kriminalizuara e të lidhura me pozitën dhe opozitën e tej inkriminuar në krim të organizuar, nga monopolet e inkriminuara nga mafiobizneset e lidhura me politikën e inkriminuar, shitja korruptive-kriminale e monopoleve e deri tek lejet e ndërtimit përmes komunave dhe MMPH-së", vlerësoi Guraziu për "Kosova Sot".

Qytetarët, të dëshpëruar me këtë Kuvend interesaxhi Qytetarët e anketuar nga gazeta nuk janë aspak të kënaqur me punën e Kuvendit të Kosovës dhe trajtimin e problemeve të përditshmërisë së tyre në Kuvend, pasi që, sipas tyre, krejt angazhimi i pozitës dhe opozitës edhe në këtë legjislaturë të tanishme po shkon në përmbushjen e qëllimeve dhe interesave të tyre klienteliste. Madje të anketuarit theksojnë se edhe ky standard minimal që është arritur nga një pjesë e qytetarëve, është arritur falë angazhimit të tyre tepër të madh, nga vullneti maksimal që është i ngritur përtej mundësive të tyre, sepse shteti nuk ka bërë asgjë për të mbështetur qytetarët në periudhën para dhe as pas shpalljes së pavarësisë. Një mendim të tillë e ka qytetari Ukë Bytyqi, i cili jeton dhe punon në SHBA, por me sy e vesh, përmes medieve, vazhdimisht i përcjell zhvillimet në Kosovë. "Unë punoj në SHBA dhe kam ardhur të pushoj pak në vendlindje, në Kosovë, dhe duket që Kosova ka ndryshuar pak a për më mirë, në fushën e stabilizimit dhe strehimit të njerëzve, sepse janë stabilizuar njerëzit pak a shumë, por sa i përket angazhimit të institucioneve, punës së Kuvendit të Kosovës, t'ju them të drejtën personalisht nuk jam i kënaqur. Nuk jam i kënaqur sepse i përcjell dhe shikoj për çdo ditë, sepse neve më shumë na dhemb zemra për këtë vend se sa për atë vend ku jemi atje", u shpreh ai. "Mund të them pra që me punën e këtyre institucioneve, edhe të Kuvendit nuk jemi të kënaqur, këtu nuk po funksionon asgjë si duhet, më së pakti nuk po mund të bien në një "brazdë", si thoshin pleqtë përpara, që do të thotë nuk kanë koordinim për interesat e këtij vendi dhe të këtij kombi. Po ashtu po ma merr mendja, aq sa po shoh e po mund të vlerësoj, që nuk janë duke punuar për interesin e përditshmërisë së zgjidhjes së problemeve të këtyre qytetarëve, por janë duke punuar vetëm për interesat personale të klaneve të tyre dhe partive të tyre, kurse interesat e qytetarëve ndoshta janë diku në rendin e fundit. Ndoshta jam gabim, por kështu është mendimi dhe vlerësimi im", tha Ukë Bytyqi për "Kosova Sot". Këtë mendim e ndan edhe qytetari Nevruz Nushi. Ai thotë se ka plot probleme, me të cilat mund të merret Kuvendi dhe të japë zgjidhje, por nuk po merret me to."I kam mbushur 74 vjet, por kjo gjendje që është tash nuk ka si me qenë më keq, ky është mendimi im. Mirëpo, po them që shyqyr që kemi një pjesë të madhe të kësaj rinie që janë duke parë këtë të keqe të madhe, sepse një pjesë e popullatës nuk po sheh sa duhet e si duhet dhe kjo gjendje është një mizerje dhe një turp i madh për të gjithë këta pushtetar që janë në këto institucione, si në qeveri edhe në Kuvend, që po shikojnë se si të gjejnë hapësirë të zbrazët edhe ligjore. Që të punojnë për veten e tyre, sikur që ishte rasti i ngritjes së të ardhurave personale. Ata nuk shihni përtej interesit të tyre kur ta kemi parasysh se ku ka ngecur shteti, atyre nuk u intereson masa se ku ka ngecur ky nivel i shkollimit dhe ku ka ngecur kjo shëndetësi, që është nevoja e parë e jetës dhe e pasjes së një populli të shëndetshëm të një shtetit. Pra, të dy këto gjendje janë për t'i vajtuar, kurse këta në Qeveri dhe në Kuvend nuk shohin përtej interesave të tyre", tha ai. Sipas Nushit, në fushat kryesore të jetës së përditshme të qytetarëve nuk ka se si me qenë më keq.

ZEQA:OPOZITA NUK E KA GUXIMIN AS TË PROPOZOJË KOMISIONE HETIMORE PARLAMENTARE

Analisti Florim Zeqa tha për "Kosova Sot" se në historinë e parlamentarizmit kosovar nuk mbahet mend të ketë qenë një legjislaturë më pasive, më e dobët dhe më e dëmshme për interesin e shtetit dhe qytetarëve."Sikurse që nuk mbahet mend të ketë pasur ndonjëherë pushtet më antipopullor dhe opozitë më heterogjene në Kuvendin e Kosovës. Përderisa pozitën dhe opozitën i ndan pushteti në gjysmështet, është Parlamenti ai që i bashkon të përgjumurit e politikës", u shpreh ai."Kuvendi i Kosovës, gjegjësisht si pozita ashtu edhe opozita, kanë rënë në gjumë të thellë, thuajse fare nuk ekzistojnë! Shkaku i implikimit në aferat korruptive dhe kriminale gjatë periudhës sa ishte në pushtet, opozita ka frikë t'i kundërvihet pushtetarëve, ndryshe në Kuvend nuk dallohet më se kush është pozitë e kush opozitë, pasi që janë njëjtë të korruptuar, njëjtë të kriminalizuar dhe njëjtë të papërgjegjshëm karshi qytetarëve të vendit. Opozita nuk e ka guximin as të propozojë komisione hetimore parlamentare, pasi që edhe vetë është e përlyer deri në fyt dhe ushqehet e rritet edhe vet po në "grazhdin e krimit" të organizuar kosovar,...prandaj nuk ka mundësi as të flasë e as të veprojë për krimin e organizuar, që fatkeqësisht po e udhëheq gjysmështetin e kapur të Kosovës", potencoi Zeqa për "Kosova Sot". Analisti Florim Zeqa beson se edhe qytetarët e zhgënjyer në politikëbërjen kosovare liberalizimit të vizave i gëzohen vetëm sa për të ikur sa më larg prej shtetit, që është shndërruar në oazë të krimit të organizuar."Sikur të ishte ndryshe, pozita me 52 deputetë nuk do mund të përmbyllte asnjë seancë të vetme, e lërë më të sundojë kundërligjshëm mazhorancën opozitare në Kuvend. Në situatën aktuale, kur shtetit i mungon forca opozitare, Kosovën dhe qytetarët e saj mund t'i shpëtojë vetëm një forcë e re politike e ngjizur nga diaspora, me intelektualë dhe atdhetarë të devotshëm, biznesmenë dhe kuadro profesionale të fushave dhe lëmenjve të ndryshëm dhe në bashkëpunim me të gjitha forcat progresive vendore, elitat intelektuale të nëpërkëmbura nga pushtetarët aktual, mediet e pavarura, analistë dhe gazetarë të guximshëm, që demaskojnë deri në fund keqpërdorimet nga periudha e luftës dhe pasluftës, krimin e organizuar dhe korrupsionin 20-vjeçar në të dyja nivelet e qeverisjes, sistemin e drejtësisë dhe abuzimet me paratë publike të partive politike në pushtet dhe opozitë", tha më tej ai. " Korrupsioni galopant dhe krimi i organizuar kanë kapur njëjtë pozitën e opozitën, së bashku në një batak kriminal, përderisa prokuroria dhe gjyqësori vazhdojnë të jenë të kapur dhe të ngulfatur nga pushtetarët në qeveri dhe nëpër komuna dhe nga mafio-oligarkia e tej kriminalizuar kosovare", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)