Oligarkët Devolli futën nën sqetull edhe Qeverinë 'Haradinaj'

  • 20 July 2018 - 08:06
Oligarkët Devolli futën nën sqetull edhe Qeverinë 'Haradinaj'

VAZHDON PA KURRFARË PENGESE MONOPOLI ZHVATËS DHE SKANDALOZ I HOMOLOGIMIT TË VETURAVE,DREJTËSIA E KAPUR HESHT PËR NJË NDËR AFERAT E RËNDA TË KRIMIT EKONOMIK

Haziri: Kompania e homologimit mbi 10 vjet e ka lodhur këtë shtet, e Prokuroria, e as Policia, nuk merr hapa, se mbrapa tyre është fuqia, shteti e ata veten nuk munden që ta dënojnë

Analistë të ekonomisë dhe deputetë të opozitës janë të mendimit se Prokuroria Speciale,por edhe Policia e krimeve ekonomike, po hezitojnë dhe po frikësohen që të sjellin para drejtësisë personat përgjegjës të monopolit kriminal të homologimit të Shkëlqim Devollit, dhe shumë monopoleve të tjera. Si dihet, ka qenë kreu i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës që kohë më parë ka deklaruar se homologimi është monopoli më i pastër 100 për qind që është në Kosovë. Drejtuesi Valon Prestreshi ka thënë se kompania " EuroLab " e Devollit ka fituar nga ky proces për dhjetë vjet, duke shërbyer e duke plaçkitur si e vetme dhe e pakonkurrencë për homologimin. Nga analistët dhe opozita po shtrohet pyetja se përse Autoriteti Kosovar i Konkurrencës nuk po e dërgon rastin urgjentisht në Gjykatën Kushtetuese dhe pse i janë dashur këtij Autoriteti, edhe pse me përbërje tjetër, pothuajse 10 vjet për të konstatuar se homologimi i automjeteve është monopol dhe është kundërkushtetues dhe joligjor. Gjithashtu është shtruar pyetja nga njohësit e kësaj fushe se përse Prokuroria Speciale dhe as ajo Themelore,e as Policia, nuk po i sjellin para drejtësisë personat zyrtarë të shtetit që kanë nënshkruar dhe urdhëruar kontratën kriminale monopoliste për homologim, sikur edhe përfaqësuesit që kanë nënshkruar në anën e Devollëve të inkriminuar. Ndonëse u janë dërguar pyetjet lidhur me çështjen që po trajtohet se çka thotë Ministria e Infrastrukturës, se përse po vazhdon të lejohet dhe të "trashet" e të rritet monopoli përmes homologimit për Devollët, zyrtarët e kësaj Ministrie nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën. Analistët thonë se pas kompanisë së Devollëve po dyshohet se qëndrojnë në bashkëpronësi të fshehur Hashim Thaçi, Adem Grabovci etj.

Zhvatje milionëshe

Nga njohësit e kësaj fushe vlerësohet se kontrata e homologimit që është në fuqi qe 10 vjet, dhe që i ka zhvatur nga xhepat e qytetarëve mbi 20 milionë euro është një shërbim për diçka që nuk ka nevojë fare të ekzistojë dhe si e tillë ky si shërbim është një krim i organizuar dhe të cilin krim, sistemi i drejtësisë, që është i kontrolluar nga politika e inkriminuar dhe nëntoka e mafio-oligarkëve, nuk ka as guximin dhe interesin që ta hapë, pasi janë të përfshirë pushtetarë të majave e niveleve më të larta të këtij shteti purokriminal e të kapur e të nëpërkëmbur nga krimi i organizuar e korrupsioni galopant dhe i pashembullt. Ndërkohë, përgjigjet e tyre për gazetën nuk i kanë dhënë as Prokuroria Speciale dhe Themelore e Prishtinës, por as edhe Policia e Krimeve Ekonomike. Nënkryetari i Bordit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, juristi, Ahmet Krasniqi ka thënë për gazetën "Kosova Sot', se si agjenci e pavarur e kanë dhënë vlerësimin dhe tash topi gjendet tek Ministria e Infrastrukturës, por edhe Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës që duhet të vlerësojnë qëndrimin. "Neve si agjenci nuk e kemi të drejtën që rastin ta procedojmë në Gjykatën Kushtetuese, por vlerësimin tonë e kemi dërguar tek institucionet shtetërore, kurse tash e tërë barra do të bjerë mbi institucionet tona shtetërore se çfarë masash do të ndërmarrin dhe a do ta ndërpresin këtë monopol", është shprehur ai, duke shtuar se përgjegjësia tash bie edhe mbi Komisionin për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës. Ndërkohë, eksperti i ekonomisë, Artan Haziri, për gazetën "Kosova Sot", tha se kemi disa biznese që po e shkatërrojnë vendin dhe po e keqpërdorin paranë publike. "Shteti nuk është bust e as lumë, e përbëjnë njerëzit e këtij vendi, e fatkeqësisht janë direkt dhe indirekt pjesë e krimit, e në këtë rast edhe Devollët. Kompania e homologimit mbi 10 vjet e ka lodhur këtë shtet, e Prokuroria, e as Policia nuk merr hapa se mbrapa tyre është fuqia, shteti e ata veten nuk munden që ta dënojnë", u shpreh ai. "Prokuroria dhe Policia nuk merr hapa, se është pjese e familjes së tyre. Akademiku Nexhat Daci u akuzua përnjë palë syze, vetëm pse nuk ishte pjesë e krimit, e Devollët me miliona e miliona euro të keqpërdorura e nuk ka asnjë hap serioz", potencoi Haziri.

Deputetët opozitarë: Pas Devollëve është Qeveria

Deputetët e opozitës në Kuvendin e Kosovës po habiten me indiferencën e institucioneve të shtetit ndaj monopolit në homologim të makinave. Deputeti Ali Lajçi (LVV) për gazetën "Kosova Sot", tha se monopoli në homologimin e automjeteve është një shembull eklatant për të gllabëruar paratë e qytetarëve tanë dhe për t'i dërguar në ato fonde që nuk dihet se si dhe kush i menaxhon ato. "Prandaj, ky është një shembull tipik i monopoleve dhe si i tillë ky është një rast që shkon në dobi të grupeve të interesit nga skena politike, kurse gjykatat tona dhe Prokuroria e Shtetit, por edhe Ministria përkatëse e Infrastrukturës, prandaj edhe Gjykata Kushtetuese po heshtin, ngase edhe ato janë të dirigjuara politikisht, ndaj edhe po heshtin, ndonëse në opinion është përfolur se do të ndërpritet ky monopol", theksoi ai. Ndërsa deputeti tjetër opozitar në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu, për gazetën " Kosova Sot", tha se homologimi është një biznes i njerëzve që janë të involvuar në politikë dhe në vetë kreun e shtetit, ndaj me këtë çështje nuk po guxon që të merret askush. "Sepse, homologimi i automjeteve që nga fillimi ka qenë një vjelje dhe zhvatje masive e parave të qytetarëve tanë që nga fillimi i tij, ndaj nuk po ndërpritet", theksoi ai. Sipas Salihut, në llogaritë që duhet paguar askush nuk e dinë se ku shkojnë ato para. Ndaj kjo edhe po na tregon qartë se në këtë biznes është i involvuar dikush i lartë nga Qeveria e kaluar apo kjo e tashmja.

Mafio-oligarkia, pengesë për zhvillimin ekonomik

Eksperti i ekonomisë Mustafë Kadriaj, për gazetën "Kosova Sot", tha se politika po e ngulfat çdo ditë ekonominë e tregut duke krijuar monopole dhe oligopole në treg që janë vetëm praktikë e vendeve moniste dhe diktatoriale. "Qëllimi i biznesit është që të rritin kapitalin e tyre dhe tentojnë të gjejnë rrugë për të nënshkruar një kontratë të caktuar, por shteti me mekanizmat relevantë i përcakton rregullat duke mbrojtur konkurrencën e lirë, por për fat të keq pushteti në Kosovë është ai që prish konkurrencën e lirë duke favorizuar dhe përkrahur sponsorizuesit e tyre apo bizneset që punojnë për këtë elitë politike", u shpreh ai. "Kosova po tenton të lëvizë në dy vektorë të kundërt, pra në njërën anë duke tentuar që të jetë pjesë e Bashkimit Evropian përmes MSA-së dhe tani me heqjen e vizave, ndërsa në anën tjetër kemi nivel të lartë korrupsionit dhe mafio-oligarkisë të theksuar", u shpreh Kadriaj. Ndërsa, analisti Reshat BadallajZhuriani, për gazetën "Kosova Sot", tha se Prokuroria Speciale dhe Policia e krimeve janë shumë të pafuqishme për të sjellë para drejtësisë mafio-oligarkët e bandës Devolli, sepse këta e kanë kapur dhe blerë shtetin, ndaj edhe këta janë duke bërë krim ekonomik me homologimin. Badallaj-Zhuriani thotë se edhe në qoftë se sillet para gjykatës kjo bandë e pamëshirshme serbiane "më besoni se nuk i ndodh gjë edhe për arsyen tjetër se këta janë mbi ligjin, mbi shtetin dhe mbi Kushtetutën e vendin, duke marrë parasysh vetëm e vetëm shikoni se sa e sa vepra penale kanë bërë kundër vendit dhe nuk i trazon askush". Sipas tij, këtu po dëmtohet shteti dhe popullata e saj, ndërkaq po pasurohen me para të pista të paligjshme oligarkët Devolli. "Jam i sigurt se të gjitha krimet që bëjnë banda serbiane Devolli dhe mafio-oligarkët e bandës së organizuar sistemi i kalbur i drejtësisë është në dijeni të plotë,por nuk mund të veprojnë, sepse mbi ta është paraja qindra milionëshe dhe ka të ngjarë se janë në të njëjtën valle të pazareve të krimit", vijoi më tej Badallaj.

"Monopoli i homologimit, sepse është një krim i organizuar dhe të cilin krim, sistemi i drejtësisë, i kontrolluar nga politika e inkriminuar dhe nëntoka e mafio-oligarkëve, nuk ka guxim dhe as interes ta hapë, pasi janë të përfshirë pushtetarë të majave e niveleve më të larta të këtij shteti puro-kriminal të kapur e të nëpërkëmbur nga krimi i organizuar e korrupsioni galopant dhe i pashembullt", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot"

"E tërë kjo punë e pistë do të zgjatë përderisa të bëhen ndryshime në vetë kreun e këtyre institucioneve të shtetit, që janë si struktura mafioze dhe që duhet të largohen dhe t'i lënë rrugën shtetit ligjor gjykatës dhe administratës, por edhe gllabërimit të mëtejmë të Kosovës", vlerësoi Ali Lajçi për "Kosova Sot"

"Mafio-oligarkët Devolli pa pasur frikë fare do të vazhdojnë për ta plaçkitur buxhetin e shtetit dhe popullatën e saj", u shpreh Reshat Badallaj

Pse po hesht Prokuroria?!

Analisti Bislim Aliu, për gazetën " Kosova Sot", tha se vërtet është e habitshme se si Prokuroria Speciale, por edhe Policia e krimeve ekonomike, po hezitojnë, por edhe frikësohen me të madhe, që të sjellin para drejtësisë personat përgjegjës, të monopolit kriminal të homologimit të Shkëlqim Devollit, por edhe shumë monopoleve të tjera. "Kjo heshtje e tyre është edhe më e çuditshme kur vetë kreu i Autoritetit të Konkurrencës ka deklaruar, se homologimi është monopoli më i pastër (i ndyrë) 100 për qind që është në Kosovë. Prandaj tani, shtrohet pyetja se përse Autoriteti i Konkurrencës nuk po e dërgon rastin urgjentisht në Gjykatën Kushtetuese dhe pse i janë dashur këtij Autoriteti, edhe pse me përbërje tjetër, pothuajse 10 vjet për të konstatuar se homologimi është monopol dhe është kundërkushtetues dhe joligjor", u shpreh ai."Përse Prokuroria Speciale dhe as ajo Themelore, e as Policia, nuk po i sjellin para drejtësisë personat zyrtarë të shtetit, që kanë nënshkruar dhe urdhëruar kontratën kriminale monopoliste për homologim, sikur edhe përfaqësuesit që kanë nënshkruar për Devollët e inkriminuar", vijoi më tej Aliu. Ai pyet se përse Ministria e Infrastrukturës po vazhdon të lejojë të "trashet" e të rritet monopoli kriminal përmes homologimit për Devollët, pas të cilave dyshohet se qëndrojnë në bashkëpunësi të fshehur Hashim Thaçi, Adem Grabovci etj. Sipas tij, kontrata e homologimit, që është në fuqi qe 10 vjet, dhe i ka zhvatur nga xhepat e qytetarëve mbi 20 milionë euro, për diçka që nuk ka nevojë fare si shërbim. Edhe pse gazetari i ka dërguar pyetjet me shkrim edhe Shkëlqim Devollit, i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.

(Kosova Sot)