Çfarë duhet të plotësoni që të përfitoni nga bonusi i Bashkisë së Tiranës për strehimin

  • 22 July 2018 - 23:15
Çfarë duhet të plotësoni që të përfitoni nga bonusi i Bashkisë së Tiranës për strehimin

Bashkia e Tiranës ka gati projektvendimin me formularët, procedurat dhe dokumentacionin, që qytetarët duhet të plotësojnë për të përfituar bonusin e strehimit.

Bonusi shpërndahet me vendim të Këshillit Bashkiak, për familjet që kanë aplikuar pasi kanë plotësuar formularin tip të strehimit dhe kanë dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm. Gazeta boton formularin, dokumentacionin dhe procedurat që duhet të plotësojnë familjet që aplikojnë për përfitimin e bonusit të qirasë së shtëpisë.

Projektvendimi i Bashkisë së Tiranës pritet të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak, ku do të përcaktohet edhe afati i nisjes së aplikimit. Pagesa e bonusit të qirasë përfitohet në bazë të të ardhurave mujore të familjes dhe qirasë, për të cilën është lidhur kontrata.

Fillimisht, çdo familje që kërkon të përfitojë bonusin e qirasë, duhet të plotësojë formularin e strehimit tip, pranë Zyrës së Urbanistikës në njësinë administrative ku është i regjistruar. Më tej, familja aplikuese, përveç plotësimit të formularit, duhet të dorëzojnë një deklaratë për vërtetësinë e të dhënave që deklaron, kopjen e kartës së identitetit të aplikuesit dhe certifikatën familjarë. Plotësimi i formularit të strehimit mund të kryhet në çdo kohë, pas miratimit të vendimit të Këshillit Bashkiak që gazeta po boton sot. Formulari dhe dokumentacioni i dorëzuar protokollohet nga vetë njësia administrative dhe i dërgohet Bashkisë së Tiranës për shqyrtim.

Familjet që kanë aplikuar, do të njoftohen pas 7 ditësh nëse janë përzgjedhur në bazë të kritereve për vazhdimin e aplikimit në fazën e dytë. Aplikuesit e përzgjedhur në fazën e dytë do të dorëzojnë dokumentacionin e plotë pranë Bashkisë së Tiranës, duke nisur që nga vërtetimi i të ardhurave, zyrës së punës, deklarimit të kontributeve etj. Këto dokumente duhen të jenë nxjerrë jo më vonë se 3 muaj nga data kur Komisioni i Strehimit do të publikojë datën e nisjes së fazës së dytë përzgjedhëse.

Përparësi në përfitimin e bonusit, sipas rregullave të përcaktuara nga Këshilli Bashkiak, kanë: jetimët, personat me aftësi të kufizuara, familjet e policëve të rënë në detyrë, emigrantët e rikthyer, punëtori emigrant, familjet e komunitetit rom dhe egjiptian dhe punonjësit e Policisë së Shtetit. Për raste të veçanta, kur shihet si domosdoshmëri për shkak të kushteve social-ekonomie të familjeve, qiraja e shtëpisë subvencionohet në masën 100 për qind.

Në këtë rast, kategoritë prioritare që përfitojnë 100 për qind bonusin e strehimit janë: gratë e dhunuara, komuniteti rom dhe egjiptian, familjet e prekura nga investime publike të Bashkisë së Tiranës dhe banesa është përjashtuar nga procesi i legalizimit, familjet njëprindërore, familjet e përbëra nga anëtarë të moshës së tretë, familjet në gjakmarrje, jetimët që jetojnë në konvikte dhe familjet në situatë rruge. Bashkia e Tiranës ka vijuar me ofrimin e përfitimit të bonusit të strehimit që nga viti 2007, ku subvencionohet një pjesë e konsiderueshme e qirasë së banesës, për familjet që jetojnë me qira dhe kanë të ardhura të pamjaftueshme për ta përballuar atë.

(Kosova Sot)