U zhduk në prill, analiza e ADN-së zbulon se gjaku është i Fation Fejzillarit

  • 22 July 2018 - 23:16
U zhduk në prill, analiza e ADN-së zbulon se gjaku është i Fation Fejzillarit

Miqësia e prishur mes dy shokëve fëmijërie nga Peqini përfundoi tragjikisht rreth 3 muaj më parë, teksa sëbashku kishin vajtur të tregtonin perde në veri të vendit.

Përgjigjia e analizave të ADN-së ka konfirmuar se gjaku i gjetur në makinën që udhëtonin sëbashku i përket Fation Fejzillarit, 30-vjeçarit të zhdukur që prej 29 Prillit 2018.

“Gjetën gjak në makinën e Fationit, tek dera e prapme dhe tek kukulla e xhamit tek pasqyra, gjaku është i Fationit”, thotë nëna e tij.

 

I dyshuari kryesor, tashmë i arrestuar, është shoku i tij i ngushtë Aleksandër Fadili, i cili e mohon autorësinë e krimit. Ai nuk pranon të bashkëpunojë me drejtësinë për gjetjen e trupit, pavarësisht se provat për implikimin e tij në vrasje janë të shumta. Ndërsa familjarët e viktimës ende shpresojnë dhe apelojnë për ndihmë.

 

“Të paktën ta di dhe unë ku është, t’i bëj një varr një gjë, ka 2 muaj e 18 ditë që djali më është zhdukur, nuk e di se ku ma kanë hedhur djalin”, shprehet babai i tij.

Aleksandër Fadili u përpoq të ngrinte një alibi, sipas të cilës shoku i tij ishte zhdukur me 2.6 milionë Lekë në qytetin e Laçit, alibi të cilën nuk hezitoi ta bënte publike në një intervistë për Klan Plus, pas insistimit të familjarëve të viktimës të cilët deri në atë moment nuk dyshonin aspak tek ai.

 

Kam frikë se mos e ka marrë ndonjëri peng për Lekët se ka pasur me vete”, deklaroi në atë kohë Aleksandër Fadili.

Por provat e tjera, që Prokuroria aktualisht posedon, dëshmojnë se 30-vjeçari Fejzillari ditën kur është zhdukur nuk kishte qenë në qytetin e Laçit. Ndërsa autori Aleksandër Fadili, natën e krimit, ndryshe nga sa pretendonte se kishte kërkuar shokun e tij në Milot dhe Laç, rezulton se sipas tabulateve telefonike ka qenë gjatë gjitha natës në Tiranë dhe në Kamëz dhe vetëm të nesërmen në mëngjes ka vajtur në Komisariatin e Policisë Kurbin për të bërë kallëzim për zhdukjen e shokut të tij.

“Ai nuk ka qenë fare në Laç, na ka gënjyer për 13 ditë, duke kërkuar kot në Laç”, thotë nëna e Fation Fejzillarit.

Pavarësisht hetimeve intensive, burime nga organi i akuzës bëjnë me dije për Klan Plus se ende nuk ka asnjë gjurmë të trupit të 30-vjeçarit Fation Fejzillari. Familjarët e viktimës mbeten vetëm me shpresën se autori do të tregojë ku e ka fshehur trupin.

(Kosova Sot)