Mafio-oligarkët e zhytën Kosovën në batakun e krimit

  • 22 July 2018 - 07:37
Mafio-oligarkët e zhytën Kosovën në batakun e krimit
Kelmendi: Kosovës i nevojitet një revolucion apo më mirë thënë i nevojitet një mospajtim qytetar ndaj këtyre gangsterëve politikë

"Nevoja për rritje dhe pasurim të pushtetarëve politikë të pushtetit të Kosovës bëri që të krijojnë kanale të fshehta të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit me oligarkinë kosovare, përmes formave të ndryshme të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mafia politike e Kosovës në stilin " Pronto" ka emëruar njerëz të saj në krye të institucioneve të pavarura dhe agjencive të ndryshme të Kosovës me qëllim të kontrollit të shtetit", thotë analisti politik Ymret Reshiti për gazetën "Kosova Sot"
 
Që nga pas lufta e deri më sot, në Kosovë u instalua politika e korrupsionit, krimit të organizuar dhe zhvatjes së parasë publike dhe qytetarëve të saj nga ana e të gjitha garniturave të pushtetarëve, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë komunal,thonë analistët. Nga ana e analistëve politikë dhe qytetarëve të Kosovës është shtruar në diskutim çështja se deri kur do të tolerojnë shoqëria jonë të jetë e diskriminuar, e gjunjëzuar dhe e nënshtruar para mafio-oligarkisë politike dhe mafio-bizneseve kriminale që janë këmbë e krye të lidhura me mafio-politikën në pushtet. Njohësit e kësaj fushe po pyesin se çka mund të presin qytetarët tanë kur pushtetarët multi-milionerë në kurriz të popullit, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, po jetojnë në vila të shtrenjta milionëshe, duke bërë një jetë sheikësh dhe po tallen me qindra mijëra familje të izoluara, të kushtëzuara në mbijetesën e tyre. Analistët po ashtu shtrojnë pyetjen se deri kur qytetarët tanë do të tolerojnë këta që na qeverisin, si në nivel qendror po ashtu edhe në atë lokal, që prej pas luftës, e të cilët, në momentin që marrin detyrën zyrtare, janë të obliguar t'u shërbejnë qytetarëve me ndershmëri dhe përkushtim në detyrim e zbatim të ligjeve dhe Kushtetutës,por asnjëri prej tyre nuk e bën. Analistët thonë me të drejtë se të gjitha partitë politike, pa asnjë dallim, u katapultuan dhe të gjitha ndoqën të njëjtin model të qeverisjes e që është korrupsioni, krimi i organizuar dhe zhvatja e shtetit dhe qytetarëve.

Oligarkia, pengesë për shoqërinë Analisti politik Arsim Haziri, për gazetën " Kosova Sot", tha se të gjitha institucionet ligjore pothuaj janë të privatizuara. "Ndryshimi në mënyrën e perceptimit të realitetit objektiv ndikon në mënyrën e bërjes së politikës, mënyrën e qeverisjes e orienton drejt perspektivës së përgjithshme, drejt një stabiliteti më ekonomik e social. Përfitimet e përvetësimet janë arsye kryesore pse mundohen me qenë me çdo kusht në pushteti, madje duke qenë bartës negativ të institucioneve publike arrijnë ta zgjasin edhe më tej lirinë e tyre", u shpreh ai."Kjo mendësi përderisa është funksionale, Kosova nuk mund të ketë ligj e rend, rregull dhe kushte të cilat janë faktorët më negativë për pamundësinë e bërjes së shtetit social", potencoi Haziri. Ndërsa eksperti i fushës së Integrimeve Evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën " Kosova Sot", tha se shoqëria shqiptare me theks të veçantë në Kosovë akoma është e papërgatitur për të jetuar e lirë dhe në një shtet të pavarur e demokratik mu për faktin se këtu kemi krijuar oligarkë, Sheik Hashim Thaçi, Sheik Ramush Haradinaj, Sheik Kadri Veseli. "Kësisoj do të vazhdojë që të kemi probleme derisa nuk e ndryshojmë këtë logjikë të të menduarit dhe për pasoja do të përballemi me të njëjtat probleme", ka theksuar ai.

RESHITI:QELBJA E KOSOVËS NË KRIM TË ORGANIZUAR E KORRUPSION U SHPËRFAQ MENJËHERË PAS SHPALLJES SË PAVARËSISË

Analisti politik Ymret Reshiti,për gazetën "Kosova Sot",tha se qelbja e Kosovës në krim të organizuar e korrupsion u shpërfaq menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës,ku Qeveria e Kosovës,e udhëhequr nga PDK-ja,filloi të aplikojë strategjinë e PDK-së për "mishërimin politik parti-shtet"."Kjo qeveri filloi partizimin e pushtetit të Kosovës duke e stërmbushur me militantë partiakë dhe familjarë të tyre.Gjithashtu kjo qeveri dhe qeveritë e tjera në vazhdim u kujdesën me prioritet që t'i akomodojnë në pozitat kyçe të pushtetin e Kosovës edhe të gjithë atë funksionarët të ish- Krahinës Socialiste të Kosovës që kishin qenë servile të Serbisë dhe tani të pushtetarëve të rinj.Nevoja për rritje dhe pasurim të pushtetarëve politikë të pushtetit të Kosovës bëri që të krijojnë kanale të fshehta të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit me oligarkinë kosovare, përmes formave të ndryshme të korrupsionit dhe krimit të organizuar",u shpreh ai. "Mafia politike e Kosovës në stilin " Pronto" ka emëruar njerëz të saj në krye të institucioneve të pavarura dhe agjencive të ndryshme të Kosovës me qëllim të kontrollit të shtetit.Mosndëshkimi i krimit të korrupsionit të zyrtarëve të nivelit të lartë të shtetit është si pasojë se organet e drejtësisë dhe prokurorisë janë të kapura nga mafia politike,ku gjyqtarë dhe prokurorë të caktuar kanë mision të tyre që të mbrojnë bosët e tyre të mafisë politike nga ndjekjet dhe ndëshkimet për vepra penale të krimit ekonomik dhe korrupsionit",vijoi më tej Reshiti."Kjo mafi politike financimin e siguron nga oligarkia kriminale e Kosovës,e cila si kundër shpërblim merr tenderë shumë milionësh si dhe privilegje të tjera,sidomos privilegjet e monopoleve në fusha të caktuara të sferës publike",thotë Ymret Reshiti për "Kosova Sot".

"Kam një bindje se Kosovës i nevojitet një revolucion apo më mirë thënë i nevojitet një mospajtim qytetar ndaj këtyre gangsterëve politikë, përkatësisht banditëve. Sidomos për treshen e madhe të gangsterëve politikë, treshen e madhe,Thaçi, Haradinaj dhe Veseli", u shpreh Jeton Kelmendi për "Kosova Sot"

Qytetarët akuzojnë mafio-bizneset dhe mafio-politikanët Edhe qytetarët e vendit thonë se janë tej mase të zhgënjyer me lidershipin politik të vendit. Jakup Shala nga Prishtina, inxhinier i diplomuar i bujqësisë dhe agronomisë për gazetën "Kosova Sot", tha se këta oligarkë që po bëjnë tregti me Serbinë, si janë, Devollët me grurë, ETC-ja e Ramiz Kelmendit, Latif Kryeziu etj., duhet të ndalen. "Që të bien nga froni nevojiten protesta masive në çdo komunë të Kosovës, në mënyrë që këta zhvatës të parasë publike të zhduken nga skena e bërjes së biznesit dhe e ndikimit të tyre të madh në politikë. Sepse, vërtet ata janë bërë të padurueshëm nga paraqitjet e tyre në televizionet publike duke u lavdëruar se gjoja ata janë duke punuar për Kosovën , kurse në fakt janë ata që e kanë bërë Kosovën të varur nga importet serbe. Aq më tepër kur Kosova mund të vetë-ushqehet, sepse i kemi mbi 200 mijë hektarë tokë që mund të mbillen me grurë e bereqete të tjera dhe që do të mund ta ushqenin Kosovën e qytetarët e saj, por edhe duke krijuar të ardhura për fermerët tanë duke i favorizuar fermerët dhe prodhuesit tanë", u shpreh ai. Sipas Shalës, kjo situatë do të zgjatë përderisa në pushtet të jenë këta sundimtarë, ndërsa shumica e qytetarëve tanë janë të zhgënjyer me lidershipin politik të pasluftës. Edhe qytetari tjetër, Sejdi Halimi,po ashtu nga Prishtina, ekspert i fushës së ekonomisë, për gazetën "Kosova Sot, tha se është për keqardhje për Kosovën që jemi shndërruar në një vend të varur nga importet serbe që po e bëjnë bizneset e afërta me politikën duke importuar mallra në vlerën prej 3 miliardë e 400 milionë eurove në vit. "Kjo po ndodh, sepse kompanitë e afërta me politikën, si janë Devollët, ETC-ja e Ramiz Kelmendit dhe Latif Kryeziu, e kanë bërë shtetin të varur nga importet serbe. Andaj, Qeveria duhet që të jetë e kujdesshme për ekonominë e Kosovës dhe nuk duhet lejuar që këto grupe mafiozësh që të na bëjnë të varur nga importet serbe duke ndërmarrë masa mbrojtëse për prodhuesit vendorë e jo që pushtetarët të mbyllin sytë përpara këtyre punëve të pista të këtyre bizneseve", u shpreh ai. "E tëra kjo gjendje në ekonominë tonë varet nga politikat fiskale që ishin kundër prodhimit dhe favorizuan importet. E tëra kjo po bëhet qëllimisht duke i favorizuar kompanitë e oligarkëve", ka thënë Halimi. Sipas tij, ekonomia e Kosovës nuk është një ekonomi prodhuese.

(Kosova Sot)