Pushtetarët matrapazë po IA FUSIN THIKËN KOSOVËS

  • 23 July 2018 - 07:46
Pushtetarët matrapazë po IA FUSIN THIKËN KOSOVËS
Kelmendi: Fajtorët kryesorë janë Thaçi, Haradinaj dhe Veseli 

"Jakup Krasniqi këshillon udhëheqjen politike kosovare të heqin dorë nga mësymja prepotente, që të bisedojnë me Serbinë pa konsensus të gjerë nacional, sepse paraqet rrezik për Kosovën. Urtia që duhet të nxirret nga shkrimi i Jakup Krasniqit, kur përmend gomarin, ka të bëjë me atë se njeriu duhet të nxjerrë mësim nga përvoja, sepse të njëjtën gjë e bëjnë kafshët", është shprehur analisti Ymret Reshiti për gazetën "Kosova Sot"

Ish-kryekuvendari Jakup Krasniqi, aktualisht kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, kritikoi mënyrën se si po qeveriset Kosova duke shkruar: "'Gomari nuk hyn dy herë në një batak' marrë nga Fatmir Gjata - në romanin "Përmbysja". Disa njerëz nga mëngjesi në mbrëmje hyjnë më shumë se dy herë në të njëjtin batak. Kjo u ndodh atyre që nuk e njohin urtinë tonë popullore. Prandaj na qeverisin mendjet e 'ndritura'?!", ka thënë Jakup Krasniqi. Se kush është gomari që hyn më shumë se dy herë në batak, sipas Krasniqit nuk dihet, por vetëm mund të ketë aludime. Analistët dhe qytetarët presin që të mësojnë se kush janë ata për të cilët flet Krasniqi, por duhet edhe Nisma, e cila fillimisht ka qenë kundër asaj që z.Hashim Thaçi të jetë në krye të dialogut me Serbinë që me gjasë do të rezultojë me kompromise të reja për Kosovën, ku njeriun e saj Fatmir Limaj i është bashkuar ekipit të "burrave " të pushtetit në dialogun e udhëhequr nga Thaçi në Bruksel, të cilët po hyjnë më shumë se dy herë në batak?!!!

Eksperti i fushës së Integrimeve Evropiane Jeton Kelmendi, për gazetën " Kosova Sot" thekson se deklaratat e fundit të eksponentëve politikë kundër njëritjetrit mbase janë të vërteta. "Fatkeqësisht, krejt atë që e ka thënë Jakup Krasniqi për Hashim Thaçin duke mos e mohuar Kadri Veselin dhe Ramush Haradinaj, që dikur kanë lëpirë në një koritë së bashku të gjithë, mendoj se janë të vërteta. Por, tragjikomike është se as Jakup Krasniqi nuk është më i mirë se Hashim Thaçi, sepse edhe ai ka qenë pjesë e të gjitha matrapazllëqeve që janë bërë rreth atyre tyxharllëqeve me Serbinë në politikë. Madje, madje, z. Jakup Krasniqi, dy mandate i ka përfunduar edhe si kryetar i Kuvendit të Kosovës. Nga një mësues fshati ai ka dalë kryetar i Kuvendit të Kosovës. Prandaj, Jakup Krasniq ka të drejtë, por duhet përfshirë edhe veten. Mendoj se kjo kastë politike e ka dëmtuar qytetarin deri në atë masë, saqë edhe dinjitetin qytetar ia ka humbur dhe për këtë fajtorët kryesorë janë tri kokat e krimit, Thaçi, Haradinaj dhe Kadri Veseli", është shprehur ai. Shton se këto janë figurat më të errëta të Kosovës në 20 vjetët e fundit. Haziri: Me këtë gjuhë Krasniqi nuk e distancon " Nismën nga degjenerimi total"

Analisti politik Arsim Haziri, për gazetën "Kosova Sot", theksoi se Jakup Krasniqi, pavarësisht aludimit që mund ta ketë përmes kësaj gjuhe, nuk mund ta distancojë subjektin e tij prej degjenerimit total që ia kanë bërë ndër vite. Sipas Hazirit, rruga ose mundësia relevante në krijimin e një qeverisje në interes të qytetarëve është ndryshimi në mënyrën e politikëbërjes. Analisti politik Ymret Reshiti, për gazetën "Kosova Sot", theksoi se Jakup Krasniqi në shkrimin e tij metaforik i dërgon publikut mesazhin e qartë për rrezikun që i kanoset Kosovës nga faza e re e bisedimeve me Serbinë. Ai vë në spikamë paditurinë e udhëheqjes politike të Kosovës, të cilët prapë provojnë ta përsërisin të njëjtin dështim, sikurse që e patën në bisedime me Serbinë. "Jakup Krasniqi këshillon udhëheqjen politike kosovare që të heqin dorë nga mësymja prepotente që të bisedojnë me Serbinë pa konsensus të gjerë nacional, sepse paraqet rrezik për Kosovën. Urtia që duhet të nxirret nga shkrimi i Jakup Krasniqit, kur përmend gomarin, ka të bëjë me atë se njeriu duhet të nxjerrë mësim nga përvoja, sepse të njëjtën gjë e bëjnë kafshët", është shprehur Reshiti. Sipas tij, z. Jakup Krasniqi i drejtohet ekipit që shkoi në Bruksel për t'u takuar me Vuçiqin, të cilët bisedimet me Serbinë po i marrin sikur po shkojnë "burrat e mëhallës të dërgojnë një fjalë nuseje", është shprehur ai .

Qytetarët, të pakënaqur me liderët e shtetit Ndryshe, edhe qytetarët e anketuar thonë se janë tej mase të pakënaqur me lidershipin e shtetit. Kështu, qytetari Rizah Haliti, për gazetën "Kosova Sot', theksoi se nuk ka asnjë dyshim që pushtetarëve tanë u ka humbur udha në oborr. "Ata janë në gjendje që t'i japin edhe familjet e tyre e lëre më Kosovën vetëm e vetëm që t'i ruajnë karriget e tyre. Ata për këtë popull nuk e çajnë fare kokën dhe e kanë harruar luftën, sepse lufta për ata kishte qenë e mirëseardhur. Andaj, marre është se çfarë janë duke bërë këtu dhe turp u qoftë. Këta pushtetarët tanë po na e bëjmë më zi se Serbia", theksoi ai. Edhe qytetari tjetër Skënder Petrova, për gazetën "Kosova Sot", theksoi se pushtetarëve tanë u ka humbur rruga, sepse tash 20 vjet në liri nuk ka asnjë përparim. "Andaj, e them lirshëm se për interesa të veta ata e shesin edhe Kosovën dhe nuk çajnë fare hallin për skamjen që e ka kapluar këtë popull", është shprehur Petrova. Ai thotë se populli duhet të ngritët i madh i vogël në protesta.

(Kosova Sot)