Drejtësia, një "korporatë hajdutërie

  • 23 July 2018 - 07:49
Drejtësia, një
Miftari: Ndalja e krimit bëhet vetëm përmes VETTING-ut 

"Si të fillohet një 'luftë', kur viktimat e para do të ishin zyrtarët e niveleve të larta. Kjo " qetësi" u siguron atyre veprime të njëpasnjëshme joligjore. Shkeljet e tyre nuk kanë të bëjnë vetëm me dëmtimin e buxhetit. Veprimet joligjore karakterizohen me veprimet që bëhen e që janë pjesë e ekonomisë joformale, ekonomisë së zezë. Transaksionet dhe qarkullimet bëhen pa pagesën e doganës, pa pagesën e tatimit dhe qarkullimet dhe transaksionet që nuk kontrollohen nga shteti. Pasuria e krijuar në atë mënyrë pastaj 'pastrohet' duke u futur në sistem nëpërmes bizneseve që nuk janë profitabile, por që mafia i fut në sistem duke i paraqitur si të suksesshme", thotë ishkreu i AKK-së, Hasan Preteni

Analistët, ekspertët e fushës së drejtësisë, vlerësojnë se sistemi i drejtësisë në Kosovë do të vazhdojë të mbetet duke funksionuar si një "korporatë hajdutërie" që kontrollohet nga politika e inkriminuar, nëntoka kriminale dhe mafio-oligarkët tashmë edhe një kohë të gjatë, derisa nuk ndodh një pastrim gjeneral nga rrjeti i kriminalizuar i politikës që ka futur duart e ndikimit thellë në këtë sistem. Sipas ekspertëve, në Kosovë nuk do të ketë kurrë sundim ligji, për sa kohë para drejtësisë nuk dalin mafio-oligarkët dhe nëntoka kriminale, që po dirigjojnë e ndërhyjnë çdo gjë në këtë vend, edhe pse shikuar realisht, sikur të kishim drejtësi të pavarur, një Prokurori dhe Polici e Gjyqësor efikas e syçelë e ka fare të lehtë të sigurojë fakte për t'i mbështetur me shpatulla për muri pushtetarët e niveleve të larta, por kjo e jona, as që merret me rastet e tilla! Për këtë arsye, sipas njohësve të kësaj fushe, nuk mund të ketë luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me këta sundimtarë vetë të inkriminuar në pozitat më të larta të vendit

MIFTARI: JA SE SI MUND TË BËHET SHKAPJA E SHTETIT DHE DREJTËSISË NGA KRIMI!

Eksperti tjetër i kësaj fushe, Naim Miftari vlerëson se dështimi i drejtësisë deformimet,drejtësia selektive në organet e drejtësisë dhe ndjekjes në Kosovë, do të vazhdojnë gjersa nuk i ndalon ndokush. Për të ndodhur shkapja e shtetit dhe drejtësisë nga krimi, ai parasheh tre skenarë të ndryshëm të mundshëm, por që ka edhe rrezik për përballje me pushtetin e inkriminuar. "Ndalja bëhet vetëm në dy mënyra VETINGU, ku do të pastroheshin organet e drejtësisë nga elementet e krimin të organizuar pastaj drejtësia do tentonte ta pastronte politikën nga kriminelët e krimit të organizuar dhe mafia e cila është prezente pothuajse në të gjitha partitë. Mënyra e dytë është revoltë masive popullore. Dhe mundësia e tretë është nëse do ta merrte pushtetin me vota një parti e pakorruptuar nga mafio-oligarkia kriminale, parti atdhedashëse edhe shtetformuese, por shanset që të vijë në pushtet ndonjë kësi lloj partie politike janë tash për tash ZERO. E them këtë pasi edhe tërë KQZ-ja dhe mekanizmat e tjerë të menaxhimit të zgjedhjeve janë po ashtu të kapura nga krimi i organizuar politik dhe ekonomik, krim i cili popullatën tonë dhe pronën e shtetit tonë e sheh si pronë private të tyre", është shprehur ai. "Policia, AKI, Prokuroria dhe Gjyqësia janë vetëm instrumente në dorë të krimit të organizuar, pra në vend që ta luftojnë mafinë e fshehur në politikë, këto organe e ruajnë krimin e organizuar, i mbrojnë politikanët e korruptuar dhe ua ruajnë pasuritë e tyre multi- milionëshe që i kanë fituar nga korrupsioni dhe kontrabandat, nga krimet e ndryshme. Jam shumë i bindur se Kosova me këtë popullatë jo të organizuar dhe të kapur po ashtu nga interesi personal, do të jetë edhe shumë vjet dhe dekada shtet joserioz, shtet karikaturë që do qeshin edhe fqinjët tanë armiqësorë, sepse është krijuar bindja nga shumica ndaj nesh, se me këtë lloj shtetbërje, ne nuk i ngjajmë sot një shteti, por i ngjajmë një lloj krahine të vogël me shumë padronë, mbretër, dhe udhëheqës mafiozë që vetëm e bartin petkun e politikave", theksoi analisti Naim Miftari për "Kosova Sot".

PRETENI:FITOHET LEKU ME DROGË,CIGARE,KAZINO DHE NAFTË E PASTAJ KËTA KEQBËRËS HAPIN RESTORANTE,NDËRTOJNË BANESA DHE HAPIN BIZNESE TË TJERA E NËPËRMJET TYRE I " LEGALIZOJNË "LEKËT"!

Ish kreu i Agjencisë Kundër Korrupsion, njohësi i mirë i këtij sistemi, z. Hasan Preteni theksoi për "Kosova Sot" se nuk ka veprime adekuate në këtë fushë, pasi kjo do të thoshte ndjekje dhe ndëshkim ndaj vetë atyre që janë në pushtet dhe pozita të caktuara edhe në sistemin e drejtësisë. "Askush nuk do të marrë veprime kundër vetvetes. Si të fillohet një"luftë",kur viktimat e para do të ishin zyrtarët e niveleve të larta. Kjo " qetësi" u siguron atyre veprime të njëpasnjëshme joligjore. Shkeljet e tyre nuk kanë të bëjnë vetëm me dëmtimin e buxhetit. Veprimet joligjore karakterizohen me veprimet që bëhen e që janë pjesë e ekonomisë joformale, ekonomisë së zezë. Transaksionet dhe qarkullimet bëhen pa pagesën e doganës, pa pagesën e tatimit dhe qarkullimet dhe transaksionet që nuk kontrollohen nga shteti. Pasuria e krijuar në atë mënyrë pastaj " pastrohet" duke u futur në sistem nëpërmes bizneseve që nuk janë profitabile, por që mafia i fut në sistem duke i paraqitur si të suksesshme. Pastrim parash! Fitohet leku me drogë, cigare, kazino dhe naftë e pastaj këta keqbërës hapin restorante, ndërtojnë banesa dhe hapin biznese të tjera e nëpërmjet tyre i " legalizojnë" lekët. Kjo veprimtari u mundëson shumë personave që të fitojnë shumë dhe shpejt. Nuk është e domosdoshme që zyrtarët shtetërorë të kyçen në mënyrë të drejtpërdrejtë, në shumicën e rasteve këta u mundësojnë strukturave të caktuara që të veprojnë pa frikën se do të kapen nga drejtësia", theksoi Preteni për gazetën "Kosova Sot". Ai shton se politika ia siguron trasenë oligarkëve për të bërë para. "Shikoni se kush çfarë pasurie krijoi pa punuar asnjë ditë", theksoi Preteni për "Kosova Sot".

KAPITI: KRIMI I ORGANIZUAR DHE KORRUPSIONI KANË KAPUR, MENAXHOJNË DHE DREJTOJNË DREJTËSINË DHE POLITIKËN NË KOSOVË!

Sipas njohësit të kësaj fushe Skënder Kapiti, krimi dhe korrupsioni në këtë vend nuk mund të luftohet pa VETTING, pasi faza e tranzicionit i ka instaluar dhe fuqizuar shumë ato. "Krimi i organizuar dhe korrupsioni kanë kapur, menaxhojnë dhe drejtojnë drejtësinë dhe politikën në Kosovë. Dhe kjo është arsyeja se përse gjendja është kjo që është e rëndë, e korruptuar, e zymtë , e paperspektive dhe e pashpresë për të ndryshuar. Demokraci dhe shtet ligjor kurrë nuk mund të ketë pa zbatim të ligjit, dhe jo zbatim të kriminalizuar dhe të korruptuar të tij dhe të Kushtetutës, siç ndodh në Shqipëri ku Kosova ka marrë modelin e saj. Shoqëria kosovare nuk e di se përse ka rënë në këtë letargji dhe nuk reagon. A nuk e shikon se mosveprimi dhe mos reagimi kundër kësaj klase politike mafio- oligarkike korrupsioni dhe antiligjshmërie se ku e çoi Shqipërinë, ku gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë,të Këshillit të Lartë të Drejtësisë- KLD-së dhe i gjithë Gjyqësori në Shqipëri po del dhe po ndëshkohet nga VETTING-u, ku pothuajse të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët po dalin me rekorde kriminale, hajnie, korrupsioni dhe me vjedhje e fshehje pasurie. Pas tyre me siguri radhën do ta kenë para VETTING-ut dhe para ligjit edhe 'peshqit e mëdhenj' të krimit dhe korrupsionit të politikes. Kjo situatë është edhe në Kosovë, dhe prandaj nuk mundë dhe nuk do të ketë rezultate lufta institucionale dhe ligjore me këta politikanë, me këtë elite politike dhe me këtë sistem drejtësie që ka sot Kosova, sepse këta janë vetë të kriminalizuarit, të korruptuarit, hajnat , mashtruesit, tradhtarët dhe dëmtuesit e mëdhenj publikë ,shtetërorë dhe kombëtarë", është shprehur Kapiti për "Kosova Sot". Ai shton se duhet filluar ndryshimi nga themeli, dhe themeli i shtetit është drejtësia. "Aty ku nuk funksionon drejtësia, aty mirë funksionon krimi, korrupsioni dhe pabesia e tradhtia dhe kusuret për këto i paguan populli, të cilin e keqpërdor, e shfrytëzon, e vjedh dhe e grabit mafio-oligarkia', theksoi Kapiti për "Kosova Sot".

Kelmendi: Drejtësia vepron në mënyrë selektive Publicisti dhe analisti, Naim Kelmendi thotë se askush nuk mund ta mohojë që deri më tani, imazhi i shtetit të Kosovës është duke u rrezikuar dhe njollosur në vazhdimësi nga lidershipi qeveritar, pikërisht për shkak të dështimit të vazhdueshëm në realizimin e premtimeve për shtet të së drejtës të pandikuar nga politika, për të mos qenë askush mbi ligjin dhe kundër ligjit, për luftimin e pamëshirshëm të krimit të organizuar dhe të korrupsionit. " Realiteti në vazhdimësi ka treguar diçka krejt ndryshe. Tanimë është vërtetuar në dhjetëra dhe qindra raste se drejtësia në Kosovë nuk vepron në mënyrë profesionale dhe të pavarur, por kryesisht vepron në mënyrë selektive dhe është e dirigjuar tërësisht e kryekëput nga politika dhe njerëzit e fortë të politikës. Është shumë shqetësues fakti kur i gjithë opinioni publik është dëshmitar i kohës, që kemi parë dhe përcjellë me qindra raste të çështjeve madhore ku drejtësia ka qenë e dirigjuar nga politika dhe rastet janë mbyllur pa ndonjë epilog ndëshkues të të akuzuarve për vepra të rënda kriminale, të abuzimit më paranë publike dhe pozitën zyrtare", është shprehur Kelmendi. 

(Kosova Sot)