Kontrabanda e mafio-oligarkëve në Dogana nuk vë në lëvizje Prokurorinë

  • 23 July 2018 - 07:51
Kontrabanda e mafio-oligarkëve në Dogana nuk vë në lëvizje Prokurorinë

Shahini: Në pikat doganore falsifikohen dokumentacionet me numra të ndryshëm tariforë

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar vetë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti foli hapur në Kuvend për kontrabandën evidente e për mejdani që po bëhet ndër shumë vjet dhe pandalshëm, duke kërkuar forcim serioz të kontrollit të Doganave, meqë, sipas tij, po bëhet kontrabanda më e madhe me mallra që kanë akcizë, si cigare, naftë, alkool dhe të tjera, e ku Doganat mbyllin kamerat për të depërtuar këto mallra. Haliti para deputetëve iu drejtua kryeministrit Haradinaj: "Z. kryeministër, t'u kisha lut' me i kontrollue Doganat e Kosovës, jo me kamera, po me mekanizma më seriozë e të besueshme, që të kontrollohen për mallrat që hyjnë në kufi, e që kur ato hyjnë ilegalisht nëpër kufi, po ndalen kamerat, duke e ngritur trarin e kalimit të kontrabandës pandashëm. Cigaret, alkooli e sidomos nafta janë kontrabanda më e madhe që po e gërryejnë përtokë buxhetin e Kosovës", ishte shprehur Haliti në Kuvend. Nga ana tjetër, analistët pyesin se kush po i fik kamerat e Doganave për të lejuar kontrabandën shumëmilionëshe, pse Prokuroria Speciale po hesht dhe nuk po vepron edhe pse njerëz të fuqishëm brenda Doganave e Qeverisë në bashkëveprim po lejojnë kontrabandë të madhe qindra-milionëshe, por edhe që janë përgjegjës edhe penalisht për krim të rëndë e të organizuar ekonomik, duke fikur kamerat që kontrollohen nga zyrtarë shteti në kufi e Dogana, për të lejuar kamionët e autobotet e mafio-oligarkëve politikë e ekonomikë që të hyjnë ilegalisht edhe ditën me diell, edhe natën pa ndonjë frikë. Analistët thonë se me këto veprime po i shkatërrojnë themelet e shtetit zyrtarët e lartë në Dogana të Kosovës duke u bërë pjesë aktive e krimit ekonomik, kontrabandës kundër buxhetit të shtetit. Si dihet, kanë qenë gazetarët e gazetës "Kosova Sot", ata që në vazhdimësi kanë ngritur zërin për ekonominë e madhe informale, kontrabandën alarmante dhe abuzimet që po bëhen përmes shpërdorimit të pozitave shtetërore dhe rrjeteve kriminale e familjeve mafioze që kanë lidhje me zyrtarët kosovarë në Qeveri, në Dogana, në ATK. 

Shahini: Evazioni fiskal në masë të lartë po e rrezikon edhe vetë buxhetin e shtetit

Kreu i AKB-së Agim Shahini, për gazetën "Kosova Sot", theksoi se evazioni fiskal në Kosovë ende është në masën e lartë dhe ky po e rrezikon edhe vetë buxhetin e shtetit dhe konkurrencën e drejtë e të lirë. "Kjo bazuar në fakte se edhe zyrtarët më të lartë të shtetit e konfirmojnë se kontrabanda dhe evazioni fiskal janë prezentë në Kosovë. Këtë e konfirmojmë edhe ne si AKB, që vazhdimisht e kemi thënë këtë, por edhe në hulumtimet tona i kemi hasur këto rezultate duke dëshmuar se kontrabanda dhe evazioni fiskal janë mbi 30 për qind. Kur flasim për evazion fiskal nuk mendojmë vetëm në Veriun e Kosovës, por edhe në Pikat e tjera doganore, ku falsifikohen dokumentacionet me numra të ndryshëm tariforë, duke tentuar që t'u ikin akcizave të larta, të cilat janë në Kosovë, duke tentuar që t'i ikin edhe taksave doganore dhe TVSH-së dhe që këto janë përfitime të larta qoftë për atë biznese që merren për atë punë apo për ata zyrtarë të lartë të shtetit që e mbështesin këtë proces", është shprehur Shahini për gazetën. Sipas Shahinit, institucionet e shtetit, duke filluar nga lartë e deri poshtë, duhet që të jenë të pakompromis në luftën e tyre me kontrabandistët çfarëdo nacionaliteti qofshin ata, duke mos u ofruar strehim e siguri e duke mos lejuar që në këto punë të pista që po i bëjnë ata të mos thirren më emër të institucioneve dhe personave të fuqishëm që janë në institucionet e shtetit. "Por, këta persona që merren me këto punë të ndaluara duhet që gjithsesi të përgjigjen para institucioneve të drejtësisë, në mënyrë që të krijohet konkurrenca fer e biznesit në vendin tonë", është shprehur ai. Shahini thotë se mbi 94 për qind e investitorëve të huaj që vijnë në Kosovë nuk ndalen në Kosovë për të investuar, por arsyet e tyre përse ata nuk vijnë këtu ku ka mungesë sigurie për investime. Salihu:Kufiri i Kosovës nuk kontrollohet sa duhet nga Policia e Kosovës Ndërsa deputeti Salih Salihu, për gazetën " Kosova Sot", theksoi se kufiri i Kosovës nuk është i kontrolluar sa dhe si duhet nga Policia e Kosovës. "Madje, në disa komuna vetë Policia e Kosovës bashkëpunon me kontrabandistët duke lejuar futjen e mallrave në të zezën, sidomos atyre mallrave që janë me akcizë të madhe, si janë derivatet e naftës, duhani, alkooli, etj". Salihu thotë se natyrisht që të gjitha këto punë të pista i dinë edhe krerët e shtetit, edhe Qeveria dhe Policia e Kosovës, por për fatin tonë të keq, ndonëse si çështje i ka paraqitur në Kuvendin e Kosovës edhe z Xhavit Haliti, deri më tash nuk është ndërmarrë asgjë në atë drejtim që të ndërpritet kjo dukuri që po zhvat buxhetin Kosovës". Salihu thotë se ka dëgjuar se ka edhe raste kur ai koordinim në mes vetë Policisë, Doganës dhe kontradanduesve në mënyrë që mos të ndeshen në mes vete kur këto mallra futen në të zezën. "E gjithë kjo kontrabandë po i shkakton dëme të mëdha buxhetit të vendit, ngase nuk paguhet asgjë as tatim, as taksë dhe asgjë në arkën e shtetit", është shprehur ai.

Beqiri: Nuk ka asnjë hetim për pretendimet e Xhavit Halitit Eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri, për gazetën " Kosova Sot", theksoi se opinioni publik kosovar vazhdon që të ruajë tendencën e fortë të optimizmit, optimist në ekonomi, punësim, luftim të korrupsionit, luftë ndaj nepotizmit, integrimeve euroatlantike, edhe pse ndodhin 1001 probleme të tjera. " Në muajin dhjetor të vitit 2017, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Xhavit Haliti i bëri thirrje kryeministrit Haradinaj që të hetojë Doganat, pasi, siç pretendon z. Haliti, kamerat e sigurisë në Dogana fikën në momente të caktuara dhe bëhet kontrabandë e madhe nën syrin e doganierëve, dhe tashmë kanë kaluar më shumë se 6 muaj dhe nuk ka një hetim lidhur me pretendimet e deputetit në fjalë. Prokuroria e Shtetit duhet të ketë reaguar deri tash ose deputeti duhet të japë informata ose të shkojë në burg. Nuk ka më akuzua e kurrë Prokuroria mos të ndërmarrë hetim", është shprehur ai. Beqiri thotë se ka edhe qindra vendime, të cilat kanë irrituar qytetarët dhe bashkësinë ndërkombëtarë, siç ishte rasti i punësimeve në Ministrinë e Tregtisë dhe rritjen e pagave, andaj ky popull meriton një qeverisje më efektive, efikase dhe transparente. Analisti Reshat Badallaj për gazetën " Kosova Sot" theksoi se nuk ka fare dyshim që me dijeninë e majave të larta të shtetit lulëzon kontrabanda nëpër Dogana. "Janë vetëm fjalë të tyre kinse për kontroll ka edhe kamera. Krimi i organizuar ekonomik në vend pikërisht bëhet e nga këta mafio-oligarkë të këtyre kapove të krimit. Sa për forcim serioz që thonë këta mashtrues.

nuk është asgjë tjetër pos matrapazllëk i sojit të këtyre banditëve, që e godasin ekonominë e vendit deri në vdekje dhe duke e goditur shumë rëndë buxhetin e shtetit dhe me këto para të pista pasurohen vetëm kjo bandë mafioze. Kontrabanda nuk bëhet pa dijeninë e tyre dhe si ka mundësi të fiken kamerat. Po kjo lojë e pistë është e këtyre kryebanditëve që nga majat e shtetit dhe nuk është lehtë të thuhet publikisht kjo", është shprehur Badallaj për gazetën "Kosova Sot".

Badallaj theksoi se hajnat e shtetit dhe kontrabanda bëhen nga banditët dhe kryebanditët që nga majat e shtetit. "Banditët që e plaçkitin shtetin i kemi në pushtet, nuk janë në rrugë, ngase si mund të hyjë një qytetar i thjeshtë t'i fikë kamerat në Dogana. Pra, doganierët nuk i fikin kamerat pa urdhrin e këtyre banditëve të pushtetit, sepse këta janë matrapazë", theksoi Badallaj. Ai theksoi se gazeta "Kosova Sot" po e kryen borxhin karshi qytetarëve të saj duke i treguar me kohë popullit për kontrabandën që po vlon nga kantrabandistët dhe mafio-oligarkët, por përgjegjësinë e madhe do ta mbajnë Prokuroria që heshtë si gjyshe memece.

Analisti Bislim Aliu, për gazetën "Kosova Sot", pyet se kush po i fik kamerat e Doganave, për të lejuar kontrabandën shumëmilionëshe dhe jep përgjigjen se po të mos heshte Prokuroria Speciale gjërat do të ishin të ditura. "Prokuroria nuk vepron kundër njerëzve të fuqishëm në Dogana e në Qeveri, të cilët në bashkëveprim po lejojnë kontrabandën e madhe qindra-milionëshe, por edhe që janë përgjegjës, për krime të rënda të organizmit ekonomik, duke i fikur kamerat në kufi, për të lejuar kamionët e mafio-oligarkëve politikë të hyjnë ilegalisht edhe ditën me diell, por edhe natën pa kurrfarë frike", ka theksuar Aliu, duke shtuar se Doganat po i shkatërrojnë themelet e shtetit.

Kadriaj: Gjendja duhet të jetë alarmante, se një njeri si Xhavit Haliti nuk flet kot Eksperti i ekonomisë Mustafë Kadriaj, për gazetën 'Kosova Sot', theksoi se duke marrë parasysh nivelin e lartë të importit dhe të kontrabandës që bëhet në Dogana, po ashtu edhe nga denoncuesi që në këtë rast është Xhavit Haliti, mendoj që gjendja duhet të jetë alarmante, sepse një njeri si Xhavit Haliti nuk flet kot kur dihet bekgraundi i tij si personalitet, pra është një njeri që i nuhat gjërat larg, ky do të duhej të ishte alarm për institucionet tona". "Dyshimi është aq i madh që në Dogana kalohen shumë produkte pa kontroll si nga ana e taksimit po ashtu edhe nga ana e sigurisë shëndetësore për konsum. Pra, Dogana është alfa dhe omega e krimit ekonomik që po të merren masa aty do të përmirësojë, do të ndikonte në efekte pozitive për ekonominë", është shprehur Kadriaj. Ai tutje shprehet: "Duhet të jemi të qartë që menaxhmenti dhe oficerët doganorë janë vetëm zbatues dhe nën urdhrat e mafio-oligarkisë dhe e njerëzve të fortë në vend. Mendoj që është mëkat nëse faji mbetët vetëm aty. Pra, e keqja fillon nga njerëzit e politikës që ata janë vetë ligji. Pra, në Kosovë kemi standarde të dyfishta, për qytetarët kemi zbatim të ligjit 100 për qind, ndërsa në anën tjetër njerëzit ë politikës, si pozitë dhe opozitë, e shkelin ligjin çdo ditë", është shprehur eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj për gazetën "Kosova Sot'.

Ndërsa, analisti i ekonomisë Zekim Istogu, në një prononcim të shkurtër për gazetën "Kosova Sot", theksoi se ka shumë gjëra që duhet faktuar, se në tregtinë e mallrave me akcizë ka shumë të inkriminuar në nivelin e lartë të politikës dhe biznesit të lidhur me politikën, sidomos këtu duhet veçuar tregtinë me duhanin". Gazetari u ka dërguar pyetje për çështjen në fjalë Doganës, Qeverisë, Prokurorisë Speciale dhe asaj të Shtetit, por nuk ka marrë përgjigje. Po ashtu nuk ka qenë e mundur të kontaktohet as nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Halitit, se a është intervistuar ndonjëherë nga Prokuroria e Policia për deklaratat e bëra në Kuvend.


(Kosova Sot)