Kurti tregon 5 arsye, pse në Kuvend nuk duhet të flitet për dialogun

  • 23 July 2018 - 13:29
Kurti tregon 5 arsye, pse në Kuvend nuk duhet të flitet për dialogun

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka renditur 5 arsye për dialogun Kosovë-Serbi, në raport me Kuvendin e Kosovës.

Kurti ka thënë se Kuvendi i Kosovës nuk ka pse flet për dialog të ri kur  deputetët nuk e diskutuan dialogun ‘e vjetër’.

Ai ka thënë gjithashtu se në Kuvend të Kosovës nuk duhet të diskutohet për ecurinë e dialogut të ri dhe siguresat e tij, pa e marrë së pari qeveria barrën e provës së argumentimit pse na nevojitet ky dialog mu tash dhe çka është domethënia e tij.

Ai ka shprehur bindjen se marrëveshja kryesore e Brukselit, ajo e 25 gushtit 2015, është jokushtetuese dhe se doli edhe zyrtarisht si e tillë.

Më poshtë e keni të plotë shkrimin e tij pa ndërhyrje

5 pika për dialogun në Kuvend

1. Kuvendi i Kosovës nuk ka pse flet për dialog të ri kur ne deputetët nuk e diskutuam dialogun ‘e vjetër’. Nuk bën të vrapohet në dialog të ri me Serbinë pa shqyrtuar premisat, procesin, marrëveshjet, zbatimet si dhe rezultatet e dialogut 2011-2017. Aq më tepër që Qeveria e ka sjellur një material me 38 faqe mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit. Ky material duhet diskutuar e shqyrtuar paraprakisht.

2. Në Kuvend të Kosovës nuk duhet të diskutohet për ecurinë e dialogut të ri dhe siguresat e tij, pa e marrë së pari qeveria barrën e provës së argumentimit pse na nevojitet ky dialog mu tash dhe çka është domethënia e tij. Këtu duhet përfshirë edhe sqarimin e kuptimit të saktë të shprehjeve si “normalizim i plotë”, “normalizim”, “marrëveshje ligjërisht e obligueshme”, “kompromis i dhimbshëm” etj.

3. Rendi i duhur i gjërave është që ne duhet t’i shtrojmë zyrtarisht kërkesa Serbisë, e pastaj ajo le të kërkojë dialog me neve. Serbia na ka aq shumë borxh, ne kemi se çka i kërkojmë asaj, apo jo? Prandaj, Kuvendi i Kosovës duhet që paraprakisht të diskutojë dhe miratojë kërkesat e Republikës së Kosovës ndaj Republikës së Serbisë.

4. Marrëveshja kryesore e Brukselit, ajo e 25 gushtit 2015, doli të jetë anti-kushtetuese. Secili prej shtatë kapitujve të ‘Zajednicës’ e ka shkelur Kushtetutën në gjithsej 23 nene! A nuk do të duhej të diskutojmë për përgjegjësinë politike, institucionale, morale etj. të akterëve? Ata zyrtarë e politikanë kosovarë që po insistojnë për këtë dialog të ri janë pak a shumë ata që e mbështetën ‘Zajednicën’.

5. Pa mandatin e Kuvendit të Republikës, presidenti aktual e nisi dialogun e ri me Serbinë. Shpërfilli karakterin e republikës sonë parlamentare dhe jo vetëm. Thaçi takoi Vuçiqin e Serbisw pak ditë pasi takoi Medvedevin e Rusisw me ç’rast deklaroi “Kryeministrin Medvedev shkurtimisht e informova për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon.” Presidenti nuk duhet të jetë informator. Kuvendi i Kosovës që mbledh përfaqësuesit e popullit duhet ta trajtojë aventurën personale të presidentit dhe të marrë qëndrim për veprimet e tij pa mandat dhe sjelljen e tij pa integritet.

(Kosova Sot)