Guraziu: Thaçit duhet t'i merret mandati i presidentit, derisa nuk ka mbërri deri te sakatimi i territorit të Kosovës!

  • 23 July 2018 - 14:03
Guraziu: Thaçit duhet t'i merret mandati i presidentit, derisa nuk ka mbërri deri te sakatimi i territorit të Kosovës!
 Shpëtimin nga sakatosja dhe defunksionalizimi i plotë i shtetit të Kosovës, përmes veprimit urgjent të Kuvendit të Kosovës që t'i merret mandati presidentit Thaçi, e sheh edhe analisti Ragip Guraziu. "Thaçit duhet t'i merret mandati i presidentit, derisa nuk ka mbërri deri te sakatimi i territorit të Kosovës. Thaçit duhet t'i merret mandati i presidentit pasi mund ta sakatojë e ta tradhtojë territorin për ambiciet e tij dhe frikën nga Specialja. Edhe pyetja ime për Thaçin do të ishte: pse po ngutesh Hashim Thaçi kaq shumë për të bërë pazar territorin e shtetit të Kosovës, a është arsyeja e vetme për t'i ikur e për t'i shpëtuar Gjykatës Speciale , duke e caktuar tanimë takimin e radhës me Aleksandar Vuçiqin në Bruksel në fillim të shtatorit? Mirëpo, për mua është shqetësues fakti se si edhe opozita akoma po tregohet tërësisht indiferente, ndërkaq që edhe populli po duket se është shumë i habitur e nuk po reagon për rrezikun për ndarjen e Kosovës, e për çka flitej prej kohësh, pra për pazaret në kurriz të sovranitetit të vendit dhe integritetit territorial", është shprehur Guraziu. Ai tutje ka shtuar: "Përfundimisht e ndaj mendimin se nuk duhet t'i lejohet Hashim Thaçit për interesa personale, të lërë në harresë historinë e negociatave vërtet të dhimbshme që u kurorëzuan me planin 'Ahtisari', prej të cilit erdhi edhe pavarësia, me kushtëzime dhe privilegje të jashtëzakonshme për pakicën serbe, e cila, edhe pse përbën vetëm më pak se pesë për qind të popullsisë, gëzon të drejta edhe më të shumta edhe se shumica dërrmuese që është shqiptare. Kalimi përtej kësaj kornize është më shumë se tradhti kombëtare dhe për mua është tepër e habitshme se si po përpiqet që me mish e shpirt z. Thaçi t'ia sigurojë edhe territorin për akomodimin e mekanizmit puro-antikushtetues "Zajednicës", vetëm në këmbim të shpëtimit të vetes së tij nga Gjykata Speciale. Pavarësisht kësaj, unë mendoj që Kosovës nuk duhet t'i ngutet aspak për një marrëveshje të tillë të dëmshme, ndërsa Serbia vërtet e ka me ngut, sepse Serbia po merr e shpërblehet dhe pret benefitet e papara nga BE-ja,", theksoi analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot".