Kelmendi: Drejtësia vepron në mënyrë selektive ,improvizon duke u marrë me raste që nuk çojnë peshë të madhe në opinionin publik

  • 23 July 2018 - 14:05
Kelmendi: Drejtësia vepron në mënyrë selektive ,improvizon duke u marrë me raste që nuk çojnë peshë të madhe në opinionin publik
Naim Kelmendi thotë se askush nuk mund ta mohojë që deri më tani, imazhi i shtetit të Kosovës është duke u rrezikuar dhe njollosur në vazhdimësi nga lidershipi qeveritar, pikërisht për shkak të dështimit të vazhdueshëm në realizimin e premtimeve për shtet të së drejtës të pandikuar nga politika, për të mos qenë askush mbi ligjin dhe kundër ligjit, për luftimin e pamëshirshëm të krimit të organizuar dhe të korrupsionit. " Realiteti në vazhdimësi ka treguar diçka krejt ndryshe. Tanimë është vërtetuar në dhjetëra dhe qindra raste se drejtësia në Kosovë nuk vepron në mënyrë profesionale dhe të pavarur, por kryesisht vepron në mënyrë selektive dhe është e dirigjuar tërësisht e kryekëput nga politika dhe njerëzit e fortë të politikës. Është shumë shqetësues fakti kur i gjithë opinioni publik është dëshmitar i kohës, që kemi parë dhe përcjellë me qindra raste të çështjeve madhore ku drejtësia ka qenë e dirigjuar nga politika dhe rastet janë mbyllur pa ndonjë epilog ndëshkues të të akuzuarve për vepra të rënda kriminale, të abuzimit më paranë publike dhe pozitën zyrtare", është shprehur Kelmendi.

"Drejtësia vepron në mënyrë selektive, apo më mirë është për të thënë se improvizon duke u marrë me disa raste që nuk çojnë peshë aq të madhe në opinionin publik, por as si raste që ndikojnë në mirëqeverisje dhe në luftimin e krimit e të korrupsionit, por shënohen si raste sa për të krijuar perceptimin tek qytetari i painformuar mirë se kinse po punohet, derisa janë ato rastet serioze madhore të cilat ia zbehin imazhin dhe ia humbin kredibilitetin shtetit të Kosovës, të cilat ose zvarriten, ose mbyllen tërësisht pa i trajtuar deri në fund. Në disa raste nxirren të pafajshëm aktorët përkatës ose duke i shpallur si mungesë provash, vetëm për shkak se nga aty mund të prishet rahatia e ndonjë 'peshku të madh' që mban pozitë të lartë në institucionet e shtetit", theksoi analisti Naim Kelmendi për "Kosova Sot"