Asnjë shenjë reforme në drejtësinë e korruptuar kosovare

  • 10 August 2018 - 07:42
Asnjë shenjë reforme në drejtësinë e korruptuar kosovare
Miftari: Për drejtësinë bisedohet paraprakisht dhe vendoset në prapaskenat kriminale të politikës


"Fatkeqësisht, për 19 vjet, de-fakto politika dhe drejtësia po sillen si një shoqëri a 'korporatë aksionare', ku secila shikon përfitimet e veta e jo interesat e qytetarëve sipas funksionit dhe detyrimeve ligjore. Në të vërtetë drejtësia dhe politika janë mëkatarët dhe shkatërruesit më të mëdhenj të kësaj shoqërie 'korporativokriminale', ku asnjëra palë nuk kryen detyrimet që ka me ligj, por secila në kurriz të popullit pasurohet kundërligjshëm e kriminalisht, pa ia prishur interesat njëra-tjetrës!", thotë analisti Naim Kelmendi për gazetën "Kosova Sot" 

Njohësit e fushës së drejtësisë në Kosovës dhe analistët, vazhdojnë të jenë shumë të zhgënjyer me mosfunksionimin e shtetit të së drejtës, sepse, sipas tyre, akoma kemi një sistem të degraduar dhe të kapur nga politika. Derisa është kështu njohësit e kësaj fushe pyesin me të drejtë se çfarë drejtësie mund të pritet në shtetin tonë, kur prokurorët dhe gjyqtarët blihen, shiten, shantazhohen, frikësohen dhe bien pre e ndikimeve të caktuara politike dhe kriminale, duke u bërë pjesë e krimit të organizuar!? Sipas këtyre analistëve, drejtësia nuk mundë të shkapet nga ata që e kanë kapur tërësisht sistemin e drejtësisë për afro 19 vjet rresht, e sidomos në dhjetë vjetët e fundit të paspavarësisë, prandaj ilaçi i vetëm për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin do të jetë vetëm një ligj VETTING-u kosovar ku futet pastrimi dhe dekriminalizimi i gjithë institucioneve të sundimit të ligjit, policisë, prokurorisë e gjyqësisë. Mirëpo, në Kosovë akoma është e vështirë të arrihet një veprim i tillë. Së pakut kështu mendon njohësi i kësaj fushe Hidajet Ahmeti.

"Të mendosh dështimin e sistemit të drejtësisë jashtë mungesës së vullnetit politik është hipokrizi, pasi sistemi i drejtësisë është i kapur thellë nga politika dhe parapolitika", u shpreh ai.Shkapja e sistemit nuk bëhet me këta pushtetarë Sipas Ahmetit, në sistemin e drejtësisë duhet të ndodhin reforma substanciale, e jo vetëm reforma formale për të ndërtuar percepcion publik pozitiv, por impakti i këtyre reformave substanciale të jetë i prekshëm në jetën praktike të përditshme. "Më këto ndryshime formale, ndoshta edhe mund të mashtrohen institucionet e BE-së, duke menduar se Kosova është në rrugë të drejtë për vënin në binarë të shtetit të së drejtës, por praktikisht Kosova do të thellohet akoma më shumë në krim dhe korrupsion. Gjykoj se sistemit të drejtësisë i duhet një dorë e hekurt e politikës, e cila, përveç reformës substanciale në plotësim-ndryshim ligjesh, por edhe inicim, hartim e miratim ligjesh të domosdoshme,duhet edhe vullnet politik për jetësimin e kësaj reforme të domosdoshme e të shumëpritur", vijoi më tutje ai. "Çlirimi i sistemit të drejtësisë nuk mund të bëhet nga ata që e kanë kapur në kontinuitet, pasi në logjikën e thjeshtë konsiderohet si kontradiktë logjike duke dalë kundër vetes. Problemi është më i thellë se sa shihet në shikim të parë, pasi nuk mund të kemi një vullnet politik për t'i çuar përpara proceset konsolidues dhe shtetndërtuese të Republikës", shtoi Ahmeti për "Kosova Sot". Ai tha se deficiti i vullnetit politik është paralel me gjendjen reale të shtetit tonë, dhe pa ndryshimin e të parës nuk ka shpresë dhe mundësi për një ndryshim substancial të dëshiruar. "Presioni dhe shantazhi ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve është 'strategji' politike përmes rrugës së shantazhit mban në pezull çdo shpifje, e cila konsiderohet pjesë e shantazhit, dhe gjithë opinionin publik orienton kah shpifjet që bëhen, duke shpërqendruar nga problemet reale që i përtojnë çdo ditë. Përmes kësaj metode amorale e të pasinqertë njollosin personalitete politike të pastra moralisht, por njëkohësisht i fusin në një lojë iluzionare edhe opinionin publik duke ia shpërlarë trurin. Gjykoj se kjo loje e shumëfishtë e partive politike, e posaçërisht e politikanëve të inkriminuar, është manipulim i paskrupullt ndaj opinionit publik, me qëllimin e vetëm për marrjen, mbajtjen e ruajtjen e pushtetit me metoda të cilat nuk përkojnë me frymën demokratike", vlerësoi Hidajet Ahmeti. Sipas tij, formula magjike e ndryshimit pozitiv është një ligj VETTING edhe për Kosovën.

Edhe Haradinaj, në livadhin e Thaçit e Mustafës Njohësi i fushës së sundimit të ligjit dhe sigurisë, Naim Miftari thotë se derisa për drejtësinë bisedohet paraprakisht dhe vendoset në prapaskenat kriminale të politikës, është tepër e vështirë të arrihet edhe deri te ligji VETTING. "Në një shtet ku vendoset nëpër oda dhe restorante dhe hotele, për të vendosur njerëzit e drejtësisë, kjo flet mjaftueshëm se sa e kapur është drejtësia shtetërore nga krimi i organizuar, prandaj edhe ai shtet në letër nuk mund të quhet shtet serioz funksional, mund të quhet vetëm si një diktaturë e kapur nga parapolitika dhe krimi i organizuar. Prandaj, edhe në shtetin tonë sot për sot ligjit i frikohet vetëm qytetari i pafajshëm dhe i varfër i Kosovës, derisa njerëzit e politikës, ata që e kontrollojnë drejtësinë, vazhdojnë lirshëm të notojnë mbi ligjin dhe mbi drejtësinë", vlerësoi ai. "Kam pasur sadopak shpresë që së pakut me Ramush Haradinajn si kryeministër, se ai do të bënte më shumë sa i përket sundimit të ligjit, por edhe ai vetëm po e kullot livadhin, sikur e kanë kullotur shumë vjet Hashim Thaçi dhe më pastaj nja 3 vjet Isa Mustafa. Pra, nuk ka kurrfarë ndryshimi, pasi ju edhe mund të shkoni në orën 7 në punë, por mundeni të mos punoni asgjë", shprehet Miftari. "E, Kosovës i nevojitet drejtësi e fuqishme, e paanshme dhe profesionale, sepse Kosova ka nevojë urgjente për zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit", tha ai për "Kosova Sot". Sipas tij, fatkeqësisht të dyja këto fusha kryesore janë sot në duar të mafisë, që do të thotë të krimit të organizuar politik. 

KELMENDI: DREJTËSIA DHE POLITIKA JANË MËKATARËT DHE SHKATËRRUESIT MË TË MËDHENJ TË KËSAJ SHOQËRIE 'KORPORATIVO-KRIMINALE'

Zgjidhjen e nyjës së mosfunksionit të drejtësisë e sheh në Ligjin VETTING dhe pastrimin e plotë të politikës e të drejtësisë në mënyrë paralele edhe analisti Naim Kelmendi, sepse gati dy dekada kemi një shoqëri pa sundim efektiv dhe të pavarur të ligjit. "Fatkeqësisht, për kaq vjet(19),de fakto politika dhe drejtësia po sillen si një shoqëri a 'korporatë aksionare',ku secila shikon përfitimet e veta e jo interesat e qytetarëve sipas funksionit dhe detyrimeve ligjore. Në të vërtetë drejtësia dhe politika janë mëkatarët dhe shkatërruesit më të mëdhenj të kësaj shoqërie 'korporativo-kriminale', ku asnjëra palë nuk kryen detyrimet që ka me ligj, por secila në kurriz të popullit pasurohet kundërligjshëm e kriminalisht, pa ia prishur interesat njëra-tjetrës!", u shpreh ai. "Mirëpo, në këtë situatë, de fakto vetë politika është armiku më i madh që po kërcënon e shkatërron tash e 19 vjet rresht sistemin e drejtësisë si dhe cilësinë e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Është koha kur duhet që të zëvendësohen sa më parë të korruptuarit,të involvuarit në krim të organizuar, por edhe të paaftët e këtij sistemi aktuale të drejtësisë, me njerëz të tjerë me integritet e etikë, me moral dhe nivel të lartë profesional. Kjo duhet të ndodhë sa më shpejt, sepse institucionet e drejtësisë janë kalbur nga brenda duke qenë së bashku në korrupsion si dhe inkriminim në krim të organizuar, siç janë kalbur edhe pushtetarët tanë të lartë në të dyja nivelet e pushtetit", tha Naim Kelmendi për "Kosova Sot". E, krejt kjo, sipas tij, mund të arrihet vetëm me VETTING. "Kosova ka njerëz,të cilët do të bënin një përzgjedhje të duhur të personave për sistemin e drejtësisë, mbase pas një reforme të mirëfilltë e rrënjësore, pas një VETTING-u, dhe kështu do të mund të kapërcehet kjo sfidë vetëm me vendosmëri dhe moral të lartë nga ata që do të merren me këtë proces të dobishëm për pastrimin e drejtësisë si nevojë imanente për shërimin e saj. Ligji për Vetting-un në drejtësi si duket po i frikëson si politikën, ashtu edhe vetë shumicën e strukturave në sistemin e drejtësisë dhe kjo flet mjaftueshëm për pastërtinë e tyre", potencoi më tej ai.

(Kosova Sot(