Detaje për masakrën në Vlorë, 24 vjeçari vret 8 persona, 6 mbeten të plagosur

  • 10 August 2018 - 19:20
Detaje për masakrën në Vlorë, 24 vjeçari vret 8 persona, 6 mbeten të plagosur

Një masakër e vërtetë ka ndodhur këtë të premte në një fshat të Vlorës, ku një 24 vjeçar i identifikuar si Ridvan Zykaj ka qëlluar mbi disa persona të dy familjeve, duke lënë të vdekur në vend 6 prej tyre.

Dy të tjerë të plagosur rëndë kanë humbur jetën teksa po shkonin drejt spitalit të qytetit.

Masakra ka ndodhur në fshatin Resulaj. Mësohet nga policia se viktimat janë nga dy familje të të njëjtit fis dhe shkaku i masakrës dyshohet të jetë një konflikt pronësie.

Nga të shtënat me armë kallashnikov, kanë mbetur të lënduar edhe 6 persona të tjerë. Në këto momente FNSH, RENEA e DELTA FORCE janë vënë në ndjekje të 24 vjeçarit që ka shkaktuar masakrën e një shkallë që në Shqipëri nuk ka ndodhur kurrë më parë.

NJOFTIMI PARAPRAK I POLICISE:

Më datë 10.08.2018, në fshatin Resulaj, Selenicë, shtetasi Ridvan Zykaj, 24 vjeç, për motive ende të paqarta ka vrarë me armë zjarri 8 persona nga dy familje te fisit Zykaj.

Autori pas krimit është larguar ku forca të shumta të Policisë, Renea, Delta Forcë, Fnsh, dhe forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë vënë në ndjekje dhe po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen e tij.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

 

(Kosova Sot)