Zgjedhjet, të domosdoshme për të shporrur NGA PUSHTETI COPËTUESIT E KOSOVËS

  • 14 August 2018 - 08:08
Zgjedhjet, të domosdoshme për të shporrur NGA PUSHTETI COPËTUESIT E KOSOVËS
Ardhja e një Qeverie dhe Kuvendi më të dobishëm, imperativ i kohës 

Analist të politikës dhe njohës të kësaj fushe njëzëri janë të mendimit se Kosova duhet që të shkojë sa më shpejt në zgjedhje të reja nacionale, madje më së largu në vjeshtën e sivjetshme. Analistët, ndërkaq, thonë se këto zgjedhje të reja do të duheshin me shpresën se krerët aktualë do ta humbin votën e qytetarëve dhe në pushtet mund të vijnë një Qeveri dhe Kuvend më i përgjegjshëm. Prandaj, sipas njohësve të kësaj fushe, nëse mbetet në pushtet kjo garniturë, atëherë Kosova rrezikohet seriozisht nga ndarja, sepse po sipas analistëve Hashim Thaçi do t'i blejë dhe do t'i shantazhojë e do t'i komprometojë shumicën e deputetëve aktualë që janë patetikë e paintegritet. Politologia Luljeta AliuKrasniqi, për gazetën "Kosova Sot", tha se gjersa vendi të mos e fillojë reformat në administratë publike dhe në arsim si dhe Vetting-un në Gjyqësor, vështirë se ndonjë palë zgjedhje do të krijonin një elitë politike dhe një Kuvend më të përgjegjshëm. "Thelbi i gjithë kësaj është një matematikë e thjeshtë. Në administratë publike i kemi gjithsej rreth 83.000 të punësuar. Në Kosovë një familje mesatarisht i ka 5 anëtarë. Nëse numrin 83.000 të punësuarve në administratë e shumëzojmë me 5, atëherë arrijmë te shifra 415.000. Por, t'i shikoni numrin e votuesve të partive të mëdha që nga pas lufta, atëherë e shihni se numri total i votuesve të tyre sillet rreth 400.000", u shpreh ajo. Duhen forca të reja politike Sipas Aliu-Krasniqit, duke pasur parasysh gjithashtu se si janë punësuar një numër i madh njerëzish në administratën publike, lehtë arrijmë te konkludimi se votat që marrin partitë tradicionale janë vota të personave të punësuar në administratë publike dhe të familjarëve të tyre. Analistja Aliu-Krasniqi thotë se këto vota janë të kushtëzuara me bukën e gojës, nuk janë vota të lira. "Prandaj, ky vend është i kushtëzuar me mbijetesën e tij për të mbajtur në pushtet këtë nomenklaturë që kemi. Andaj, reformat në administratë dhe në arsim duhet të bazohen në performancë. Reformat duhet të nisen nga përshkrimi i vendeve të punës. Por, jo të përshkruhet çfarë di ai personi që është duke e kryer atë punë momentalisht, mirëpo çfarë kërkohet në vendet e tjera nga një person në atë pozitë. Dhe, pastaj të bëhet testimi i aftësive për të gjithë zyrtarët e administratës. E njëjta të ndodhë në arsim. Dhe në Gjyqësor", vlerësoi ajo. Prandaj, analistja Aliu-Krasniqi thotë se, vetëm kur të largohen nga vendet e punës disa prej këtyre zyrtarëve, atëherë do të kemi mundësi të ndryshojmë votën dhe tek atëherë zgjedhjet do të kenë kuptim. "Ndërsa këto reforma rrënjësore, me fillim në testimin aftësive të personave zyrtarë nuk guxojnë t'i kërkojnë partitë, sepse e dinë se humbin vota të qytetarëve. Prandaj, jemi në një mat-pozitë, ku secili po lufton për ekzistencë. Kjo është një shoqëri klienteliste, e korruptuar dhe thellësisht e kapur së pari nga vetvetja", vijoi më tej ajo. Së këndejmi, sipas analistes AliuKrasniqi, shpresa e vetme mund të jetë një grup njerëzish jashtë politikës, mjaftueshëm të aftë për të mos qenë të shantazhuar me votë për bukën e gojës, të cilët do të bashkoheshin dhe do të kërkonin me ngulm reformat në bazë të performancës në sektorët e ndjeshëm të shoqërisë. "Këta njerëz duhet të koordinohen dhe të bashkëveprojnë në të mirë të vendit. Sepse, është momenti i fundit. Ne duhet të ndërgjegjësohemi dhe t'i kthehemi vlerave, për të ndërtuar të ardhmen për fëmijët tanë, të cilëve do t'u trashëgojmë këtë vend",ka thënë ajo. Ndryshimet vijnë përmes votës së lirë Analisti politik Ilir Fetahu, për gazetën "Kosova Sot', tha se diskutimet e fundit në skenën politike janë të jashtëzakonshme në kuptimin negativ, e veçanërisht ato që po bëhen për shkëmbim të territoreve me Serbinë . "Këto janë lojë fjalësh dhe qëllimi i tyre është mbajtja e pushtetit me çdo kusht i një grupit politik me një pakicë parlamentare që nuk ndodh askund në botë", u shpreh ai. "Mendoj se është koha që urgjentisht të ndodhin zgjedhje të jashtëzakonshme, në mënyrë që nga populli të dalë një klasë e re dhe e përgjegjshme politike dhe të marrë të qeverisë me institucionet, në mënyrë që vendi të ecë përpara. Prandaj, vendi ynë ka nevojë për njerëz të ndërgjegjshëm që e dërgojnë Kosovën atje ku e ka vendin", vijoi më tej Fetahu. Analisti Fetahu është i mendimit se më së largu deri në muajin tetor të këtij viti duhet që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe të ndërpriten këto pazare apo diskutime të dyshimta që po ndodhin në Kosovë, andaj nevojitet që sivjet vendi ynë urgjentisht të shkojë në zgjedhje të reja. Ndërsa, analisti politik Arsim Haziri, për gazetën "Kosova Sot", tha se ndryshimet në mënyrën e qeverisjes janë vështirë të realizueshme, edhe nëse vendi i nënshtrohet një procesi zgjedhor. "Qytetarët, edhe nëse dalin në zgjedhje të parakohshme, nuk kanë edhe oferta aq premtuese, që do të ishin në favor të konsolidimit të përgjithshëm", theksoi ai. "Vendi edhe për një kohë do ta ketë këtë mendësi qeverisëse, pasi janë krijuar rrethanat që nuk ia bëjnë të mundur qytetarit reagimin e pandikuar. Këtu rol bazik në krijimin e ndryshimeve do të kishte sikur bashkësia ndërkombëtare të zgjohej nga gjumi dogmatik që e ka kapluar", ka thënë analisti Haziri. Vjeshta paralajmërohet e nxehtë Politologia Liridona Bislimi, për gazetën "Kosova Sot", tha se duket se vjeshta e hershme politike në Kosovë, gjithsesi do të karakterizohet me erëra të fuqishme që do të fryjnë nga drejtimet e ndryshme. "Dhe, nga disponimi i popullit tonë, mbase nuk përjashtohen as protestat gjithëpopullore. Çdo zgjedhje e re sjell diçka, mirëpo në zgjedhjet e reja duhet të vijnë në shprehje disa njerëz që e duan këtë vend dhe punojnë për këtë vend", u shpreh ajo. "Deri tani në rrethana aktuale të raporteve KosovëSerbi nuk ekzistojnë kurrfarë kushtesh të favorshme për mbajtjen e tyre. Tashmë e kemi të qartë se në fund të këtyre bisedimeve, pasoja më e butë për ne do të ishte një status special për veriun, kompromis të cilin ndoshta mund ta pranojë edhe Serbia, e cila, më pas, me hapa të shpejtuar do të vazhdojë të favorizohet për hyrje definitive pa pengesa në BE, ndërsa Kosova do të copëtohet përbrenda si shtet, me një model të ndarjes së brendshme territoriale etnike, e kjo kurrsesi nuk është zgjidha e pranueshme për Kosovën dhe duhet të pengohet me çdo kusht! Pse jo edhe përmes daljes në rrugë", thekson Bislimi. Sipas saj, urgjentisht duhet që të shkohet në zgjedhje, sepse kjo udhëheqësi i ka sjellë dëme Kosovës, qoftë me Demarkacion, qoftë me Asociacion dhe kjo mënyrë e qeverisjes "Thaçi" vazhdimisht po dëmton proceset e vendit tonë. "Veprimi më i qëlluar taktik do të ishte dorëheqja me marrëveshje e kësaj Qeverie dhe, sipas dispozitave kushtetuese në fuqi, organizimi i zgjedhjeve të parakohshme, të cilat optimalisht ishin dashur të mbaheshin deri në fundin e këtij viti", potencoi analistja Bislimi. Sipas saj, ky hap gjithsesi do të shkaktonte shtyrjen e bisedimeve të Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit një kohë bukur të gjatë.