Smaka:Kjo reformë mund të arrihet, duke u shoqëruar me një lloj VETTING-u

  • 15 August 2018 - 21:48
Smaka:Kjo reformë mund të arrihet, duke u shoqëruar me një lloj VETTING-u

Sipas prof. Riza Smakës, njohës i kësaj fushe, thotë se konstatimet e tilla janë mjaft të bazuara, sepse janë bërë me siguri mbi baza profesionale, prandaj, sipas tij, pa reformim të thellë të këtij sistemi nuk mund të presim asnjëherë rezultate të kënaqshme."Është fakt evident se në sistemin e drejtësisë gjithnjë qëndrojnë heshtje problemore jo të pakta dhe jo të rralla dhe për këtë fakt është folur e shkruar disa herë, madje janë bërë e publikuar edhe raporte të ndryshme. Indicet kanë qenë dhe janë po ashtu evidente se në institucionet e Sistemit të Drejtësisë gjithnjë ka pasur dhe ka influencë të fuqishme të interesave të ndryshme politike si dhe të funksionarëve politikë e shtetërorë, në përgjithësi", u shpreh ai. "Me aktet ligjore për Sistemin e Drejtësisë do të duhej, ndër të tjera, të sanksionoheshin, pra të inkriminoheshin të gjitha ndërhyrjet politike e administrative në punët e gjykatave dhe të prokurorive", shtoi më tej Smaka."Në këtë vazhdë medoemos do të duhej të kërkohej edhe reformimi i planeve dhe programeve studimore të vetë shkencave juridike në funksion të krijimit të gjykatësve dhe të prokurorëve, si dhe të avokatëve të specializuar e të profilizuar veç e veç për disiplina juridike të caktuara", tha ai për "Kosova Sot". Sipas prof. Smakës, kjo reformë mund të arrihet edhe duke u shoqëruar me një lloj VETTING-u, i cili nuk do të duhej vonuar dhe i cili do të merrte për bazë disa elemente të sanksionimit ndëshkues të punës apo mospunës efektive në sektorin e sundimit të ligjit, duke filluar me hetimin e pasurimit të të punësuarve në këtë sektor. "Fillimisht, mendoj se zgjidhja më e mirë dhe e vetme për qartësimin e pasurisë së pistë nga ajo e pastër, është përgatitja dhe miratimi i Ligjit për Origjinën e Pasurisë. Në vazhdën e zbatimit të saktësimit të origjinës së pasurisë së klasifikuar si të fituar legalisht në një anë dhe ilegalisht në anën tjetër, do të realizohej Ligji në fjalë si dhe ndër të tjera edhe kjo komponentë referuar sendërtimit të mirëfilltë të VETTING-ut edhe në vendin tonë. Pra, nuk do të bëhej lustrimi i pasurisë vetëm për funksionarët prokurorialë e gjyqësorë, por në radhë të parë për funksionarët shtetërorë e politikë", ka vlerësuar Smaka. "Po ashtu, në sistemin e drejtësisë së vendit tonë është nevojë imediate për një hetim lehtë e shpejt, duke u bazuar në rastet prokuroriale e gjyqësore të dështuara nga elementi subjektiv, në formë të zhagitjeve irracionale të rasteve juridike, edhe për një VETING të mirëfilltë të aspektit profesional, i cili do të duhej të bazohej në këto elemente: rastet juridike të zhagitura irracionalisht, rastet juridike të parashkruara nga motive më se të ndryshme, por në kundërshtim me ligjin e aplikuar, rastet juridike të pezulluara dyshimshëm nga prokuroria ose si të tilla të gjykuara në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi si dhe në kundërshtim me praktikat prokuroriale e gjyqësore të mira, rastet juridike të gjykuara dobët, të hartuara dobët, si dhe përfundimisht rastet në të cilat është argumentuar mungesa e profesionalizmit të kërkuar nga prokurorët e gjykatësi e caktuar", tha Smaka për "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)