Statuti i Asociacionit serb kërcënon stabilitetin shtetëror

  • 16 August 2018 - 08:35
Statuti i Asociacionit serb kërcënon stabilitetin shtetëror
Bislimi: Thaçi po shfrytëzon rolin e tij si president për interesa personale, duke shitur patriotizëm për Kosovën ditën si krah i luftës, kurse gjithë natën duke bërë tregti dhe kontrabandë me Serbinë

"Vetëm e vetëm për të qenë kryeministër, Ramush Haradinaj është në gjendje që të bëjë gjithçka. Ndërsa Hashim Thaçi, vetëm për të mos ta dërguar në Gjykatën Speciale, ai është në gjendje që ta japë edhe Mitrovicën, Preshevën e ndoshta edhe Prishtinën", thotë analisti Jeton Kelmendi për "Kosova Sot"

E kipi menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe tashmë ka dorëzuar në Qeverinë e Kosovës procesverbalet dhe në bazë disa prej këtyre procesverbaleve, që përfshijnë muajt qershor dhe korrik, përfaqësuesit serbë në Kosovë kanë kërkuar që në Statut të Asociacionit të përfshihen edhe kompetencat e plota në privatizim, në ekonomi, pastaj që arsimi të vazhdojë të mbetet sipas Sistemit Arsimor të Serbisë, të ketë kompetenca të plota në menaxhimin e kadastrit të patundshmërive, diametrit publik, shpronësimit të tokave, dhe çështjeve të tjera kadastrale, si dhe shumë kompetenca të tjera. Analistët dhe qytetarët po habiten se përse Qeveria e Kosovës nuk është aspak transparente dhe nuk po ua bëjnë të qartë serbëve të Kosovës se në asnjë mënyrë nuk do të lejohet ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës dhe miratimi i ligjeve të veçanta, në mënyrë që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, gjegjësisht që të jetë edhe pushteti i tretë vetëm për Veriun. Andaj, nga njohësit e rrethanave politike në vend vlerësohet se e tëra kjo është një lojë në prapaskenë e bashkëkoordinuar edhe me pushtetarët tanë në krye me Hashim Thaçin, i cili po e kërkon me ngulm edhe ndryshimin e Kushtetutës gjoja për referendum, e realisht esenca është që t'i plotësohet kërkesa Beogradit që Bashkësia e Komunave serbe që në opinion njihet me emrin " Zajednica", të jetë shtet brenda shtetit të Kosovës, madje edhe me kompetenca ekzekutive, e cila mund të bëhet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese,por edhe që zgjedhja e presidentit të bëhet direkt nga populli, e që i bie duke i blerë votat pasi tanimë i ka paluar miliardat me euro brenda dhe jashtë vendit. Asociacioni, si "Kalë Troje" Eksperti i fushës së Integrimeve Evropiane, analisti Jeton Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot', tha se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe që nga fillimi është një pikë e zezë për Kosovën dhe një vepër antishqiptare e instaluar nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili, sipas tij, është njëri nga tradhtarët më të mëdhenj të kombit që nga Esat Pashë Toptani e këndej, ngase është edhe më tradhtar se sa Rrahman Morina e të tjerë. "Së fundmi, ne e pamë një intervistë të z. Hashim Thaçi, që ishte krejtësisht patetike dhe me rrena të presidentit, ku thotë se do të shkohet në referendum. Ndërsa taktika e z. Thaçi është vetëm e vetëm për të ndryshuar Kushtetutën e vendit, në mënyrë që serbëve t'u jepet një mini-Republikë ose mini-shtet brenda shtetit të Kosovës ose të këmbehen kufijtë. Kjo marrëveshje shihet se rrjedhë nga takimi me presidentin serb Aleksandar Vuçiqin dhe halli i vetëm i presidentit Hashim Thaçi është se si t'ia plotësojë apetitet Serbisë ", u shpreh ai. "Edhe me themelimin e Asociacionit të Komunave serbe është e pritshme që ata (serbët) të kërkojnë sa më shumë autonomi dhe që Asociacioni të jetë madje edhe me kompetenca ekzekutive. Dhe, këtu kemi një Qeveri qyqarësh dhe zuzarësh. Sepse, qyqar është kryeministri Ramush Haradinaj në raport me serbët dhe presidenti antishqiptar Hashim Thaçi, që në çdo moment po lëshon pe para Serbisë", theksoi ai. "Vetëm e vetëm për të qenë kryeministër,z. Ramush Haradinaj është në gjendje që të bëjë gjithçka. Ndërsa Hashim Thaçi, vetëm për të mos ta dërguar në Gjykatën Speciale, ai është në gjendje që ta japë edhe Mitrovicën, Preshevën e ndoshta edhe Prishtinën", ka thënë Kelmendi. Kurse analisti politik Albinot Maloku, për gazetën " Kosova Sot', tha se Asociacionit të Komunave me shumicën serbe në Kosovë gjithsesi që është duke u provuar t'i jepen kompetenca maksimale dhe qoftë me emër apo pa të, ky mekanizëm të jetë një nivel i veçantë i qeverisjes në vend. "Transparencë nuk ka pasur as gjatë procesit deri tek marrëveshja e prillit 2013, e cila e prodhoi këtë mekanizëm. Të njëjtin, vite më parë, siç edhe kishim paralajmëruar, Gjykata Kushtetuese e nxori të jetë në kundërshtim me rendin Kushtetues e ligjor në vend. Tentativa potenciale që në nevojat maksimale për ndryshime kushtetuese, që i ka vendi të infiltrohet edhe ndryshimi i dispozitave e normave që mundësojnë krijimin e AKS-së është shumë i dëmshëm", vlerësoi ai. Negociatat e dëmshme rihapën statusin Politologia Liridona Bislimi, për gazetën "Kosova Sot', tha se ish- lideri i PDK-së, e tash president, Hashim Thaçi, prej vitit 2011 deri më sot ka bërë negociata duke vënë në pikëpyetje statusin e Kosovës, e në dy vjetët e kaluar këto negociata kanë vënë në pyetje edhe tërësinë tokësore të Kosovës, e sa vite zhvillohen bisedime në Bruksel dhe mezi janë arritur ca marrëveshje të mjera praktike, për shkak të refuzimit arrogant dhe të vazhdueshëm të Serbisë. "Presidenti në personalitetin e tij nuk shquhet për sinqeritet, besnikëri, por përkundrazi shquhet si përçarës, dinak, i cili nuk ka zgjedhur mjete për ta arritur qëllimin, duke kaluar të gjitha normat morale, të cilat duhet ekzistuar edhe në politikë. Thaçi asnjëherë nuk mund të jetë përfaqësues i unitetit politik e qytetar, pasi vetë zgjedhja e tij nën masa represioni, shantazhi e kërcënimi të lë shumë për të dyshuar që në të ardhmen ai do vazhdojë ta përdorë kombin për pushtet, për prestigj të rrejshëm, për përfitime politike, për përfitime materiale etj.", vlerësoi ajo. "Thaçi po shfrytëzon rolin e tij si president, për interesa personale duke shitur patriotizëm për Kosovën ditën si krah i luftës, kurse gjithë natën duke bërë tregti dhe kontrabandë me Serbinë. Një Kosovë e këtillë nuk është për mburrje dhe, natyrisht, nuk mund t'i bëjë karshillëk askujt, që domethënë se pozita negociuese e Kosovës dhe e atyre që i bëjnë negociatat është krejt përtokë", potencoi më tej Bislimi. Qytetarët, kategorikisht kundër 'Zajednicës' Qytetarët e anketuar thonë se janë shumë të pakënaqur me mostransparencën e Qeverisë për themelimin e Statutit të Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë. Kësisoj, qytetari Sejdi Halimi, për gazetën "Kosova Sot", thotë se Asociacioni i Komunave serbe është shumë i rrezikshëm dhe ai paraqet kancerin e Republikës së Kosovës, sepse me nënshkrimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit që u bë më 2013, pala kosovare ka bërë një gabim fatal, pasi Asociacioni do të duhej të ishte vetëm në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, sikurse që është Asociacioni i Komunave shqiptare të Kosovës. "Por, kam frikën se me heshtjen e Qeverisë së Kosovës dhe mostransparencën e saj para qytetarëve të vendit, po frikohem se Asociacioni do të ketë kompetenca ekzekutive dhe po u lejua diç e tillë nga ana e palës kosovare, kjo do të jetë fatale për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Sepse, pala serbe do të krijojë një mini-shtet serb në Kosovë, ngase tashmë ata veç e kanë të sigurt Gjykatën e Apelit, Këshillin Kombëtar Serb, Kuvendin e Asociacionit, dhe të drejtat e zotësisë në pronë që gjithsej janë 40 elemente të shtetësisë", ka shpjeguar ai. Sipas qytetarit Halimi, pala kosovare nuk duhet që të lëshojnë pe. Ndërsa qytetari tjetër Ismajl Hamiti, për "Kosova Sot", thotë se Qeveria në këtë rast duhet që të tregojë një transparencë shumë më të madhe në rastin e Asociacionit të Komunave serbe. "Kështu që në këtë rast Qeveria e Kosovës në asnjë mënyrë nuk guxon të tregohet oportune dhe mos të jetë vigjilente. Sepse, Asociacioni mund të jetë kanceri i Kosovës duke na sjellë probleme të mëdha po qe se Asociacionit të Komunave serbe i jepen kompetenca ekzekutive. Prandaj, fushëveprimtaria e Asociacionit duhet të jetë vetëm në suaza të Kushtetutës, sepse mund ta shkatërrojë Kosovën, duke e formuar një mini-shtet të ri në shtetin ekzistues", theksoi ai. "Qeveria jonë duhet që të jetë më e vendosur në vendimet e saj dhe nuk duhet që të frikësohet, sepse fundja edhe Bashkësia Ndërkombëtare është pro ruajtjes së tërësisë territoriale të Kosovës, sepse fundja që nuk duhet të ketë ndryshim kufijsh dhe se Kosova mbetet e pandashme e tregoi edhe kancelarja Angela Merkel. Andaj, e them lirshëm se Asociacioni i Komunave serbe në asnjë mënyrë nuk guxon që të ketë kompetenca ekzekutive. Ngase, po u lejua kjo nga Qeveria jonë, ky do të ishte gabimi më i madh i kësaj Qeverie", potencoi Hamiti.