Mafio-oligarkët bllokojnë biznesin

  • 16 August 2018 - 08:38
Mafio-oligarkët bllokojnë biznesin
Mungesa e sundimit të ligjit dhe mospuna e gjykatave për sundim të mirëfilltë të ligjit, pastaj korrupsioni i madh dhe krimi i organizuar që po mbretëron në Kosovën e pasluftës janë disa nga indikatorët kryesorë që po shkaktojnë pakënaqësi të mëdha te investitorët e vendit, por edhe investitorët e huaj, dhe kjo e tëra ka bërë që nuk po kemi kurrfarë investimesh në Kosovë, si edhe hapjen e vendeve të reja të punës. Analistët e ekonomisë dhe ata të politikës vlerësojnë se nëse shteti nuk është në gjendje që të zgjidhë lëndët ekonomike sa më shpejt, do të vazhdojnë të dominojnë monopolet kriminale e antikushtetuese, dhe nuk do të lejohet konkurrenca e lirë dhe tregu i hapur. Prandaj, sipas njohësve të kësaj fushe, pa sundim të ligjit nuk mund të ketë as treg të lirë në ekonomi dhe njëri nga shkaktarët pse nuk kemi investime të huaja është mungesa e sundimit të ligjit dhe sundimi i nëntokës kriminale përmes klaneve të njohura tashmë për opinionin publik. Ndërsa, analisti politik Arsim Haziri, për gazetën " Kosova Sot', tha se mungesa e funksionimit të legjislacionit prodhon gjendje të pafavorshme për shtetin, gjendje që mundëson zhvillimin e dukurive negative. "Të gjitha qeverisjet e pasluftës janë kujdesur që sistemi i drejtësisë të mos përfitojë ose ketë reformim, në mënyrë që klientela e tyre të zhvillojë edhe më tej agjendën e tyre, agjendë e cila tërë energjinë e ka të fokusuar në zhvatjen e pasurive publike. Kosova përderisa vuan nga mungesa e dikastereve vitale e ka të pamundshme të shihet si shtet serioz për të qenë potencialisht i mundshëm për investitorët", ka vlerësuar ai. Kontestet biznesore zvarriten në gjykata Bankieri Milazim Abazi, për gazetën " Kosova Sot", tha se mungesa e rendit dhe ligjit është një ndër plagët më të rënda në Kosovën e paspavarsisë. "Edhe pse në kohën e fundit vërehet një përmirësim i lehtë, sundimi i ligjit është ende shumë i ulët dhe një ndër shkaktarët kryesorë të pasigurisë dhe të mungesës së investimeve si të vendit, ashtu edhe të huaja. Sepse, ende ka grumbullim të madh të lëndëve të pazgjidhura. Lëndët ekonomike po presin edhe mbi 7 vjet për të filluar një gjykim, ndërsa derisa ai të përfundojë dhe të marrë formën e prerë mund të shkojë edhe më shumë se 10 vjet. Andaj, me të drejtë thuhet se një drejtësi e vonuar, në fakt është drejtësi e mohuar", u shpreh ai. Së këndejmi, sipas Abazit, Qeveria e Kosovës bëri mirë që rriti pagat e prokurorëve dhe të gjyqtarëve, por për të rritur efikasitetin duhet të dyfishohet në mos trefishohet numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve. "Nëse nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të rritur numrin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, mund te rriten tarifat e shërbimeve në gjykata. Por, zgjidhja më e mirë do të ishte luftimi i korrupsionit. Sepse, vetëm me uljen e korrupsionit dhe ekonomisë informale, buxheti i konsoliduar i Kosovës do të ishte 50 për qind më i madh edhe me këtë normë të rritjes vjetore ekonomike", potencoi Abazi. Korrupsioni largon investitorët Eksperti i ekonomisë Luzim Beqiri, për gazetën "Kosova Sot", tha se Kosova ka shumë nevojë për sundim të ligjit dhe luftim të korrupsionit, por edhe thithjen e investimeve të huaja, cilësi në arsim, luftim të nepotizmit, informalitetit, e haraçit, thjesht qytetarët janë ngopur me premtime e bërje të Kosovës, Zvicër. "Korrupsioni është një virus i pashërueshëm deri më tani, që po i përcjell vazhdimisht organet shtetërore të Republikës së Kosovës . Prijësit tanë duhet që të jenë më të ndërgjegjshëm para qytetarëve dhe shtetit që sapo mbushi 8 vjet të ekzistencës së tij si shtet i pavarur dhe sovran", u shpreh ai. "Këta politikanë duhet që urgjentisht të hartojnë strategji efektive për ta luftuar këtë dukuri që njëherësh është edhe njëri nga obligimet që duhet të përmbushen në rrugëtimin drejt BE-së. Korrupsioni është njëra nga arsyet pse qytetarët e Republikës së Kosovës janë kaq pesimistë për të jetuar dhe për të investuar në tokën ku sakrifikuan shumë. Siç dihet, korrupsioni shkakton shu-më dëme të konsiderueshme si në aspektin shoqëror, ekonomik, social e politik. Andaj, mbetet një sfidë e madhe për krerët e Republikës së Kosovës dhe mekanizmat që kanë qasje në përmasimin e kësaj dukurie që e ka kapluar shoqërinë kosovare, posaçërisht institucionet ekonomike dhe shtetërore, siç janë: KEK-u, PTK-ja, doganat, universitetet, organet komunale, administratat dhe institucionet e tjera vendimmarrëse shtetërore", ka theksuar analisti Beqiri. Sipas tij, investitorët e huaj kanë perceptim negativ për Kosovën, e janë shumë faktorë që kanë ndikuar te krijimi i këtij perceptimi. "Perceptimi negativ krijon vështirësi të mëdha në investime, sepse askush nuk investon dhjetëra apo qindra miliona në një vend ku nuk ka siguri të plotë. Ligji aktual për investime nuk është i favorshëm për investitorët e huaj, andaj institucionet përkatëse duhet që shumë shpejt të hartojnë politika të përshtatshme për investime. Pastaj mungesa e sundimit të ligjit, korrupsioni, mungesa e energjisë elektrike, mungesa e mbështetjes institucionale, kamatat e larta, burokracia e tmerrshme shtetërore, politikat e pafavorshme fiskale, janë disa prej pengesave që kanë bërë që investitorët ose të largohen nga vendi, ose të mos vijnë fare", vijoi më tej ai. Ambienti biznesor u përkeqësua Ndërsa, analisti tjetër i ekonomisë Mustafë Kadriaj, për "Kosova Sot', tha se kjo mospunë e gjykatave do të ketë pasoja të mëdha ekonomike, sepse ekonomia e tregut nuk mund të funksionojë pa i ofruar siguri shteti. Sipas tij, rastet e bizneseve në gjykata, është dëshmi e një ambienti të përkeqësuar biznesor pasi sundimi i ligjit është në një gjendje të mjerueshme. Kurse, analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për " Kosova Sot", tha se korrupsioni dhe krimi i organizuar jo vetëm që po shkaktojnë pakënaqësi, por edhe po rriten çdo dite. "Investitorët vendorë dhe të huaj natyrisht që duhet të nervozohen, sepse askush nga zyrtarët komunalë dhe atyre politikë nuk po u ndihmon për të krijuar kushte për investime dhe pse jo për hapje të vendeve të reja të punës", u shpreh ai. Ndaj, Grapci mendon se e vetmja zgjidhje është që kjo klasë politike, e cila e ka sjellë Kosovën në këtë gjendje, duhet që populli i Kosovës të dalin në protesta masive, siç ka ndodhur para disa dite në Rumuni, ku miliona qytetarë e kanë ngritur zërin kundër zyrtarëve politikë, të cilët janë të korruptuar ose duhet të ndodhë që me të vërtetë të shkohet zgjedhje të jashtëzakonshme , ku ne si qytetarë ta zgjedhim presidentin e ri, dhe Qeverinë e re dhe Kuvendin e ri. Varfëri dhe papunësi e madhe Ndërsa, ekonomisti Hazbi Kadriu, për gazetën "Kosova Sot", tha se fillimisht ajo që është me rëndësi, është fakti se duhet të kemi vullnet politik dhe këmbëngulësi të instrumenteve të shtetit për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. "Ajo që do të ndikonte në mënyrën direkte është dhënia e dënimeve të merituara për ata persona që merren me krimin e organizuar dhe normalisht do ishte mesazhi kryesor dhe më i pëlqyeshëm që kjo dukuri të mos jetë shumë e përhapur. Po ashtu, për fat të keq, edhe politika është e përzier me individë, të cilët merren me këto dukuri, dhe normalisht se interesi i madh dhe përfitimet e mëdha nga krimi i organizuar kanë arritur të depërtojnë deri te vijat politike", ka thënë Kadriu. "Ky faktor i rëndësishëm në funksionimin dhe rritjen e ekonomisë do të ndikonte shumë pozitivisht që të kemi investime më të shumta vendore dhe ndërkombëtare, pra IHD ( investime të huaja direkte), dhe normalisht, pastaj do të kemi një zhvillimin ekonomik, që do të jetë një stabilitet i gjithë faktorëve negativë të ekonomisë, që sot i kemi të shfaqura një nga një", theksoi ai. Kurse, analisti i ekonomisë Artan Haziri, për gazetën "Kosova Sot', tha se Kosova ka probleme të natyrave të ndryshme, mungesë të prodhimit, investimeve, të zbatimit të Ligjit të punës, të funksionimit të gjykatave etj. "Të gjitha këto e bëjnë Kosovën vendin më të varfër në rajon. Ngase, nga mafio- oligarkia po kontrollohet jeta në Kosovë. Po mungojnë investimet e huaja dhe të brendshme. Shteti nuk po krijon kushte për investime", sqaron ai . "Arsyet kryesore që nuk kemi investime të huaja direkte janë :a ) mungesa e garantimit të investimeve,b) tregu i kufizuar,c) jostabiliteti politikë,d) mungesa e zbatimit të Ligjit të punës,e) korrupsioni. Mungesa e garantimit të investimeve, dmth që investitori të jetë i sigurt që investimi i tij të sigurohet nga shteti .Tregu i kufizuar, do të thotë jemi treg shumë i vogël dhe me pak kërkesa të produkteve", potencoi Haziri. Sipas tij, asnjë biznes serioz nuk e sheh Kosovën vend të fitimit, ku jemi më pak se 2 milionë banorë dhe një pjesë të varfër në skajshmëri.

(Kosova Sot)