Abazi: Mungesa e rendit dhe ligjit është një ndër plagët më të rënda në Kosovën e paspavarsisë

  • 16 August 2018 - 14:46
Abazi: Mungesa e rendit dhe ligjit është një ndër plagët më të rënda në Kosovën e paspavarsisë
Kontestet biznesore zvarriten në gjykata Bankieri  Milazim Abazi, për gazetën " Kosova Sot", tha se mungesa e rendit dhe ligjit është një ndër plagët më të rënda në Kosovën e paspavarsisë. "Edhe pse në kohën e fundit vërehet një përmirësim i lehtë, sundimi i ligjit është ende shumë i ulët dhe një ndër shkaktarët kryesorë të pasigurisë dhe të mungesës së investimeve si të vendit, ashtu edhe të huaja. Sepse, ende ka grumbullim të madh të lëndëve të pazgjidhura. Lëndët ekonomike po presin edhe mbi 7 vjet për të filluar një gjykim, ndërsa derisa ai të përfundojë dhe të marrë formën e prerë mund të shkojë edhe më shumë se 10 vjet. Andaj, me të drejtë thuhet se një drejtësi e vonuar, në fakt është drejtësi e mohuar", u shpreh ai. Së këndejmi, sipas Abazit, Qeveria e Kosovës bëri mirë që rriti pagat e prokurorëve dhe të gjyqtarëve, por për të rritur efikasitetin duhet të dyfishohet në mos trefishohet numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve. "Nëse nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të rritur numrin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, mund te rriten tarifat e shërbimeve në gjykata. Por, zgjidhja më e mirë do të ishte luftimi i korrupsionit. Sepse, vetëm me uljen e korrupsionit dhe ekonomisë informale, buxheti i konsoliduar i Kosovës do të ishte 50 për qind më i madh edhe me këtë normë të rritjes vjetore ekonomike", potencoi Abazi.