301 priftërinj katolikë besohet të kenë keqtrajtuar seksualisht rreth 1000 fëmijë

  • 16 August 2018 - 17:55
301 priftërinj katolikë besohet të kenë keqtrajtuar seksualisht rreth 1000 fëmijë

Me qindra priftërinj katolikë në Pensilvani kanë keqtrajtuar më shumë se 1,000 fëmijë, derisa zyrtarët e lartë të kishës, duke përfshirë edhe atë që tani është kryepeshkop i qytetit të Uashingtonit, në mënyrë sistematike kishin fshehur këto abuzime. Një juri e madhe raportoi të martën rreth sjelljes të tmerrshme të priftërinjve, ku përfshihej detyrimi i djemve që ta shpëlanin gojën me ujë të shenjtëruar, për t'i 'pastruar' ata pasi që ishin detyruar t'iu ofronin seks oral priftërinjve, si dhe detyrimi i një djali që të pozonte sikur Krishti, derisa priftërinjtë e tjerë bënin fotografi pornografike. Djemve që i kishin përzgjedhur për abuzim, priftërinjtë iu jepnin zinxhirë ari, transmeton gazeta "Kosova Sot".

Disa dosje sekrete të kishës janë humbur

Raporti me 800 faqe flet për më shumë se 300 priftërinj në gjashtë dioqeza ku fëmijët ishin dhunuar, ishin detyruar të konsumonin alkool, apo ishin detyruar që të 'performonin' për klerikët, me qëllim që ata të regjistronin material pornografik, duke filluar nga mesi i viteve 1950. Kardinali Donald Wuerl, ishpeshkopi i Pitsburgut, i cili tani udhëheq dioqezën e Uashingtonit, ishte në mesin e klerikëve të rangut të lartë, të cilët kishin mbyllur njërin sy në lidhje me këto abuzime. Numri i vërtetë i fëmijëve të abuzuar mund të jetë disa mijëra, meqë disa dosje sekrete të kishës janë humbur, derisa viktimat kanë qenë të frikësuara që të paraqiteshin, thotë juria e madhe. 

Shumica e viktimave janë djem, por ka edhe disa vajza

Ja disa nga keqtrajtimet më shqetësuese, të bëra nga klerikët katolikë ndaj fëmijëve: - Një prift kishte detyruar një djalë që ta shpëlante gojën me ujë të bekuar, pasi që më parë e kishte detyruar t'i ofronte seks oral; - Një prift kishte dhunuar një vajzë shtatë vjeçe, derisa e vizitonte në spital, ku ajo kishte shkuar për heqjen e bajameve; - Një grup pedofilësh të cilët fshikullonin djemtë e vegjël dhe lejonin burrat që t'i dhunonin ata, krahas një pagese; - Një prift, i cili detyronte nxënësit e shkollës së mesme që të bënin seks oral, iu ligjëronte atyre sesi Maria kishte qenë e detyruar që Jezusit t'ia këpuste kërthizën me dhëmbë dhe ta pastronte pas lindjes, duke e lëpirë atë; - Priftërinjtë shënjonin fëmijët e abuzuar, duke iu dhënë atyre zinxhirë të artë. Shumica e viktimave janë djem, por ka edhe disa vajza. Sipas raportit, udhëheqësit e kishës kishin fshehur këto akte, duke thënë se priftërinjtë vetëm kishin 'lozur' me fëmijët, apo ishin 'përlarë' me ta. 

 

(Kosova Sot)