Thaçi me spiunët e Serbisë kërcënojnë paqen në Kosovë

  • 16 August 2018 - 16:24
Thaçi me spiunët e Serbisë kërcënojnë paqen në Kosovë

Analistët politikë dhe qytetarët, duke vlerësuar gjithë angazhimin e presidentit të vendit në ditët që po lëmë pas rreth opsionit të korrigjimit dhe shkëmbimit të territoreve me Serbinë, theksojnë se me këtë propozim të rrezikshëm, i cili së fundi u kundërshtua edhe nga ndërkombëtarët, ka ekzistuar rreziku potencial i nxitjes së dhunës nga Hashim Thaçi së bashku me mbështetësit e tij tepër të paktë, natyrisht të paguar e të gjithë spiunë të Serbisë, që për finale kishin tentativën për ndarjen e Kosovës. Reagime të vazhdueshme ka pasur edhe nga analisti amerikan Daniel Serwer, i cili me të drejtë pyet se kush do t'i tregojë tani presidentit se është duke e shkelur betimin kushtetues, prandaj sa vjen e hapet dilema nga njohës të ndryshëm të zhvillimeve politike se a është presidenti i vendit një njeri mashtrues, por shpeshherë edhe tepër qesharak, të cilit asnjëherë nuk i "pret sakica në një vend", që i bie se gënjen qytetarët, të cilëve u detyrohet me Kushtetutën e vendit. Ai disa herë ka ndryshuar mendime lidhur me dialogun përmbyllës, herë thotë korrigjim kufijsh e herë thotë jo, pra i ndërron deklaratat disa herë, duke shkaktuar qëllimshëm konfuzion tek opinioni i gjerë publik, deklarojnë analistët. Thaçi pas reagimit të Merkelit thotë se nuk ka ndryshim të kufijve, por tani bashkë me Aleksandër Vuçiqin po e quajnë demarkim i kufirit. Analistët politikë shkojnë aq larg duke e gjykuar këtë ndryshim qëndrimesh nga ana e presidentit saqë kërkojnë madje jo vetëm përgjegjësi para kuvendit, por edhe që t'i bëhet testi i shëndetit mendor presidentit, sepse me deklaratat e tij është bërë si cirkus komik i pazëvendësueshëm, por tepër i dëmshëm për vendin që përfaqëson, pasi që e ka humbur përfundimisht toruan dhe vepron sa herë që nga ndërkombëtarët lëshojnë ndonjë deklaratë, e ai e përshtat atë si një mjeshtër i keq i mashtrimit dhe gënjeshtrës dhe këtë e bën jo me vullnet, por me interes.

Korrigjim apo pazare territoriale

Sipas analistit Shefik Shkodra, zërat në kundërshtim për çështjen e 'Zajednicës', për shkëmbim territoresh, për korrigjim (kamuflim) janë të shumtë."Zërat po dalin nga vende evropiane, nga liderë me shumë përgjegjësi, qoftë nga Evropa, qoftë nga Amerika, duke mos i përjashtuar edhe vendorë, që nuk janë të paktë. Ne dëshirojmë stabilitet njëherë e përgjithmonë. Qytetarët pas aq mundimesh e vuajtjesh, nga liderët dhe përgjegjësit e politikës, të heqin dorë nga këto manovrime me Vuçiqin. Ato nuk sjellin asnjë plus për këtë vend. Në të kundërtën, do të fillojë një epokë e re e turbullirave të padefinuara. Deklaratat e pamatura të presidentit dhe të njerëzve përgjegjës sot ngjallin revolta dhe shkaktojnë çrregullime në shoqërinë shqiptare. Duhet të kihet parasysh që po bëni ndarje dhe kaos te qytetarët. Presidenti nuk duhet ta ketë këtë mision as moralisht as juridikisht", u shpreh ai."Një kushtetutë që është inauguruar për vendin, i pari i Kosovës duhet ta respektojë edhe në shenja të pikësimit. Kjo po del se edhe Kushtetuta po përmbyset për çështje shumë personale", vijoi Shkodra për "Kosova Sot". 

Propozohet kontrollimi shëndetësor i presidentit

Analisti politik Ali Hertica thotë se Daniel Server, ekspert për Ballkanin, ish i dërguar i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit dhe ishzëvendëspresident i Institutit Amerikan për Paqe (USIP), ka komentuar mbi nismën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për ndryshimin e kufijve të Republikës, duke e quajtur presidentin njeri pa koncept politik dhe një komplotist të cekët politik, prandaj ky ton kritik do të duhej marrë tepër seriozisht."Këtë e ka sinjalizuar edhe Daniel Serwer, duke reaguar dhe thënë se është një shkelje kushtetuese e vendit, ku kjo politikë tregohet si një politikë mashtruese dhe shumë e cekët politikisht e kombëtarisht. Daniel Serwer u kujton liderëve politikë se betimi u Kushtetutës është një akt i rëndësishëm për qytetarin. Ai duhet ta dijë se në territorin e Republikës së Kosovës komunitetet gëzojnë të drejta të veçanta dhe spektri politik është duke i mbajtur në grusht, por të gjitha duhet të respektohen të përcaktuara me këtë Kushtetutë, krahas të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të përcaktuara në Kapitullin II të kësaj kushtetute", u shpreh ai."Thaçi nuk është serioz në qëndrimet e tij si i pari i vendi, ku thuajse aleatët e Kosovës i kanë sinjalizuar për hapa të gabuar politikë dhe historikë, me korrigjimin apo ndryshimin e kufijve të Republikës. Duke e parë këtë sjelle dhe politikë të çoroditur, gjithsesi që Thaçi duhet të kalojë një kontroll te psikologu, sepse nga historiku i tij luftarak tregon se tani ka devijuar rrënjësisht rreth trajtimit dhe mbrojtjes së interesit të Kosovës. Me këtë njeri do të duhej që urgjentisht të mblidhet dhe të merret konsiliumi i specializuar i mjekëve psikiatrikë", tha Hertica për "Kosova Sot". 

BADALLAJ: HASHIM THAÇI NUK NJEH AS LIGJE DHE AS KUSHTETUTËN E VENDIT

Ndërsa sipas analistit politik Reshat Badallajt, Hashim Thaçi nuk njeh as ligje dhe as Kushtetutën e vendit. "Ky njeri e ka humbur rrugën në oborr nga frika, me ditën që e ka marrë haberin nga Gjykata Speciale, prandaj kush e përcjell me vëmendje ka shenja çmendurie dhe ndoshta dikujt i është dukur jo serioze kur thosha se ky njeri ka nevojë për kontrollim mjekësor të trurit. Kur mori haberin për ndjekje nga Gjykata Speciale nga spiuni i Serbisë, Baton Haxhiu, u kap në siklet dhe se mendja e tij e sëmurë do të vdesë politikisht, ky nuk njeh as shtetin e Kosovës dhe të më thotë dikush, e kam fjalën ata që i përcjellin lëvizjet e tij: Kur ka qenë serioz, kur ka qenë këmbëngulës....? Kurrë! Atë që e ka thënë sot, e ka ndryshuar nesër, atë që e ka pështirë sot, e ka lëpirë nesër me lezet", theksoi Badallaj për "Kosova Sot".

GURAZIU: HASHIM THAÇIT ASNJËHERË NUK I "PRET SAKICA NË NJË VEND"

Sipas analistit Ragip Guraziu, Hashim Thaçi po shkel mbi të gjitha ligjet dhe simbolet e Kosovës, duke u angazhuar në mënyra të ndryshme për kompromise të dëmshme në interes të Kosovës me shtetin serb. Bile këtë të fundit, Kushtetutën, po e shkel me dy këmbët, duke harruar edhe tekstin e betimin me gjithë himnin për atë që ishin betuar."Po kështu me këto veprime të pa matura, ose edhe mirë të paramenduara, ai po nxit dhunë së bashku me mbështetësit e tij tepër të paktë, por që natyrisht janë të paguar e të gjithë spiunë të Serbisë, me tentativën për ndarjen e Kosovës. Tani edhe reagimi i Analistit amerikan, Daniel Serwer, ishte treguesi më i mirë, i fuqishëm dhe mu në kohën e duhur për t'i treguar presidentit, Hashim Thaçit, se është duke e shkelur betimin kushtetues siç thotë analisti amerikan Daniel Serwer. Përfundimisht me këto sjellje joserioze presidenti i vendit po e luan rolin e një njeriu mashtrues, por shpeshherë edhe tepër qesharak, të cilit asnjëherë nuk i "pret sakica në një vend", që i bie se gënjen para qytetarëve, të cilëve u detyrohet me Kushtetutën e vendit. Ai disa herë ka ndryshuar mendime lidhur me dialogun përmbyllës, herë thotë korrigjim kufijsh e herë thotë jo, pra i ndërron deklaratat disa herë, duke shkaktuar qëllimshëm konfuzion tek opinioni i gjerë publik", potencoi Guraziu.

KELMENDI: QËLLIMI I THAÇIT, AMNISTIA NDAJ TIJ NGA GJYKATA SPECIALE

Sipas prof. Muhamet Kelmendit, në aspektin juridik dhe të së drejtës ndërkombëtare ka dallime midis korrigjimit të vijës kufitare dhe të ndërrimit të territoreve, ndonëse si njëri ashtu edhe termi tjetër nënkuptojnë tërheqjen e kufijve të ri."Por, me korrigjim kuptohet tërheqja e vijës kufitare me metra, ndonjë centimetër apo më shumë, duke pasur për bazë konfiguracionin e tokës në kufij. Ndërsa, me ndërrim kuptohet në aspektin juridik ndërrimi i territorit në mes dy shteteve, duke kaluar territor nga një shtet në shtetin tjetër dhe anasjelltas, nga ai shtet në këtë shtet. Këtu z. Thaçi po gabon rëndë. Z. Thaçi duhet qartë të deklarojë se me korrigjim të kufijve nuk kuptohet bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën. Këtu kemi bashkim të një territori etnik me bazën e vet me shtetin nga janë ndarë. Kjo natyrisht e shtron çështjen edhe në kontekstin tjetër. Po veriu i vendit tipikisht i serbizuar ku mbetet? Z. Thaçi e dinë se këtu me korrigjim mu ndërrimi i territoreve është në pyetje. Veriu me Luginën. Sa dhe si nuk dihet!", u shpreh ai. Sipas Kelmendit, Kosova dhe Republika jonë pa UJMANIN dhe MITROVICËN UNIKE nuk ka ku shkon."Nuk mund të ndërrohen këto dy territore me asgjë. Kjo edhe për faktin, se këto territore ishin shqiptare. U serbizuan nga ana e Francës dhe në anën tjetër Lugina e Preshevës është shqiptare. Prandaj, nuk ke se si ndërron territore shqiptare me territore shqiptare. Jam që Lugina e Preshevës t'i bashkohet Kosovës, por kurrsesi të humbë Kosova UJMANIN dhe MITROVICËN", tha ai për "Kosova Sot". Sipas Kelmendit, kur është fjala për vepër penale, këtu ka kohe që z. Thaçi duhet të ishte kapur nga prokuroria. "Ka kohë dhe që nga viti 2008 që ka kryer vepra të ndryshme antikushtetuese dhe penale. Në vazhdimësi ka bërë krime, qoftë ekonomike, qoftë juridike, qoftë politike e shoqërore. Në vazhdimësi ka nënshkruar marrëveshje të dëmshme dhe antiligjore. Ai me Marrëveshjen e vitit 2013 e ka nënshkruar Asociacionin, ka krijuar policinë e pavarur serbe në veri, ka krijuar gjykatat dhe Listën Serbe, formën e pavarur dhe autonomë e shtetit. Pra, kemi në vazhdimësi vepra penale. Dhe, këtë po e bën edhe aktualisht, duke kërkuar që pas marrëveshjes me shtetin serb të ndryshohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës", theksoi ai. Sipas Kelmendit, nëse e arrin këtë qëllim me siguri që do të ndodhë edhe amnistia ndaj tij nga Gjykata Speciale."Dhe, në fund me këtë marrëveshje bie poshtë edhe puna e Gjykatës Speciale. Në marrëveshje do të inkorporohen domosdo edhe falja dhe mospërgjegjësia. Me këtë ruhet pozita e tij. Ndërsa, duke dalë për REFERENDUM, z. Thaçi e di se pa votat e minoritetit serb, të deputetëve të LISTËS SERBE nuk nxirret Ligji mbi referendum. E këta e votojnë atë ligj vetëm nëse bashkohen me shtetin amë, me Serbinë. Pra, kemi një konglomerat të shëmtuar dhe me përfundime shumë të rrezikshme", tha Kelmendi për "Kosova Sot".

Qytetarët kërkojnë llogaridhënie nga kreu i Republikës

Qytetarët e anketuar nga gazeta janë shprehur mirënjohës për reagimin e ashpër të faktorit ndërkombëtar në lidhje me planin gati luftënxitës dhe destabilizues të rajonit, me të cilin bënin fushatë kinse për marrëveshje historike të pajtimit, me këmbim territoresh, Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiq. Sipas qytetarëve, dhuna dhe destabilizimi i rajonit do t'i shkonte për shtati vetëm politikës serbe dhe aleatit të saj, Rusisë, por që në këtë rast ishte ndërhyrja direkt gjermane dhe angleze që i detyruan së paku deklarativisht të dyja palët të ndryshojnë qëndrimet. Një mendim të tillë e ka qytetari Vegim Namligiu."Mendoj se dhuna dhe destabilizimi i rajonit përmes kësaj gjendje vetëm Serbisë i konvenon, sepse aktualisht Serbia nuk është as me Evropën dhe as me Rusinë realisht, por po luan kryesisht akoma me Rusinë, prandaj është gjë normale që të gjitha këto kanë qenë plane të tyre, sepse Serbia i ka edhe do miq tek këta ndërkombëtarët, sikur tek francezët, që ka lidhje me sigurimin e shtetit Francës dhe lidhje me dhëndrin e Donald Tramp-it", u shpreh ai."Unë mendoj që presidenti ka rënë në këtë kurth të Serbisë, për shkak se i është dashur që t'ia kryejë disa punë Serbisë dhe këtyre të tjerëve që t'i ikën asaj të mundshmes që po flitet, se mos është edhe ky aty, në listën e Gjykatës Speciale, por sidoqoftë kjo vetëm e dëmton vendin. Ambasadori britanik e tha fare mirë që nuk vjen në konsideratë ndërrimi i kufijve, sepse ai ndërrim bëhet në letër, por që mund të arrihet vetëm me luftë, me plumba. Prandaj kjo nuk duhet të ndodhë, sepse këtë më nuk e duam as ne, por nuk do ta lejojë më as Evropa", tha Vegim Namligiu për "Kosova Sot". Të rrezikshëm e sheh dhe e konsideron temën e ndryshimit të kufijve edhe qytetari Shefki Kastrati, që sipas tij do ta destabilizonte vendin dhe do të përfitonte vetëm Serbia."Sa i përket çështjes së kufirit, është mirë që reaguan fuqishëm ndërkombëtarët, në këtë rast edhe nga Gjermania edhe nga Anglia, sepse kjo kurrsesi nuk duhet të ndodhë, prandaj edhe ndërkombëtarët kanë të drejtë që po e kundërshtojnë këtë ide. Ne e dimë Serbinë se çfarë politike tinëzare ka dhe angazhohet vazhdimisht kundër interesave të Kosovës dhe të shqiptarëve. Serbia synon dhe punon vetëm e vetëm se si të na mashtrojë neve dhe t'i realizojë interesat e veta duke përfituar territor të ri, por duhet të jemi shumë të bindur dhe shumë të sigurt që, pavarësisht se do të bëhej ndonjë marrëveshje me Serbinë, ajo do të mbetej në letër, sepse Serbia kurrë nuk do të jetë e gatshme që të japë asgjë. Serbia historikisht nuk ka dhënë kurrë territor ndaj askujt, deri më tani vetëm ka marrë. Tani pse e bëri këtë gabim presidenti ai e di vetë dhe duhet të japë llogari, sepse po të kishte qenë një president i tillë në një tjetër vend demokratik moti do të ishte detyruar të japë dorëheqje",tha Kastrati për "Kosova Sot". Sipas tij, derisa ai nuk e bën këtë u takon Kuvendit dhe deputetëve që e kanë zgjedhur që të kërkojnë përgjegjësi dhe llogaridhënie për të gjitha veprimet e gabuara që i ka bërë deri më tani.

 

(Kosova Sot)