Me këta politikanë të përlyer, harrojeni VETTING-un

  • 16 August 2018 - 08:37
Me këta politikanë të përlyer, harrojeni VETTING-un
Miftari: Shumica e shoqërisë civile, OJQ-të, janë të nënshtruara ndaj mafisë dhe politikës së krimit 

"Është një heshtje morti, tani për tani me këtë temë aktuale po merret vetëm gazeta juaj dhe askush tjetër. Sot kolegët tuaj shkruajnë për një dorëheqje të një prokurori të speciales. Po çka po ndodh kështu? Pas një kërcënimi dorëheqje, po në anën tjetër ku është reagimi i shoqërisë civile, ku është reagimi i policisë?! Kush e kërcënoi dhe për cilën lëndë?! Të marrësh pagë të majme e të zotohesh për punë e të dorëhiqesh pas një kërcënimi… Po ku ndodh kjo? Vetting-u nevojitet menjëherë, jo vetëm për pastrimin e figurave, por edhe për largimin e të gjithë atyre që nuk ballafaqohen fuqishëm me të keqen. Është e 'arsyeshme' të mos veprojë politika, sepse ata janë fajtorët, por mosangazhimi i mediave, shoqërisë civile dhe qytetarëve në përgjithësi, nuk ka justifikim", thotë ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, për gazetën "Kosova Sot"

Njohësit e fushës së të drejtës, analistët dhe ekspertët, theksojnë se janë të kota dhe fare improvizuese kinse përpjekjet për të reformuar sistemin e drejtësisë në Kosovë, nëse politika nuk ka asnjë fije të vogël vullneti e as interesi për ta bërë një reformë të madhe Vetting-u, të ngjashëm me atë në Shqipëri. Ata theksojnë se edhe heshtja e Ligjit të VETING-ut nga shoqëria civile është një minus i madh që po i faturohet tani nga qytetarët e nëpërkëmbur, përveç politikes së tej inkriminuar, edhe bllokut të shoqërisë civile të Kosovës, e cila në emër të kinse sundimit të ligjit konsumon fonde të mëdha edhe nga organizatat ndërkombëtare, por sikur është bërë bashkë me politikën dhe nuk i dëgjohet zëri për shkapjen dhe dekriminalizimin e sistemit të drejtësisë së kapur nga politika e pushteti i kriminalizuar, shtyllës kryesore të shtetit demokratik e ligjor. Kjo përgjegjësi vjen për faktin se deri më tani nuk kemi parë as një projekt serioz të OJQ-ve që ta mbështesin dhe të lobojnë seriozisht për një ligj të tillë Vetting-u, edhe pse modelin e kanë të qartë dhe shumë afër, si ai që po zbatohet në Shqipëri.

Shoqëria civile dhe mediat duhet të angazhohen më shumë Profesori i së drejtës, Riza Smaka, konsideron se shoqëria civile do të kishte mundur të jepte një kontribut shumë të madh në këtë drejtim, por ajo sikur po tregohet e painteresuar dhe fare e paangazhuar në këtë temë me interes për forcimin e shtetit të së drejtës."Së pari konsideroj që shoqëria civile në Kosovë është shumë difuze dhe heterogjene, ka shumë të ashtuquajtura njësi organizative nëpër të cilat kinse angazhohen nga dy e tre persona eventualisht, më pastaj ka edhe dyshime të bazuara që shumë nga këto OJQ janë të pozicionuara politikisht dhe proqeveritare, apriori pro pushtetarë, që nga fillimi e deri më sot. Një nga shkaqet e mosangazhimit në këtë drejtim mund të jetë kësisoj", theksoi ai."Prandaj edhe tani shoqëria civile nuk trajton tema aktuale akute, por vetëm disa tema ad-hok, apo më mirë të themi tema që janë kinse në modë për t'u diskutuar, ndërsa temat serioze për interesin e gjerë publik, sikur që është edhe kjo e sistemit të drejtësisë, funksionimi i dobët dhe problematik i këtij sistemi, që janë çështje jetike për shtetin dhe shoqërinë, pothuajse pak, apo fare pak, po trajtohen. Ky është një minus i madh i shoqërisë civile", u shpreh Smaka për "Kosova Sot".

Pushtetet nuk janë të pavarura Edhe eksperti tjetër i kësaj fushe, Blerim Burjani, konsideron se do të ishte i kotë angazhimi i OJQ-ve në këtë fushë derisa në pushtet sundon një politikë kaq e mishëruar me krimin dhe korrupsionin."Nuk mund të kemi reformim të drejtësisë me këtë kuvend që ka Kosova dhe me këtë qeveri. De-juro drejtësia është e pavarur nga këto dy pushtete, por problemi kryesor që eksiton është te politika që ndërhyn dhe pengon punën e pavarur që duhet të bëjnë organet e drejtësisë, këtu është telashi, gjyqësia duhet të reformohet nga KGJK, Prokuroria nga KPK dhe përderisa Kuvendi duhet patjetër të nxjerrë Ligjin për Vetting -un dhe të mos vonohet", theksoi ai."Ky ligj duhet të zbardhë përfitues të paligjshëm, duhet të ndalë rrënjët e korrupsionit në drejtësi dhe duhet ta rimëkëmbë drejtësinë. Kjo duhet të ndodhë sa më parë, sepse vetting-u edhe nëse nuk zbatohet tash me këtë politikë të korruptuar do të zbatohet në një kohë, nëse do shtet ligjor duhet të kenë vullnetin për të ndalë hajnin, apo korrupsionin gjithandej. Unë aspak nuk kam besim në këtë klasë të korruptuar politike, nuk ka as zgjidhje fare dhe kjo është lidhur nyje, që do të thotë gjasat janë zero për ndryshime dhe reformim", tha Burjani për "Kosova Sot". Sipas tij reformimi duhet të ndodhë në aspektin kadrovik dhe administrativ në gjyqësi.

MIFTARI: DIHET SE KUJT I DUHET NJË PROKURORI OSE GJYQËSI E POLICI E KONTROLLUAR NGA MAFIA POLITIKE

Sipas ekspertit të fushës, Naim Miftari, drejtësia e Kosovës derisa të kemi kësi lloj politikanësh dhe këso lloj qeverie nuk do të mundet kurrë të çlirohet nga korrupsioni dhe servilizimi politik, pasi secila klasë e politikanëve dhe e zyrtarëve edhe të rinj do të vjen duke u korruptuar dhe kontrolluar nga bandat mafioze që kontrollojnë partitë politike. Edhe qeveritë e reja që vijnë në pushtet, pasi ato vijnë në pushtet jo me vota, por me pazare të nëntokës nuk mund të pritet diçka pozitive."Heshtja ndaj VETTING-ut të dëshiruar nga masa popullore, por jo nga politika, tregon se zyrtarëve dhe pushtetarëve të korruptuar nuk u konvenon pastrimi i organeve të drejtësisë, gjyqësisë dhe policisë, pasi i kontrollojnë vetë këta të korruptuar, këto organe ligjore, sepse dihet se kujt i duhet një prokurori ose gjyqësi e polici e kontrolluar nga mafia politike e Kosovës, dihet kujt i duhet një prokuror që dikur dënonte shqiptarë politikisht me qindra vite burg, në kohën sa ishin prokurorë të Milosheviqit, e sot mbetet prokuror e sekser i përbetuar, sidomos i Hashim Thaçit ose i Isa Mustafës", u shpreh ai."Akuzat bëhen edhe nga vetë prokurorët për prokurorë dhe pos korrupsionit dhe servilitetit të mafisë politike, ka prokuror që korruptohet edhe me seks për t'u bërë favore të pandehurve dhe kriminelëve, siç ishte akuzuar para 4 apo 5 muajsh vetë një prokuror i Kosovës dhe kush u mor me ato hetime... askush, as që patën guxim ta demantonin zyrtarisht atë akuzë, çka për mua nuk është risi, pasi ajo dukuri ndodh që nga paslufta", tha Naim Miftari. Sipas tij, shumica e shoqërisë civile, OJQ-të, janë të nënshtruara ndaj mafisë dhe politikës së krimit."Nëse nuk është një OJQ servile e mafisë politike, atë e etiketojnë si të rrezikshme dhe e ndjekin edhe kinse me ligj e bllokojnë dhe izolojnë edhe financiarisht. I shpallin edhe luftë mediatike me mediet e pushtetit dhe mafisë politike, siç ishte rasti kur Qendra e Studimit të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar nga Tirana, por me licencë zyrtare edhe në Kosovë, që u shpall jo e ligjshme, ilegale dhe u shpall kinse po vepron si shërbim sekret, u shpall armik nga Qeveria dhe oponentët e mafisë politike të Kosovës dhe interesant edhe Serbia e shprehu të njëjtin mendim publik me këtë qendër - OJQ shqiptare, që kishte si drejtor ish-udhëheqës të SHISH-it shqiptar, që pas luftës kishte trajnuar kuadrat e SHIK-ut të PDK-së dhe i njëjti njeri, ishzyrtar shqiptar, tani ishte i padëshiruar dhe i rrezikshëm pikërisht për PDKnë e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit", ka treguar ai. 

PRETENI: KU ËSHTË REAGIMI I SHOQËRISË CIVILE, KU ËSHTË REAGIMI I POLICISË?!

Ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë se situate është aq fragjile, prandaj nuk ka akoma asnjë iniciativë, asnjë veprim në drejtimin e duhur."Është një heshtje morti, tani për tani me këtë temë aktuale po merret vetëm gazeta juaj dhe askush tjetër. Sot kolegët tuaj shkruajnë për një dorëheqje të një prokurori të speciales. Po çka po ndodh kështu? Pas një kërcënimi dorëheqje, po në anën tjetër ku është reagimi i shoqërisë civile, ku është reagimi i policisë? Kush e kërcënoi dhe për cilën lëndë? Të marrësh pagë të majme e të zotohesh për punë e të dorëhiqesh pas një kërcënimi… Po ku ndodh kjo? Vetting-u nevojitet menjëherë, jo vetëm për pastrimin e figurave, por edhe për largimin e të gjithë atyre që nuk ballafaqohen fuqishëm me të keqen", u shpreh ai për "Kosova Sot".