Mogherinit e Hahnit t'u kërkohet masivisht ndalja e aventurës së Thaçit

  • 17 August 2018 - 07:26
Mogherinit e Hahnit t'u kërkohet masivisht ndalja e aventurës së Thaçit

Badallaj: Hashimi i Brojës po bën pazare në dëm të vendit dhe pa e pyetur popullin, por kokë më vete, si të ishte oborri i babës së tij!

"Me siguri do ta përkrahin qytetarët iniciativën e dërgimit të mesazheve në e-mailin personal të zonjës Federica Mogherini, si dhe Johannes Hahn, me kërkesën që të ndalohet presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që të bëjë pazare me territorin dhe shtetin e Kosovës. Dhe, kjo s'do koment. Thirrjen e drejtë e ka bërë analisti Haki Abazi, duke kërkuar që të gjithë shqiptarët bashkërisht t'u drejtohen organizatave më të larta evropiane për të parandaluar presidentin e vendit që të dëmtojë territorin dhe shtetësinë e Kosovës. Dhe, si e tillë kjo është një thirrje e qëlluar dhe shumë me vend dhe në kohën e duhur", thotë analisti Ragip Guraziu për gazetën "Kosova Sot"

Analistë politikë dhe qytetarë të vendit po e përkrahin iniciativën e dërgimit të mesazheve në emailin personal të zonjës Federica Mogherini, komisionere e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe ndërmjetësuese e dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit, si dhe z. Johannes Hahn, komsionier për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim të Bashkimit Evropian, me kërkesën që të ndalohet presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që të bëjë pazare me territorin dhe shtetin e Kosovës. Thirrjen në adresë të të gjithë shqiptarëve në Kosovë dhe në gjithë botën e ka bërë analisti Haki Abazi, ish-drejtues i Fondacionit "RockefellerBrothers" në Nju- Jork, duke kërkuar që të gjithë shqiptarët bashkërisht t'i drejtohen organizatave më të larta evropiane për të parandaluar presidentin e vendit të dëmtojë territorin dhe shtetësinë e Kosovës si të tërë. Ai ka dhënë dhe dy email adresat ku të dërgohet mesazhi-teksti për parandalimin e Thaçit. Për momentin mbetet një enigmë se a do të mobilizohen qytetarët për të tentuar që në mënyrën me qytetëruese të veprojnë në mbrojtje të shtetit nga pazaret e pista dhe të rrezikshme të Hashim Thaçit, pasi partitë politike,opozitë dhe pozitë, nuk po marrin asnjë iniciativë për ta ndaluar presidentin në këtë tentativë të rrezikshme të radhës, me të cilën rrezikohet ndarja e Kosovës dhe pazaret me Serbinë për t`ia dhuruar 4 komuna në Veri të Kosovës. Presidenti pa legjitimitet Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu, për gazetën "Kosova Sot", thotë se ideja e Haki Abazit që ka kërkuar që të gjithë shqiptarët bashkërisht t'i drejtohen organizatave më të larta evropiane për të parandaluar presidentin e vendit të dëmtojë territorin dhe shtetësinë e Kosovës si të tërë, në parim është një ide shumë e qëlluar dhe si e tillë edhe duhet përkrahur. "E tërë e keqja në këtë punë është se kryetarin e Kosovës nuk mund ta shkarkojnë peticionet e as kërkesat e qytetarëve tanë drejtuar as znj. Mogherinit dhe as z. Hahn. Por këtë mund ta bëjë vetëm Kuvendi i Kosovës me shumicë absolute të votave dhe në rastin më ekstrem edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ashtu si i pati shkarkuar z Fatmir Sejdiu dhe z. Behgjet Pacolli", vlerësoi ai. Analisti politik Haki Abazi, për gazetën " Kosova Sot", tha se natyrisht që do të ishte më mirë që të kishim institucione demokratike, llogaridhënëse dhe transparente, por Parlamenti është i bllokuar nga, z. Kadri Veseli dhe injoron peticionet, duke shkelur Rregulloren dhe Kushtetutën, gjyqësia është e kërcënuar dhe e kapur nga politika, Presidenca vepron jashtë kompetencave, edhe në rastet ekstreme, siç ishte kidnapimi i qytetarëve, nuk është vepruar me qartësi dhe përgjegjësi vetëm është bërë rokada e njerëzve përgjegjës. "Nga drejtori i Policisë janë bërë udhëheqës të Shërbimit të Inteligjencës, vriten njerëzit nëpër burgje, nuk ka qartësi e as përgjegjësi. Nuk dihet kush merr vendime e kush është përgjegjës, sepse shteti është i kapur, nuk ka dialog me qytetarët, nuk ka demokraci që nga viti 2010, kur është bërë vjedhja industriale e votave", u shpreh ai. "Atëherë e kam thënë që demokracia ka vdekur, veprimet e njerëzve në institucione është veprim diktatorial që ka marrë shtetin peng. Kjo nuk lë shumë hapësirë se sa t'i tregohet Bashkimit Evropian dhe të tjerëve ajo që ata e kanë të ditur, por zëri qytetar duhet të konfirmojë. Thaçi nuk është përfaqësuesi ynë në negociata. Ne e dimë se si Hashim Thaçi është zgjedhur president, me mashtrime dhe përdredhje të duarve, kushtëzime dhe përdorim të veprave të anëtarëve të deputetëve, duke iu kushtëzuar lirinë e tyre me votën, është shkolla e UDB-së dhe KGBsë, që përdorin për të arritur qëllimet e tyre politike", vijoi më tutje Abazi. Ndërkombëtarët kundër ndryshimit të kufijve Eksperti i fushës ë Integrimeve Evropiane, Ali Hertica, për "Kosova Sot", tha se thirrjen në adresë të të gjithë shqiptarëve nga analisti Haki Abazi, ish-drejtues i Fondacionit "Rockefeller- Brothers" në Nju- Jork është një thirrje për ta shpëtuar shtetin dhe sovranin e Kosovës nga më e keqja e një politike pa koncept dhe të një plani ogurzezë për integritetin territorial të Republikës. "Kjo thirrje e z. Abazi duhet të jetë e fuqishme që t'i bashkëngjiten të gjithë shqiptarët bashkërisht t'i drejtohen organizatave më të larta evropiane dhe atyre botërore për të parandaluar një politikë absolute të presidentit të vendit ku do të dëmtojë Kosovën", potencoi ai. "Një përputhje me këtë angazhim mund ta bëjnë edhe faktori i Bashkimi Evropian ku dita- ditës po e rrit mbështetjen ndaj qytetarëve kosovarë për shkëmbim territoresh, ku së bashku me të gjithë partnerët kanë një objektiv të arritshëm dhe realist që Kosova të mbetet e pacenuar territorialisht sipas kufijve të shpalljes së saj të pavarësisë dhe Pakos së Ahtisarit, këtë e kanë deklaruar në një deklaratë të përbashkët,zonja Mogherini dhe z. Hahn", vlerësoi Hertica. "Edhe SHBA-ja është kundër kërkesës për ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe shumë shpejt pritet që të flasë qartë duke i thënë 'Jo' çdo propozimi që vjen nga Beogradi apo nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Një sinjal i tillë tashmë i është dhënë nga personalitete të diplomacisë gjermane, pikërisht nga kancelarja Angela Merkel për mosrealizimin e ëndrrës së tandemit, Thaçi - Vuçiq", vijoi më tej ai. "Nuk mendoj se amerikanët kanë menduar ndonjëherë që faktikisht të aprovojnë idenë e ridizajnimit të kufijve të rinj të Kosovës", ka thënë Hertica. Qytetarët kërkojnë veprim nga Parlamenti Qytetarët e anketuar të vendit po e përkrahin idenë e z. Haki Abazi për t'i shkruar zonjës Federica Mogherini dhe z Hahn, për dërgim të mesazheve në emailin personal, me kërkesën që të ndalohet presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që të bëjë pazare me territorin dhe shtetin e Kosovës. Por, ata theksojnë se është Kuvendi që mund ta shkarkojë presidentin, nëse ky i fundit nuk tërhiqet nga veprimet antikushtetuese. Qytetari Xhevat Prebreza nga Prishtina,për gazetën "Kosova Sot", tha se është skeptik nëse do të ketë rezultat iniciativa e Haki Abazit. "Debatet munden të bëhen qoftë nga shoqëria civile dhe kushdo tjetër, por vendimin në fund e merr Kuvendi i Kosovës e askush tjetër, pra, as Parlamenti Evropian e askush tjetër. Prandaj, nuk dua që të komentojnë se a humb apo fiton Kosova me këmbim territoresh. Ngase, unë nuk besoj se ka pazare me territore të Kosovës, sepse kanë kaluar kohët kur është bërë pazare me tokat e Kosovës, sepse nuk jemi në vitet e 1960 dhe 1970 të shekullit të kaluar", u shpreh ai. Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina Fahri Hoxha, për gazetën "Kosova Sot", thotë se kryetarin Hashim Thaçi nuk mund ta shkarkojnë as zonja Mogherini e as z. Hahn, sepse atë e ka zgjedhur president Kuvendi i Kosovës dhe atë munden që ta shkarkojnë vetëm kuvendarët tanë e askush tjetër.

QARRI:TË NDALOHET PRESIDENTI I KOSOVËS, HASHIM THAÇI, QË TË BËJË PAZARE

Analisti politik Gani Qarri, për gazetën " Kosova Sot", tha se mjerisht duke pasur parasysh joshjen, me premtimet se kinse nëse arrihet marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç raportojnë së fundmi mediet nga Beogradi, presidentët Thaçi e Vuçiq, si dhe vetë ndërmjetësuesja e BE-së, znj. Federica Mogherini, mund të nominohen për çmimin "Nobel për Paqe", përderisa Thaçi të mbetet i dëgjueshëm për palët, ekziston pak shpresë që vetë zonja Mogherini të ndikohet nga mesazhet e shqiptarëve, e cila kryekëput është e interesuar që në karrierën e saj,ndërmjetësimi në bisedimet KosovëSerbi, të shënohet si sukses me "germa të mëdha" sidomos tani kur edhe çmimi më prestigjioz botëror për "paqe" qëndron varur në horizont për ta. "Megjithatë, iniciativa e qëlluar për dërgimin e mesazheve në e-mailin personal të Federica Mogherinit, komisionere e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe ndërmjetësuese e dialogut Prishtinë- Beograd, si dhe Johannes Hahn, komisionarit për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim të Bashkimit Evropian, me kërkesën që të ndalohet presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që të bëjë pazare, të cilat rrezikojnë të ardhmen e shqiptarëve në këto troje, territorin dhe shtetin e Kosovës, medoemos duhet të përkrahet dhe mbështetet nga të gjithë qytetarët e Kosovës,e sidomos nga shumica shqiptare. ", theksoi ai. "Ani pse si Federica Mogherinit, ashtu edhe z. Johanes Hahn deklarohen se të dy palët kanë obligim dhe përgjegjësi për dialog konstruktiv, ata më tepër përqendrohen në plotësimin e kushteve të brendshme të shteteve, për reformat në drejtësi, luftimin e korrupsionit dhe ngritjen e ekonomive funksionale të tregut si parime të suksesit për integrim evropian, si ndërmjetësues të dialogut duhet t'u tërhiqet vërejtja me kohë nga shqiptarët, për dëmet që në bisedime me Serbinë,Thaçi po ia shkakton Kosovës. Është koha e fundit që të mobilizohen të gjithë qytetarët, të cilët e kanë në zemër Kosovën dhe vërtet e duan vendin e vet, që në mënyrën më qytetëruese evropiane, të veprojnë në dy kahe për mbrojtjen e shtetit nga pazaret e pista dhe të rrezikshme të Hashim Thaçit, duke protestuar brenda për rrëzimin e tij nga pushteti dhe politika si dhe duke dërguar jashtë porosi e mesazhe të vendosura Bashkimit Evropian, pasi as partitë politike, pozitë dhe opozitë, nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët as marrin asnjë iniciative për ta ndaluar Thaçin në këtë tentativë të rrezikshme të radhës me të cilën, më tepër se kurrë më parë, rrezikohet ndarja e Kosovës dhe realizimi i pazareve të pista me Serbinë për t`ia dhuruar asaj, si ish-shteti pushtues, 'në pjatë' edhe 4 komuna në veri të Kosovës", vlerësoi Qarri. Sipas tij, thirrja publike në adresë të të gjithë shqiptarëve në Kosovë dhe në gjithë botën, nga analisti Haki Abazi, ish- drejtues i Fondacionit "Rockefeller Brothers" në Nju- Jork, duhet të përkrahet sa më fuqishëm, duke kërkuar që të gjithë shqiptarët bashkërisht dhe në mënyrë të organizuar t'u drejtohen organizatave më të larta evropiane për të parandaluar presidentin e vendit të dëmtojë territorin dhe shtetësinë e brishtë të Kosovës si të tërë, duke u mbështetur fort e pa asnjë rezervë kjo nismë, sidomos nga shumica shqiptare, interesi dhe shtetësia e të cilëve rrezikohet drejtpërsëdrejti me pazaret e dyshimta të Hashim Thaçit, për shpëtimin e vetes, nga Gjykata Speciale.

BADALLAJ: E VETMJA RRUGË KA QENË DHE ËSHTË DALJA E POPULLIT NË PROTESTA GJITHËPOPULLORE

Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani, për gazetën "Kosova Sot", tha se duhet patjetër përkrahur iniciativa e z. Abazi për të dërguar e-maila te Federica Mogherini,sepse kjo ide është më se e domosdoshme të përkrahet për të shpëtuar Kosovën nga lufta që është shume e rrezikshme, sepse fatin e vendit e kanë marrë në dorë matrapazët e sojit të Hashimit të Brojës në këtë rast, duke bëre pazare në dëm të vendit dhe pa u pyetur populli, por kokë në vete, si të ishte oborri i babës së tij. "Një faj tepër të madh e ka edhe Kuvendi i Kosovës, që mund ta quajmë një Mexhlis rrugaçësh e vagabondësh dhe kjo po shihet se kam të drejtë, ose çka bëri në këtë drejtim. Asgjë. Faji bie edhe në bandat politike që po e quajnë veten opozitë, që heshtin si gjyshe memece, vetëm duke lehur dhe duke çuar selame nga shpati dhe nuk patën mundësi për të ndalur matrapazin Hashim Thaçin, që të luajë me fatin e vendit dhe qytetarëve të saj", potencoi ai. Analisti Badallaj-Zhuriani vlerëson se për të ndaluar këtë pazarxhi e vetmja rrugë ka qenë dhe është dalja e popullit në protesta gjithëpopullore deri në theqafje, pa e përdorur dhunën. "Opozita e vdekur nuk ka besim në vetvete, nga frika se nuk i përkrah kush, sepse e kanë humbur besimin në popull. Por, ka se kush t'i organizojë protestat gjithëpopullore, që qytetarëve u ka ardhur në majë të hundës, përndryshe ky dilenxhi bën pazare me kumbarën e tij, e që takohet shpeshherë fshehurazi në hotelet me të shtrenjta të botës, duke bërë rrush e kumbulla buxhetin e shtetit. Ky matrapaz është duke tentuar që vendin, ku Kosova fle mbi pasuritë nëntokësore, që na ka falur Zoti hise t´ia falë Serbisë fashiste dhe neve të na lërë bjeshkët e djerrinat. Ky miku dhe kumbara i Vuçiqit vetëm oborrin e babës së tij mund t´ua falë atyre,sepse nuk ka mandat të flasë në emër të popullit. Ndaj, çdo ditë e më shumë që vonohet populli për të ngritur në protesta gjithëpopullore shkon në dëm të vendit, që është në udhën e rrezikshme ky matrapaz me bandën e tij", vijoi më tej ai. Sipas tij, të gjitha këto pazare Thaçi i bën vetëm për nevoja personale e karrieriste, por fundi i karrierës së tij politike do të jetë i turpshëm.

GURAZIU: HASHIM THAÇI KRYE MË VETE PO RRAH GJOKS SE ËSHTË BOSI I KOSOVËS
 

Ndërsa analisti Ragip Guraziu, për gazetën "Kosova Sot", tha se pazaret për territorin e shtetit të Kosovës, që po i bën Thaçi,do të bien në ujë. "Njëherësh, presidenti Hashim Thaçi fare nuk e ka përkrahjen e qytetarëve të Kosovës, por ai në krye në vete po rrah gjoksin se është bosi i Kosovës dhe se Kosova është pronë e tij dhe si në bahçe të babës po mendon se do t'i ecë mbarë, por kështu pretendimet e tij dhe bashkëpunëtorit të Vuçiqit do të bien në ujë njëherë e përgjithmonë", u shpreh ai. "Me siguri do ta përkrahin qytetarët iniciativën e dërgimit të mesazheve në e-mailin personal të zonjës Federica Mogherini, si dhe Johannes Hahn, me kërkesën që të ndalohet presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që të bëjë pazare me territorin dhe shtetin e Kosovës. Dhe, kjo s'do koment. Thirrjen e drejtë e ka bërë analisti Haki Abazi, duke kërkuar që të gjithë shqiptarët bashkërisht t'u drejtohen organizatave më të larta evropiane për të parandaluar presidentin e vendit që të dëmtojë territorin dhe shtetësinë e Kosovës. Dhe, si e tillë kjo është një thirrje e qëlluar dhe shumë me vend dhe në kohën e duhur", vlerësoi Guraziu. Sipas tij, veprime të tilla duhet të marrin edhe qytetarët e tjerë kudo që janë dhe Thaçi më shumë po e rrezikon veten sesa Kosovën, se Kosova është e gjithë qytetarëve, e Gjykata Speciale ka punë vetëm me zotin Thaçi. "Me siguri do të mobilizohen qytetarët për të tentuar që në mënyrën më qytetëruese që të veprojnë në mbrojtje të shtetit nga pazaret e pista dhe të rrezikshme të Hashim Thaçit,pasi partitë politike,opozitë dhe pozitë, nuk po marrin asnjë iniciativë për ta ndaluar Thaçin me këtë tentativë të rrezikshme të radhës me të cilën po rrezikohet ndarja e Kosovës dhe pazaret me Serbinë për t`ia dhuruar 'në pjatë' si dhuratë 4 komunat në Veri të Kosovës, dhe në çdo farë formë që mundohet Thaçi ka për të dështuar se nuk ka përkrahjen as nga vetë pozita shumicë, po ashtu opozita dhe qytetarët e vendit", ka thënë Guraziu.