Milionerët e korruptuar po e sfidojnë drejtësinë

  • 17 August 2018 - 07:33
Milionerët e korruptuar po e sfidojnë drejtësinë
Preteni: Që 10 vjet shtet dhe asnjë aktakuzë e fuqishme kundër kryekriminelëve, kundër zyrtarëve të lartë, bile asnjë shkarkim dhe asnjë përjashtim nga puna!

"VETTING-u i përgjithshëm, në polici, drejtësi dhe inteligjencë, është i domosdoshëm. Cili prokuror guxon sot të hetojë për shembull multimilionerët si Hashim Thaçi, Ramushin apo Sami Lushtakun, Rem milionerin, e shumë milionerë të tjerë, që janë pasuruar brenda natës", thotë analisti Naim Miftari për "Kosova Sot

Analistë dhe njohës të fushës së drejtësisë vlerësojnë se është tallje me qytetarët deklarata e ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, në llogarinë e tij në "Facebook", ku ai gjoja i brengosur ka shprehur pakënaqësinë e tij me lajmin për dorëheqjen e prokurorit nga Prokuroria Speciale, me pretekstin se është kërcënuar për të bërë punën e tij. Ministri shkon me deklarata deri aty saqë shkruan se krimi, korrupsioni, shmangia nga përgjegjësia dhe abuzimi në këtë vend duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë. Analistët vlerësojnë se problemi nuk qëndron te talljet e ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, kinse ai është i brengosur për dorëheqjen e prokurorit special Elez Blakaj, por problemi qëndron te tërë sistemi i sundimit të ligjit, i cili është i korruptuar dhe i kapur nga dora e mafisë politike. Ndërsa nuk i kanë kursyer edhe kritikat ndaj prokurorit të dorëhequr, duke pohuar se Blakaj është dashur të paraqesë kërcënuesit me emër dhe mbiemër dhe të vazhdojë luftën, duke u "hakmarrë" kundër krimit, siç bëjnë prokurorët evropianë dhe botërorë.

Të padëgjueshmit kërcënohen Analisti Blerim Burjani ka pohuar për "Kosova Sot" se nëse gjyqtari dënon dikë nga strukturat kriminale politike dhe ai mund të kërcënohet, largohet, suspendohet, shantazhohet, kjo është e qartë se në Kosovë ka sundim nga njerëzit kriminalë. "Gjasat janë zero për funksionimin e organeve, s ka gjë fatkeqësisht me PAN në pushtet, vetëm se do të ketë pasurim pa bazë, probleme të nepotizmit, hajnisë, mashtrimeve, shantazheve dhe asgjë tjetër, kjo është në duart e qytetarëve nëse vendosin me u kthjell dhe me heq nga pushteti këtë klasë politike të dëmshme dhe grabitqare të buxhetit", ka pohuar ai. Shteti nuk duhet t'i nënshtrohet krimit Avokati Skënder Musa, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se detyra e prokurorëve, gjyqtarëve, avokatëve dhe gjithë aktorëve të drejtësisë në vete mbart edhe rreziqe. Sipas tij, është e paarsyeshme që një prokuror i Prokurorisë Speciale të tërhiqet për shkak të një kërcënimi që mund t'i bëhet nga një i akuzuar, pasi, sipas tij, pozicioni i prokurorit special në vend nënkupton se bart rrezik më vetë punën e tyre."Edhe në këtë rast prokurori që ju po e potenconi është dashur jo të japë dorëheqje, por të paraqesë rastin dhe të identifikojë, kërcënoi kërcënuesi, pasi ajo çfarë mësojmë nga letra e prokurorit të dorëhequr, ai nuk e ka përmendur rastin e kërcënuesit për diç tjetër. Nuk mund të arsyetohet një dorëheqje nga një prokuror se po largohet nga kërcënimi dhe emri i kërcënuesit nuk është askund", ka thënë avokati Musa. Më tej ai ka shtuar se prokurorët nuk kanë nevojë të kenë apo të presin ndihmë nga Qeveria, por përkundrazi të jenë të pavarur. Kurse sa i përket zyrës së kryeprokurorit të Shtetit, sipas Musës, i ka informuar, prokurorët dhe kolegët e tij, por edhe Policia e Kosovës kanë qenë të obliguar që t'i ofrojnë mbrojtje.

Ndërsa, avokati Tomë Gashi ka shkruar se prokurori Elez Blakaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij i detyruar nga ata të cilët i ka hetuar dhe duket se edhe ka ngritur aktakuzë kundër tyre për krime tepër serioze."Në interes të shtetit të Kosovës dhe të drejtësisë. Prokurori Blakaj do të duhej që të gjente mundësi t'i bëjë publikë emrat e atyre, të cilët i ka hetuar për keqpërdorime - çfarëdo lloj qofshin dhe posaçërisht për ato që ndërlidhen me listat e ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Dihet se një numër jashtëzakonisht i madh i tyre përfitojnë në mënyrë të rrejshme dhe mashtruese para nga buxheti i Kosovës e që kurrë nuk kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, por kanë qenë dhe janë mashtrues ordinerë", ka shkruar Gashi në llogarinë e tij në "Facebook".


MIFTARI: VETË MINISTRI DIHET SE ËSHTË VETËM SEKSER I HASHIM THAÇIT

Në një prononcim për "Kosova Sot", analisti Naim Miftari ka thënë se vetë ministri dihet se është vetëm sekser i Hashim Thaçit, jo në vija institucionale, por në vija politike dhe të servililtetit. "Sjellja e kinse ligjeve evropiane është vetëm blerje kohe për mafinë politike të korruptuar të Kosovës", ka pohuar ai. Sipas Miftarit, për të qenë prokuror apo prokuror special duhet me qenë i varur politikisht nga bosët e mafisë politike, e nëse nuk je servil i dikujt, s'ke shanse të vish deri te vendi i punës si prokuror, pasi prokuroria dhe gjyqësia me policinë dhe AKI-në janë vetëm teatër i kukullave, ku bosi kryesor është Hashim Thaçi, i ndjekur deri diku, por shumë pas tij Isa Mustafa."Kryeprokurorin Reshat Milaku dhe prokurorin tjetër, Sylë Hoxha, që njihen si kukulla të Hashim Thaçit, më ka rënë t'i njoh këto dy-tri vitet e fundit edhe vetë personalisht, ku këta "burra" tentonin me frikën e ligjit t'i ndalin kritikat ndaj korrupsionit dhe ndaj ndikimeve politike në drejtësi, sidomos të Hashim Thaçit, gjersa njëri nga këta prokurorë luante rolin e prokurorit të mirë, me propozoi të pijë kafe me presidentin dhe të bëjmë paqe me z. Thaçi. Tjetri prokuror, që luan akoma rolin e prokurorit të keq, me dërgon çdo javë pothuajse ftesa dhe dërgoj qindra policë të maskuar me armë të gjata në duar të më bastisin shtëpinë, edhe pse e dinë shumë mirë se unë nuk jam në Kosovë që 10 muaj dhe se është me ligj e ndaluar të bastiset një shtëpi pa prezencën a askujt nga familja jonë që jetojnë dhe punojnë në perëndim", ka pohuar Miftari. Ai ka shtuar se VETTING-u i përgjithshëm në polici, në drejtësi dhe në inteligjencë është i domosdoshëm, pasi, siç ka thënë ai, "cili prokuror guxon sot të hetojë për shembull multimilionerët si Hashim Thaçi, Ramushin apo Sami Lushtakun, Rem milionerin, e shumë milionerë tjerë që janë pasuruar brenda natës". Miftari nuk beson se lista e veteranëve është problemi kryesor i ikjes së prokurorit nga detyra, por janë rastet e politikanëve që e kanë gllabëruar shtetin dhe e kanë komplet në duart e tyre mafioze.

PRETENI: PSE PROKURORIA SPECIALE NUK PRONONCOHET RRETH ASAJ SE A KA APO NUK KA AKTAKUZË?

Kurse Hasan Preteni, analist dhe ish-shef i Agjencisë antikorrupsion, ka pohuar për "Kosova Sot" se Kosova nuk i ka punët mirë pasi pushtetet e pavarura vetëm në teori janë të pavarura, e praktikisht të kapura nga politika. "Jemi dëshmitarë të përditshëm për këto, ministri vazhdimisht takohet me gjyqësorin dhe tani prononcohet për të njëjtin. Politika duhet vetëm t'i krijojë kushtet e "gjyqësori" të veprojë. Pse nuk prononcohet Prokuroria Speciale ose KPK-ja, pse nuk vepron Policia? Ku janë organet e rendit që të zbulojnë dhe arrestojnë kërcënuesin? Pse Prokuroria Speciale nuk prononcohet rreth asaj se a ka apo nuk ka Aktakuze?", ka thënë Preteni, duke shtuar se politika ua rriti pagat prokurorëve me qëllim që ata të heshtin edhe më shumë, ky prokuror nuk i dëgjoi dhe shihni se çka ndodhi me të. Që 10 vjet shtet, shton ai, dhe asnjë aktakuzë e fuqishme kundër kryekriminelëve, kundër zyrtarëve të lartë, bile siç thoshte ai më tej asnjë shkarkim dhe asnjë përjashtim nga puna.

(Kosova Sot)